Si ndikon mjedisi shoqëror në agresivitetin e fëmijëve
Sipas një studimi të publikuar në revistën “Societies”, nëse një fëmijë shfaq shenja agresiviteti, është i dhunshëm dhe nuk shoqërohet me të tjerët, përveç faktorëve familjarë dhe stresit, një rol të rëndësishëm luan edhe mjedisi shoqëror në të cilin rritet.
Studimi që ka vëzhguar 1293 familje, nga nëntë vende si Kina, Kolumbia, Italia, Jordania, Kenia, Filipinet, Suedia, Tajlanda dhe SHBA-ja, tregon se fëmijët shfaqin sjellje agresive nëse jetojnë në një lagje të rrezikshme.
Studiuesit shkencorë të universitetit “Duke” kanë vlerësuar rrezikshmërinë e mjedisit rrethues, duke pyetur prindërit në lidhje me zonën. Më pas, kanë vlerësuar nivelin e agresivitetit, duke iu referuar fjalëve të prindërve në lidhje me sjelljen problematike të fëmijës, në raport me të tjerët.
Fëmijët e rritur në lagjet e përshkruara si të rrezikshme, treguan nivele të larta agresiviteti. Kjo veçori u shfaq në të nëntë vendet ku u krye studimi.