Si mësoi Obama të vishej si president i SHBA-ve?
Përgjatë fushatës së tij elektorale, Presidenti aktual amerikan, Barack Obama, atëherë një senator, u bë i famshëm për mungesën e shijeve në modë, por me menaxhimin e duhur të sfidës, kjo nuk u bë aspak një pengesë për të fituar postin si njeriu më i fuqishëm i botës.
Në moshën 26-vjeçare, Reggie Love, një ish-yll futbolli dhe basketbolli në Universitetin Duke u bë krahu i djathtë i atëherë senatorit Barack Obama gjatë fushatës së tij të parë presidenciale në vitin 2007.
Në kujtimet e i tij, “Forca përpara: edukimi im presidencial”, Reggie Love, tashmë 33 vjeç, shpjegoi si ishte të kaloje anembanë kombit me Obamën, duke i blerë atij veshje, duke i mbajtur valixhet, duke u kujdesur për fëmijët e tij dhe madje duke i përzgjedhur vaktet.
“Unë isha përzgjedhësi i tij muzikor, laptopi i tij, agjenti i tij i udhëtimit, trajneri i basketbollit i vajzave të tij, postieri, ora me alarm, makineria e tij e blerjeve, planifikuesi i festave, kolegu, ndihmësi dhe së fundmi dhe fatmirësisht, shoku i tij”, shkroi Love.
Ndërsa veshja nuk e bën domosdoshmërisht njeriun, Love thekson se paraqitja e Obamës luajti një rol të madh në besimin e tij nga votuesit.
“Ne të dyve na u desh të mësonim si të visheshim. Sepse përshtypja që bënim mund të sillte ndryshimin ndaj një vote ‘po’ ose ‘jo’,” shkruan Love.
Ndryshe nga kandidatët e tjerë, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2007, Obama, atëherë një senator amerikan, nuk kishte një këshillues gardërobe apo një stilist, thotë Love.
“Shpesh barra rëndoi mbi mua. Ai vishej dhe pastaj pyeste për mendimin tim. Nuk mendoj se kjo ndodhte ngaqë ai e vlerësonte qasjen time të modës, por më tepër sepse unë isha i vetmi person përreth”, shkruan Love.
“Dukesh mjaft mirë” ose “Liroje pak kravatën”, këto ishin disa nga mendimet. Kjo ndodhte më së shumti përpara se të dilte në skenë për një debat apo një fjalim madhor.
Dhe ndërsa Michelle Obama është e njohur për sensin e saj të rafinuar të modës, stafit iu desh të luftonte që ta bindte Obamën të hiqte këllëfin e celularit nga brezi.
Nga xhaketa që të gjithë e urrenin te blerja e këpucëve ideale, Love pati disa dështime dhe suksese në stilimin e Presidentit të ardhshëm të Amerikës.
Ai e kishte merakun te këmbët
Gjatë fazës së hershme të përzgjedhjes së kandidatëve, Obama pritej të fliste përpara një grupi të madh njerëzish në shtetin e Pensilvanisë dhe të vizitonte fabrika të bujqësisë në zonë.
“Ne ishim në Pensilvaninë Qendrore dhe do të ishte mëkat po të mos vizitonim një ose dy ferma bulmeti. Na këshilluan të ishim të përgatitur, ndaj unë kisha detyrën të përzgjidhja këpucët e nevojshme për kandidatin”, shkruan Love.
Kështu, Love filloi gjuetinë për të gjetur këpucët më të përshtatshme për nga pamja, por edhe nga rehatia.
“Telefonova disa dyqane dhe porosita disa palë në masa të ndryshme”, tregon Love. Ai përfundoi duke blerë një palë këpucë të markës Timberland për Obamën përpara eventit në Pensilvani.
“I mbajta në avion përgjatë fushatës në rast se do të kishte vizita të befasishme në ferma dhe do t’i fusja kështu në përdorim”, shkruan Love.
Sipas tij, këpucët ishin sfida më e madhe për Obamën.
“Ai ia kishte shumë merakun veshjes në këmbë. Duhet të kishin një pamje të caktuar dhe të ishin mjaftueshëm të rehatshme. Ai nuk mund t’i vishte kurdo këpucët e tij të sheshta dhe ky ishte një problem”.
Love vëren se në disa foto këpucët e preferuara të Obamës kishin vrima për shkak të lëvizjeve të shumta të fushatës dhe përdorimit.
Xhaketa që të gjithë e urryen
Në të gjithë veshjet e gatshme për fushatë, stafi urrente më së shumti një kostum në veçanti.
“Ishte kostumi që askush nuk e donte përveç kandidatit. Derisa një ditë ‘mbeti prapa’ në Nju Hempshir”, shkruan Love.
Siç e përshkruan ai në librin e tij përkujtimor, asgjë nuk kalonte pa u vënë re nga Obama dhe kandidati filloi të pyesë stafin se ku ndodhej xhaketa e tij e preferuar e kostumit.
Përsëritej shpesh pyetja “Ku është xhaketa?” “Mendova se e kishe ti xhaketën?”, “Kush e ka xhaketën?”. Kur më në fund xhaketa iu bashkua pantallonave, Obama e kishte marrë mesazhin e nevojshëm për kostumin e tij dhe mungesën e pëlqimit nga stafi.
“Jam disi demode”
“Dëgjova se ata po talleshin me xhinset e mia”, tha Obama në një intervistë për NBC, kur u pyet rreth xhinseve të tij që u bënë të famshme në lojën All Star të vitit 2009.
Prezantuesja e pyeti: “Ju jeni martuar me një nga gratë më të modës në botë. Dëshironi të mbroni idenë e pantallonave?” “Jo, ja se si e mendoj unë”, u përgjigj Obama.
“Michelle duket fantastike në veshje. Unë jam disi demode. Deri dy vite më parë, kisha vetëm katër kostume… E urrej të bëj blerje. Xhinset ishin të rehatshme dhe të gjithë ju që doni që Presidenti juaj të duket mrekullueshëm me xhinse të ngushta, më vjen keq, por nuk jam unë i duhuri”.
Në fillim të këtij viti, kur u pyet se sa kostume stafi i tij i prezantonte çdo mëngjes, Obama shpjegoi se si i zgjidhte veshjet. “Ata nuk më nxjerrin përpara kostume”, tha Presidenti Obama. “Unë kam një dollap si të gjithë njerëzit e tjerë të zakonshëm”.
“Business Insider”