Si u rikrijua Baza Detare e Durrësit, 50 vjet më parë
Nga Selman Rama*
Nga fundi i vitit 1964 Këshilli i Mbrojtjes të asaj kohe vendosi ristrukturimin e Flotës Luftarake Detare, e cila deri në atë kohë ishte e centralizuar, me vendbazim ishulli Sazan. Kështu u vendos që anijet mbiujëse luftarake të ndahen e të krijohen Flotilja e Durrësit dhe Flotilja e Vlorës.
Kuadrot e asaj kohe Polo Guga e Mexhit Çiku tregojnë se si kriter bazë i caktimit të kuadrove do të merrej vendbanimi Durrës, dhe kjo për efekte strehimi. Po në ndonjë rast pati edhe subjektivizëm dhe qejfmbetje të ndonjë kuadri.
Në përbërje të Flotiljes Durrës u caktuan anije minaheqëse, gjuejtësa kundër ND si dhe anije ndihmuese. Komandant ishte caktuar Dashamir Ohri. Ai vinte nga një pëvojë e pasur siish-komandanti i bazës së nëndetëseve të Pashalimanit, pikërisht në periudhën kur ishte krijuar konflikti i madh me aleatin e atëhershëm, Bashkimin Sovjetik. Ai është dhe një nga 17 oficerët e parë shqiptarë që ka mbaruar studimet në vitin 1947 në ish-Jugosllavi. Është, ndërkohë, edhe një nga specialistët e parë të përgatitur në ish-Bashkimin Sovjetik dhe më pas, një ndër personat e parë, i përgatitur për nëndetëse po në ish-Bashkimin Sovjetik. Dashamir Ohri ka qenë pikërisht komandanti i nëndetëses së parë shqiptare, të ardhur me një katërshe nga Bashkimi Sovjetik.
Vitin e ri 1965 e festuam së bashku në Sazan.
Në mesditën e 4 Janarit 1965, Kap. Rangut III-të D.Ohri i emëruar komandant i Flotiljes Durrës organizon një takim me kuadrot e Shtabit të Flotiljes dhe komandantët e anijeve; i njeh me planin e lundrimit të Flotiljes nga Sazani në Durrës.
Rreth orës 20.00 fillon dalja e anijeve nga Sazani. Ky moment ishte shumë prekës. U ndamë me shokët e familjes e kuadrove, me të cilët kishim vite që jetonim në Ishullin e Sazanit.
Dalja e anijeve u shoqërua me rënien e sirenave si përshëndetje tradicionale e FLD. Lundrimi për në Durrës u bë natën, në formacion lundrimi dhe në kushtet e një deti të trazuar. Në mëngjezin e datës 05 Janar 1965 anijet mbërritën në Radin e Durrësit, e më pas u akostuan në Kalatën Lindore të Portit Detar Durrës. Kishin dalë për të përshëndetur e për të uruar mirëseardhjen kuadro vendorë, qytetarë durrsakë e familjarë të kuadrove që ishin nga Durrësi. Kështu data 5 Janar 1965 shënon ditën e rikrijimit të Bazës Detare Durrës. Para komandës e shtabit të Flotiljes dilnin detyra për konsolidimin e vendbazimit. Nisi gjithshka nga e para sepse mungonte infrastruktura, si bankinat, godina e komandës, kushtet e përgatitjes speciale, depot, baza materiale për përgatitjen e efektivave etj. Në saj të punës vetmoshuese të kuadrove dhe efektivave u arrit që të ndërtohej bankina e silure hedhësave, ofiçina e silurave si domosdoshmëri për anijet që pritej të vinin në vitin 1965 nga RP e Kinës. Ndihmesë të madhe për sigurimin e kushteve të vendbazimit dhanë edhe ndërmarrjet e qytetit të Durrësit si NN Porti, Porti Detar etj.
Rruga në të cilën ka ecur Baza Detare e Durrësit gjatë këtyre 50 viteve është e mbushur me sakrifica në kryerjen e detyrave për mbrojtjen e ujrave tona teritoriale nga veprimtaritë e paligjëshme të anijeve të huaja, ndalimin e tentativave për kontrabandë etj.
Në vite, Bazës iu shtuan anije të tjera si silurehedhësa, gjuajtësa detar; u ndërtuan vendbazimi në B.Pallë, ofiçina të riparimit të anijeve, godinat e komandës, shkolla e përgatitjes së efektivave etj. Janë të shumtë ish-detarët që kanë kryer shërbimin ushtarak në Bazën e Durrësit që punojnë në profesione të ndryshme në Flotën Tregtare, në Flotën e Peshkimit etj.
Në këtë 50-vjetor të rikrijimit të Bazës Detare të Durrësit, për punën plot përkushtim në shërbim të atdheut kujtojmë me nderim e respekt kuadrot e para që hodhën themelet e rikrijimit dhe konsolidimit të Bazës, të cilët janë ndarë nga jeta, si: komandantët e Bazës në vite Kap.Rang.III D.Ohri, Kap Rang I M.Plani, Shefi i Shtabit të Bazës Kap Rang III M.Lulolli, komandantët e skuadriljeve silurëhedhëse Kap Rang III Selam Qejvani, Kap Rang III Ali Canosinaj, komandantin e grupit të anijeve mbiujse Petro Treni, Ing.mekanikët Piro Tushi, Ismet Beluli, Sami Shyti, Mark Berdufi, M.Hysi; kuadrot me përvojë Xh.Bujari, Vasil Petro, Spiro Kote, A.Sevrani, B.Demko, Mihallaq Papadhopulli, B.Shehu, T.Gërveni, Skënder Sulku, Halit Hima, Thoma Rubia, B.Këlmendi, S.Beluli, I.Rexha etj, si dhe Tasim Sinani, Hektor Meçe, A.Daja, D.Hoxha, që u larguan nga jeta shumë para kohe.
Le t’u shërbejë përvoja e tyre brezave të kuadrove të reja të Bazës Detare të Durrësit.
Me ndryshimin e sistemit politik në vitin 1990 Baza detare e Durrësit pësoi ndryshimet e veta në konceptin e detyrave, organizim dhe strukturë. Si rezultat i hapjes me botën, në ujërat tona u rrit intensiteti i lëvizjeve të anijeve të huaja për qëllime ekonomike, turistike e kontrabande. Për rrjedhojë u rrit edhe mundësia e shkeljeve të ujrave tona; u shtua veprimtaria për peshkim të paligjshëm, përpjekja për trafiqe të klandestinëve, të drogës, të armëve etj.
Baza Detare e Durrësit i ka përballuar të gjitha detyrat në ndalimin e këtyre veprimtarive të paligjëshme. Në këtë aspekt kontribut ka dhënë edhe bashkëveprimi me anijet e Flotave Ushtarake të NATO-s. Vlen të përmenden veprimtaritë e përbashkëta të mjeteve të Bazës Detare të Durrësit për embargo ndaj ish Jugosllavisë duke ndaluar misione kontrabande, anije naftëmbajtëse etj.
Në të gjitha stërvitjet e përbashkëta, kuadrot tona kanë treguar përgatitje profesionale, kanë qenë në të njejtin nivel me kuadrot e flotave të huaja partnere.
Rol të rëndësishëm në zbatimin e detyrave kanë luajtur sistemi i vëzhgimit detar nëpërmjet PRT të vendosura në vendet e studjuara për këtë qëllim, të cilat janë paisur me teknikë bashkëkohore.
Tashmë anijet me të cilat u rikrijua Baza Detare kanë dalë jashtë strukturës së Flotës dhe vendin e tyre e kanë zënë anije të reja të ardhura nga vendet aleate si SHBA, Hollanda, Italia etj, të cilat i përgjigjen plotësisht kryerjes së detyrave të ruajtjes së ujrave tona teritoriale.
*Ish oficer marine dhe kuadër i Bazës Detare Durrës