Sigurimet shoqërore, qeveria përcakton rregullat e kriteret

 

VENDIMI

 

Saktësohen kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore, si edhe dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor

Në kuadrin e reformës së sigurimeve shoqërore dhe detyrimit për t’i paguar ato nga kategoritë e detyruara me ligj, qeveria përmes një vendimi të posaçëm ka saktësuar dje të gjitha kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore, si edhe dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor. Ja cilat janë rregullat dhe kriteret e reja të tyre:

 

 

 I. Kategoritë e personave të mbrojtur

dhe të detyruar për t’u siguruar

 

Konsiderohen të mbrojtur dhe përfitojnë të ardhura e shërbime nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë:

 

1. Personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik dhe kanë plotësuar moshën e punës, sipas përcaktimeve në Kodin e Punës, si më poshtë vijon:

 

a)Të punësuarit me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar, të punësuarit me kontratë pune pa afat ose me afat më shumë se një muaj, që punojnë me kohë të plotë ose të pjesshme, për 87 orë në muaj e më shumë, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, por jo më pak se niveli minimal, për degën e sigurimit të sëmundjeve, të barrëlindjes, të pensioneve, të aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale, të papunësisë dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor;

b)Të punësuarit me kontratë pune me ose pa afat, që punojnë me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, por jo më pak se niveli minimal, për degën e barrëlindjes, pensioneve, aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor;

c) Të punësuarit me kontratë pune, me kohë të plotë ose të pjesshme ditore, që zgjat më pak se 7 ditë kalendarike radhazi në vit, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për degën e aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor;

ç) Pronarët e personave juridikë, që ushtrojnë funksione drejtuese në shoqëri, si administratorë apo çdo funksion tjetër, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, sipas përcaktimeve në  shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij vendimi;

d) Të vetëpunësuarit me statusin e personit fizik, që ushtrojnë veprimtari  ekonomike, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, jo më pak se niveli minimal, për degën e barrëlindjes, pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor;

dh)Pjesëtarët e familjes, që punojnë e bashkëjetojnë ligjërisht me të vetëpunësuarin, person fizik, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, jo më pak se niveli minimal, për degën e barrëlindjes, pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor;

e) Personat fizikë, të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulantë, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, që nuk janë të siguruar si punëmarrës ose si të vetëpunësuar në veprimtari ekonomike të vijueshme, që paguajnë kontribute të detyrueshme për degën e pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Si persona të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi dhe ambulantë konsiderohen personat që vetëpunësohen në veprimtari:

 

i.  të përkohshme e të vijueshme, por pa një vendqëndrim apo shërbim të përcaktuar;

ii.  të përkohshme e me ndërprerje gjatë javës, por pa një vendqëndrim apo shërbim të përcaktuar;

iii.të vijueshme, në veprimtari tregtare në tezga, pa vendqëndrim të përhershëm ose në mjete që lëvizin;

iv.të vijueshme, në veprimtari transporti, me ndërprerje gjatë javës.

 

ë)Personat e punësuar, që punojnë me kohë të plotë apo të pjesshme pune, si punëtorë shtëpie në familjet e të tjerëve, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për degën e pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Konsiderohen “punëtorë shtëpie” personat që punësohen nga kryefamiljari, në punë të tilla si, kujdestar për fëmijët, kuzhinier, pastrues, roje-administrator shtëpie, asistent për të moshuarit, etj., apo edhe shërbime të ndryshme të kësaj natyre; 

f)Nxënësit e shkollave të mesme apo profesionale, si edhe studentët, për kohën e programuar të praktikës mësimore dhe praktikave profesionale pa pagesë, për të cilët paguhen kontribute nga punëdhënësi, në nivelin minimal, vetëm për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, për aq kohë sa është përcaktuar në kontratën e lidhur ndërmjet subjektit dhe institucionit përgjegjës;

g) Personat e punësuar për herë të parë, në subjekte të cilat zhvillojnë aktivitete ekonomike sipas Regjimit të Përpunimit Aktiv (fason), për një peridhë deri në tre muaj të formimit profesional, për një profesion të caktuar, të kualifikuar, që sigurohen në mënyrë të detyrueshme, në nivel minimal, vetëm në degën e aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, me kushtin që subjekti punëdhënës nuk përfiton financime nga programet e nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit profesional;

gj)Personat e punësuar në dy ose më shumë subjekte juridike ose fizike, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për degën e sigurimit të sëmundjeve, barrëlindjes, pensioneve, aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale, papunësisë dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor;

h)Personi fizik që, njëkohësisht, zhvillon aktivitet ekonomik si anëtar i papaguar i familjes, si edhe anëtari i papaguar i familjes, që zhvillon aktivitet ekonomik në dy persona fizikë, me të cilët bashkëjeton, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për degën e sigurimit të barrëlindjeve dhe pensioneve dhe për sigurimet e kujdesit shëndetësor;

i)Personat e punësuar për më shumë se 87 orë në muaj, në rast sëmundjeje ose kujdesjes për fëmijën në ngarkim, të vërtetuara me raport mjekësor për deri në 14 ditët e para, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme. Përllogaritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore, të sigurimit të kujdesit shëndetësor, si dhe tatimi mbi të ardhurat nga punësimi, zbatohet njëlloj, ashtu si për të ardhurat nga puna, pavarësisht se mënyra e llogaritjes së tyre i referohet dispozitave të veçanta të Kodit të Punës;

j)   Të vetëpunësuarit në bujqësi, të aftë për punë, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, deri në moshën për pension.

 

2.Personat me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar dhe personat e tjerë që trajtohen nga skemat e sigurimeve shoqërore suplementare, ushtarakët e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, personat me tituj shkencorë, profesorë, asistentë profesorë, drejtues kërkimesh dhe mjeshtër kërkimesh, të cilët derdhin kontribut suplementar të detyrueshëm, për përfitimin e pensionit suplementar.

 

3. Personat e punësuar në miniera, në nëntokë, të cilët paguajnë kontribute të detyrueshme shtesë për degën e pensioneve.

 

4.Personat me banim të përhershëm në Shqipëri, me të ardhura të rregullta nga pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, të cilët paguajnë kontribute të detyrueshme vetëm për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Në këtë rast, kontributi i detyrueshëm zbatohet vetëm kur personi me të ardhura të rregullta nga pronësia nuk ka sigurim tjetër të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

 

5.Të papunët, që përfitojnë pagesë papunësie për periudhën që trajtohen me këtë pagesë, për të cilët buxheti i shtetit derdh kontribute për degën e pensioneve dhe për barrëlindje.

 

6.Personat nën pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm.

 

7. Shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar në subjekte të regjistruara për efekte fiskale në Republikën e Shqipërisë, mbrohen dhe sigurohen, në mënyrë të detyrueshme, sipas përcaktimeve në pikën “1”, të këtij kreu.

 

 

II. Paga për efekt të llogaritjes së kontributeve

 

1.Paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e të kujdesit shëndetësor, është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi, ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune dhe shtesat e tjera, me karakter të përhershëm, që lindin nga marrëdhëniet e punës. Paga bruto evidentohet në listëpagesën tip, e cila është deklaratë për pagesë dhe dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale.

 

2.Në pagën bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor, nuk përfshihen:

 

a) përfitimet që punëmarrësi merr nga fondet e sigurimeve shoqërore;

b) kompensimet nga rritja e çmimeve;

c) dhuratat në të holla, që nuk kanë karakter të përhershëm dhe të përgjithshëm;

ç) të ardhurat nga detyrimi ushqimor, të caktuara me vendim gjykate;

d) vlera e antidoteve, që punëdhënësi jep në natyrë, për personat e punësuar, sipas legjislacionit në fuqi;

dh) shpërblimet me karakter jo të përhershëm, të lejuara në mbështetje të legjislacionit në fuqi, shpërblimet nga fondi i veçantë, për rastet e fatkeqësive në familje, për sëmundjet e gjata, për dëme, në raste  fatkeqësish të mëdha natyrore, dhe për veprimtari të shquara;

e) vlera e shpenzimeve për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit, të cilat jepen bazuar në legjislacionin në fuqi dhe që nuk janë pjesë e pagës;

ë) honoraret apo shpërblimet e tjera të kësaj natyre, që nuk kanë  lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës.

 

3.Paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, të jetë, si më poshtë vijon:

 

a) jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 22 000 lekë dhe deri në 97 030 lekë, për personat e punësuar;

b) jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 000 lekë dhe sipas përcaktimit të vetë personit, deri 97 030 lekë për personat e vetëpunësuar;

c) e barabartë me pagën minimale mujore prej 22 000 lekësh, për punonjësit e papaguar të familjes.

 

4. Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, të jetë, si më poshtë vijon:

 

a)  jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 000 lekë dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listëpagesës, për personat e punësuar;

b) sa dyfishi i pagës minimale, e barabartë me 44 000 lekë, për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht;

c) paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, për personat e vetëpunësuar në bujqësi, është 4 620 lekë.

 

5.Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve suplementare të detyrueshme, të jetë nga 22 000 lekë e deri në shumën e pagës bruto, sipas listëpagesës.

 

6.Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve shtesë të punonjësve që punojnë në miniera, në nëntokë, është sipas pikës 3, të këtij kreu.

 

7.Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të buxhetit të shtetit, për kohën e trajtimit me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm të personave që kryenin funksione kushtetuese apo si punonjës të lartë të shtetit dhe për ish-ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ, të Gardës së Republikës, të Policisë së Burgjeve e Mbrojtjes nga Zjarri dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm është e barabartë me pagën referuese, sipas gradës dhe funksionit, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.

 

8.Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të buxhetit të shtetit për personat që përfitojnë pagesë papunësie, për ish-punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, dhe ish-punonjësit e industrisë ushtarake, që përfitojnë trajtim financiar të veçantë, personat që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe gratë që dalin në pension për periudhën e kryerjes së arsimit të lartë, është e barabartë me pagën minimale.

 

 

SHKARKO APP