Si Kazili dhe Kuqali nga një bark lope kanë dalë

                                                                                                Nga Hyskë Borobojka

         

Xhikja i Xhipes kishte ndërtuar një lokal të bukur më të dale të qytetit, po thuaj të gjithin mbi ujin e liqenit, që të kujtonte banesat mbi hunj të lashtësisë së hershme. Në këtë lokal piktoresk, rrallë e për mall mund të gjeje ndonjë tavolinë bosh. Kushdo që kalonte aty, nuk kishte si mos kthehej të pinte një gotë raki ballëkazani, një verë gjaklepuri e të mos shijonte mishin e qengjit apo të kecit, të pjekur në hell, që Xhikja e servirte aq bukur.

Por ai që e pëlqente më shumë këtë lokal mbi lokalët e që s’i ndahej, ishte Vaso Pyka, i gjatë e i thatë, aq sa xhaketa ngjyrë gri, që mbante veshur, dukej sikur e kishte varur në kremastar. Ai ndiqte qejfin e tij e nuk donte të dinte për asgjë, mjafton të gjente një shok a një mik dhe zinte bashin e vendit.

Atë ditë, që fillon ky rrëfim, Vaso Pyka, gjeti mikun e vjetër, Dine Davidhin, rrumbullak e topolak, që kujtonte me mall e nostalgji kohën kur ishte goxha “kuadër” që, sa shkelte në lokal, njerëzit ngriheshin në këmbë si me sustë, duke iu lutur: “Po eja, o shoku drejtor, se sajdisja juaj na nderon e na zbukuron tavolinën.

Kafeneja e Xhikes atë ditë ziente si zgjua bletësh. Sejcili nga ata, që kishin zënë karrikët, lavdëronte e ngrinte në qiellin e shtatë partinë e tij se, ajo dhe vetëm ajo, po të vinte në pushtet, do ta shpetonte këtë vend që kishte marrë rrokullimën.

-Kot e kanë, o profesor (këtë epitet Vaso Pyka e kishte në vend të përshëndetjes e ia ngjiste cilido që ulej me të në tavolinë) o Mete, përvete! Secili kërkon të mbushë xhepat e të pasurohet përpara se të largohet.

Kjo qeveri, që kemi s’po na bën gjë. Premto e bot dhe: Ku ishe? Hiç gjëkundi. Ç’bëre? Hiçasgjë!Na mbyti korrupsioni, krimi i organizuar, prostitucioni, droga, tritoli, imoraliteti, ryshfeti, papunësia…

Vaso Pyka s’e la të vazhdonte më tej e ia ktheu:

-Se mos ia pamë hairin asaj që shkoi. Ujk njëra, çakall tjetra. Prandaj lërna, o profesor, të pimë këtë verë e të shijojmë mishin e pjekur që na ka vënë përpara Xhikja i Xhipes. Kemi njëzet e katër vjet, që i mbajmë sytë nga qielli e presim të na bjerë ndonjë pikë shi shpëtimi, por, ëhë, as një shpresë nuk duket gjëkundi. Njerëzit po ikin nga sytë këmbët e po marrin dhenë refugjatë.

-Unë them se Partia…

-Të pjerdhsha mu në to, o profesor. I sheh këta zotërinjtë që pinë e hanë këtu?! Puthin tokën ku kalonte diktatori, duartrokisnin sa i bënin copë pëllëmbët. Betoheshin e përgjëroheshin se ku vinte këmbën ai, ata do të vinin kokën. Tani, që fryri era ndryshe e ndërruan gunën. Por, ta them unë, o profesor, këta politikanët tanë janë batakçinj përmbi batakçinjtë, gënjeshtarë përmbi gënjeshtarët, qelepirxhinj përmbi qelepirxhinjtë, rrufjanë përmbi rrufjanë, moralprishur përmbi imoralë, fjalëmirë e gurë në trastë dhe s’ka ligj e drejtësi t’i bëjë zap. Flasin e shajnë njëri tjetrin sa u zw goja lesh. Ky vjedh, ai grabit, ky është hajdut me çizme, ai bashibozuk i pandreqshëm, ky kriminel, ai mashtrues. Kur erdhën në fuqi të djathtët, me “duart e pastra” e sloganin “Shqipëria po ndryshon”, tundën sa u lodhën flamurin e mirëqenies. “Na griu korrupsioni, akraballëku” thërresin të majtët në opozitë dhe tund e bot barjakun e antikorrupsionit, se kur të vinin ata në fuqi, do të sillnin “Rilindjen” e madhe, do lulëzonin vendin e do ta bënin parajsë?! Një vrimë në ujë, si të parët dhe të dytët një turi kanë. Korrupsioni dhe krimi nuk la pa përlyer ministra e deputetë. Pa më thuaj, o profesor, këto vite të gjata tranzicioni, ka hyrë ndonjë qeveritar i latë a deputet në “hapsanë”?! Edhe në hyftë sot ndonjë, del nesër i palagur. Prandaj unë s’dua të di fare se kush vjen në pushtet, Coli a Loli. Si Kazili si Kuqali nga një bark lope kanë dalë!

Vaso Pyka është litar me dhjamë. Thonë se origjinën s’e ka nga majmuni, si të gjithë, por nga ngjala.. Gunën e kthen nga të fryjë era. Mbushi gotën me verë të kuqe gjaklepuri dhe si kapërceu nja dy gllënka, vazhdoi:

          -E di ti, profesor, se ç’është vera?

          -Si nuk e di!

          -Një m… të madh di! Ta them unë dhe mos e harro kurrë. Vera është gjak, gjaku fuqi! E more vesh tani, të pjerdhsha në dituritë tënde.

          Si e zbrazi deri në fund gotën, iu kthye Dine Davidhit:

          -E di, o profesor, se ç’detyrë i kam vënë vetes. Të ha, të pi e të bëj qejf në këto vite, që më kanë mbetur në këtë tranzcion, që s’ka të sosur, deri sa të shkoj te të shumtit, si këndonte një miku im, rahmet pastë: „Atje te guri me vërë/ një nga një do shkojmë të tërë!“. Prandaj ta thotë Vasoja ty. Po gjete allishverish, mos rri pa bërë. Deri sa bëjnë ata që na drejtojnë, pse mos bëjme dhe unë e ti. Gjete sofër shtruar, mos i bëj naze, shtroju këmbëkryq deri sa t’i gjesh fundin, se “as për mjekrën tënde as për timen, s’mendon Zoti lavdëruar!” – ka thënë një poet e filozof i lashtë. Edhe me çark të jenë çanakët e pjatat, mua s’ma kapin dot dorën se e kam të gjatë.

Kishte filluar të errej dhe hëna po lundronte në qiell. Të dukej sikur kishte dalë shëtitje e do të kthehej përsëri aty te lokali i Xhikes të Xhipes. Për një çast Vaso Pyka e treti shikimin në ujët e liqenit, ku një pompë nxirrte ujë të shkumbëzuar. Sytë iu lëngështuan e iu rrëmbushëm si të një ëndërrimtari. Pompa vazhdonte të nxirrte ujë me stërkalla. Vasoja për një çast psherëtiu.

Ç’patë? Nuk ndjehesh mire? – e pyeti Dinia, duke e tundur nga krahët.

          -Jo,jo, asgjë! E di ç’po mendoj? – tha duke mos ia ndarë sytë pompës.

          -Ç’farë?!

          -Por ja, o profesor, ajo pompa atje tej, të mos nxirrte ujë nga liqeni, por raki e verë!

E nguli përsëri shkimin te pompa, pastaj e shpërnguli te gotat e zbazura në tavolinë dhe vazhdoi:

          -S’do të na mungonte kurrë kjo e flamosur në tavolinë! – dhe i ra me pirun grykës së gotës, që tingëlloi si zile.

          -I madh je o Vaso! Po ku të vete mendja xhanëm?!- tha Dine Davidhi dhe si u mendua pakëz, vazhdoi: – Po si do ta shuajmë të gjithë atë raki e verë? Ku ia del dot me meze?!

           Tjetri e shpërnguli shikimin nga pompa dhe e kaloi te shtyllat e neonit rreth e rrotull lokalit të Xhikes.

          -Të kripsha trutë, o profesor! Budalla me gjithë rrobe je, mos të të vijë rëndë. I sheh sa të dendura janë shtyllat këtu te lokali i Xhikes?

          -Si nuk i pakam! – belbëzoi tjetri si i degdisur në sedër.

          -Po ja, o profesor! Në to të mos varen llamba neoni, por vargje të gjata me sallam “turist”. Ne pre e ha, ata zgjatu më shumë.

          I kënaqur së tepërmi për këtë zbulim që kishte bërë e përshëndeti grunazin me një gotë plot me verë.

Ndërkohë, nja dy tavolina më tej, nja pesë a gjatë burra të fismë gumëzhinin aq fort, sa dukej sikur merrte zë mali e bënte dallgë liqeni. Ata përpiqeshin t’i mbushnin mendjen njëri tjetrit, se cili krah i politikës ishtë më i zoti, i majti apo i djathti.. Vaso Pyka e la gotën e verës mbi tavolinë e iu kthye Dine Davidhit:

          -Kot e kanë ata burra të ndjerë atje tej, o profesor! Ua them unë se cili është krau i djathtë i politikësh e kush është i majti!

          Hodhi sytë në xhade, ku po kalonte një qërrë e ngarkuar me bar dhe vazhdoi:

          -E sheh, o profesor, atë qerren që po kalon në rrugë? Përpara i del një bajgë lope. Rrota e qere e ndan në mes. Gjysma këtej është “politika e re e Rilindjes“ e gjysma andej „politika e vjetër e „duarve të pastra“ (që u bënë këllirë). Këto parti, o profesor, kanë njëzet e kusur vite që rrahin gjoksin se po e çojnë vendin drejt Evropës. por siç tregojnë bathët po e shpien në “Zululandin” e Afrikës Veriore..

.

 

SHKARKO APP