Si u bë Tirana kryeqytet?
Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës njoftoi se do të nisej për Durrës, kryeqytet. Më 5 Shkurt Ahmet Zogu, 24-vjeçar, ministër i Brendshëm, njoftoi se qeveria po priste në Kavajë, në gatishmëri për të hyrë në Durrës, ku kontrollonte ende ushtria italiane.
Po atë ditë, Gjenerali Raimondo, deklaroi se me urdhër të gjeneral Piacentinit, ata nuk mund të hynin në Durrës. Ai dërgoi forca në afërsi të Shkëmbit të Kavajës për të ndaluar çdo mundësi avancimi drejt kryeqytetit.
Ahmet bej Zogu nuk tentoi të përplasej me ta. Një ditë më pas, ai kaloi nëpër rrugët dytësore nga Kavaja në Shijak dhe deklaroi se do të vendoste qeverinë përkohësisht në Tiranë, derisa Durrësi të lirohej nga italianët.
Gjeneral Piacentini reagoi sërish. Në zyrën e postës në Shijak mbërriti një telegram që sqaronte se komandanti Italian i Tiranës kish mbledhur parinë e qytetit dhe u kish kërkuar atyre që mos mbështesnin qeverinë e Lushnjës. Gjuha dhe toni i tij kishte qenë kërcënues.
Më 11 shkurt, duke shpërfillur gjithë paralajmërimet italiane, qeveria udhëtoi për në Tiranë. Pritja dhe entuziazmi i publikut ishte thuajse i pabesueshëm. Popullariteti i anëtarëve të qeverisë po ashtu. Pas një periudhe 8 vjeçare kaosi, shqiptarët po besonin tek vetvetja. Hyrja në Tiranë e qeverisë ishte triumfuese. Një aparat fotografik ka fiksuar këtë moment dhe drejtuesit kryesorë të saj, të rrethuar nga mijëra vetë. Tirana nuk kishte as zyra dhe as kushte për t’i strehuar, por siç kish ndodhur edhe në Vlorë më 1912 dhe në Durrës më 1914 ndërtesat e vjetra të administratës turke, u shndërruan në seli të qeverisë.
Parlamenti dhe Kryeministria, u vendosën të dyja bashkë në shtëpinë e Zija bej Toptanit (aktualisht selia e Akademisë së Shkencave), njëra në katin e parë dhe tjetri në katin e dytë.
Më 15 shkurt 1920, pas një kërcënimi të ri italian, qeveria e zgjedhur në Lushnjë dhe e vendosur në Tiranë, njoftoi Gjeneralin Piaçentinin, se nuk e njihte më qeverinë e Durrësit dhe deklaroi se do përplasej ushtarakisht me të. Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu shpalli mobilizimin e përgjithshëm të popullsisë. Të trembur nga zhvillimi i ngjarjeve, nga mbështetja e madhe e popullatës dhe nga etiketimi “tradhtarë”, 3 përfaqësuesit e qeverisë së Durrësit dhanë dorëheqjen. Po atë ditë ata i dorëzuan arkivin, ministrit të Brendshëm. Ky gjest i befasoi italianët. Ata vendosën të kalojnë nga gjuha e forcës dhe e kërcënimit, tek ajo e diplomacisë dhe reciprocitetit.
Qeveria e Tiranës kishte korrur fitoren e parë, që do të pasohej, befas, nga një seri fitoresh, që për nga intensiteti dhe përmasat, nuk janë përsëritur në këto 100 vjet të historisë së shtetit shqiptar!
Pas tërheqjes së italianëve dhe kapitullimit të qeverisë së Durrësit, më 20 shkurt 1920, vetëm 9 ditë pasi ishte vendosur në Tiranë, Qeveria e Kongresit të Lushnjës u njoh zyrtarisht nga gjithë qytetet e Shqipërisë. Selia e qeverisë mbeti në Tiranë