Si nën pushtetin e Serbisë
Nga Gëzim Mekuli
Sistemi Jugosllav, përmes mediave që kishte nën kontroll, pra përmes gazetës, librave, radios dhe televizionit, bënin çmos që demonstratat e shqiptarëve të Kosovës t'i karakterizonin si të dhunshme, agresive e të “jashtëligjshme”. Sipas pushtetit të kohës, shqiptarët kishin “sulmuar” policinë e shtetit dhe se kishin shkelur ligjin dhe kushtetutën e shtetit jugosllav…
E, kështu po bënë, sot, edhe ky pushtet. Në vitin 1968 Serbët, mediat serbe dhe Rankoviçi, demonstratat e shqiptarëve, që ishin organizuar për të fituar të drejtën për përdorim zyrtarë të flamurit kombëtar, i quajtën të dhunshme, të egra dhe vandale… E, kështu njëjtë, po thotë sot, media e Isa Mustafës dhe e Hashimit.
Në vitin 1981, Jugosllavia e asaj kohe, dhe mediat e saja, përsëri, demonstratat gjithpopullore i quajti “barbare” dhe se këto demonstrata “të dhunshme”, kishin shkatërruar pronën publike dhe atë private. E, kështu po propagandon edhe gazetaria e Jabllanoviqit e Isës. Në vitin 1989, qeveria serbe, minatorët grevistë shqiptarë, që u ngujuan për dinjitet e për shtet, i quajti të “manipuluar” dhe, se këta po dëshirojnë të bëjnë grushtshtet… E, kështu po thotë sot media, gazetaria dhe Televizionet e Isës dhe të Hashimit.
Në vitin 1997, Sllobodan Millosheviç, protestat e studentëve i quajti të “dhunshme”, “antikushtetuese”, dhe, se këta po donin të “rrëzonin kushtetueshmërinë “ e Jugosllavisë dhe Serbisë. Demonstruesit i quajti “huligan”, “bandit”, “të dhunshëm”, dhe se duhej të burgoseshin sepse kishin sulmuar policinë serbe. E, kështu, mu si në sistemin Jugosllav, po gënjen, sot, media e Isës, Jabllanoviçit dhe e Hashimit.
Edhe atëherë pushteti detyronte dhe paguante gazetarët, "intelektualët" dhe opinionistët që të shkruajnë, të thonë, të dënojnë dhe të gjykojnë demonstratat e popullit shqiptar, sikurse sot që bënë Isa, Hashimi dhe Jabllanoviçi. Në vitin 2015 kemi të njëjtin fjalor, të njëjtën propagandë, të njëjtën dhunë, madje, edhe gjaku është i njëjtë: i popullit e i rinisë shqiptare!
Po, në vitin 2015 kemi të njëjtin kërcënim e fjalorë, të njëjtën retorikë, të njëjtën propagandë e strategji, të njëjtën dhunë e krim, por diçka po ndryshon: tani gjuha e kërcënimit dhe mediat e censuruara, nuk janë serbe, por janë shqipe. Diktatura nuk ka komb, gjuhë, e as identitet vetanak: Dhuna, krimi dhe dominimi është e përbashkëta e tyre.