Sikleti i “lirise së fjalës”

Nga Tidita Fshazi

Të jesh idhtar i lirisë së fjalës është e sikletshme. Së pari do të të duhet të jesh trim dhe të jesh trim ka qenë e do të mbetet një detyrë e vështirë e njeriut në përpjekjen e tij të vazhdueshme për t’u bërë gjithnjë e më shumë i tillë. Së dyti, kërkon të jesh i lirë në kuptimin më të gjërë të fjalës. “Të lirët” e pranojnë vetminë. Ata nuk kërkojnë aprovim, nuk kërkojnë buqeta me lule, duartrokitje, njerëz pa fund që i përkrahin dhe mendojnë njësoj si ato. “Të lirët” në llojin e tyre e pranojnë, madje e shijojnë deri në kënaqesi ekstreme vetminë që vjen si pasojë e faktit se ata janë të lirë dhe ashtu në arrogacën e lirisë së tyre linçohen, zbohen, varfërohen, humbasin pseudo miq, por çuditërisht në vend që kjo t’i trembë, frikësoje, bëjë të ndihen të vetmuar e trishtuar, ata i kënaq.

“Të lirët” janë të rrezikshëm sepse nuk joshen. Nëse kënaqësia e vetme, motivimi i madh është të ndjesh se je i lirë, se ke gjithçka kur mund të mos zotërosh asgjë, se pikërisht falë lirisë tënde njerëzit ithtohen, qeshin, ndjejnë kruarje, dëshirojnë të të këpusin kokën si të gjelit, por rregullat e ligjet s’ja lejojnë, të shohin si bastard të vogël, idiot që nuk kupton rrezikun që të vjen atëherë je një individ thellësisht i rrezikshëm. Zakonisht për të bërë miq e mbyllur gojë, mjafton një ofertë e mirë pune, një shtëpi komode, një pagë apo të ardhura të mira dhe kaq. Me kaq, sot mund të blesh gjysmën e botës. Nëse duket e ekzagjeruar nuk është aspak. Kushdo shkollohet, lufton, përpiqet pafund për rehatinë personale. Kur e kupton se në një botë si e jona kjo rehati kërkon kompromise, atëhere kompromisi nuk është veçse akti i zgjuar i një njeriu racional. “I liri” si budalla që është nuk i përket kategorisë së racionalëvë moderne. Shtëpia, paga e mirë, sexi, miqt, vera e whisky, ideologjia boshe nuk e joshin më shumë sesa e josh liria që gëzon! Një individi të tillë, kur e ndjen se të pengon, s’të shijon, të djersit e sikletos, s’ke çfarë t’í bësh përveçse atë që vëllezërit Cuachi i bënë gazetarëvë të Charlie Hebdo. Këta “budallej”, stë lënë asnjë rrugë tjetër, asnjë shteg, asnjë mundësi, përveçse t’i eliminosh!

Sigurisht, personazhe si ato të Charlie Hebdo mund të gjenden vetëm në Francë, e më saktë në Paris. Sepse vetëm atje, Chabu mund të grumbullonte 30 “budallenjë” të tjerë të cilët jo vetëm bënin të njëjtën punë si ai, por së bashku ja dalin të kenë edhe lexues të patrazuar. Dhe vetëm kështu ata mund të ekzistonin, të lumtur e kënaqur në çdo sekond që dora e tyre prekte lapsin. Këta të “lirë”me siguri merrnin kënaqësi duke parë sesi një grup njerëzish jo vetëm pa sens humori, por thellësisht pa asnjë sens, irritoheshin, nxeheshin, grisnin e thyenin me ndonjë karikaturë të Charlie që ironizonte deri në dhembje, deri sa nuk mban më.

Kur të gjithë ne u turrëm për të thënë se jemi Charlie, “Je suis Charlie”, ishim mëse të bindur se nuk ishim Charlie. Së pari sepse nuk jemi mjaftueshëm trima e së dyti sepse po ashtu nuk jemi mjaftueshëm të lirë. Unë nuk njoh shumë Shqiptarë, por po aq dhe shumë Europiane (me përjashtim të Giovvani Falcone e Paolo Borsolini dhe të ngjashëm) që janë gati të rrezikojnë jetën për vlera që nuk i përkasin asnjë feje, ideologjie, nacionalizmi a komunitetit që si parakusht ka larjen e trurit, por si vlera që vijnë natyrshëm pikërisht sepse zgjedhin të jenë të lirë. Në këtë kuptim, “Je suis Charlie” ngjan më shumë si një thirrje e brendshme se një ditë do mund të jemi trima, do mund të jemi gra e burra të denjë, por kjo kërkon sakrificën e vet. “Je suis Charlie” është thirrje shprese, thirrje përkushtimi ndoshta edhe në heshtje, të fshehur që të mos prishim balanca apo qejfe dikujt, por është një rrahje zemra që na bëri më të bukur, një hap më shumë në përpjekjen tonë të mundimshme. Një gur më shumë në kalanë e dinjitetit njerëzorë e humanizit. Trimat padyshim janë budallej mbasi sot disa gazeta e revista po mundohen të na mësojnë se mbase po të mësosh të mos jesh kaq guximtarë e të publikosht çfarëdo që ndjen se duhet publikuar, atëherë do mbrosh diçka edhe më të shenjtë sesa fjala e lirë-jetën. Por ata ose nuk kuptojnë, ose janë tepër cinik për të pranuar se për gazetarët e vrarë, një jetë ku të duhet të kënaqësh një grup njerëzish pa sens humori e pa asnjë lloj farë sensi, mund të jetë një jetë që s’ja vlen shumë për t’u jetuar. Dhe me siguri, ndonjë kritik e cinik tjetër do vrapojë të na tregojë se meqe s’paskëshin dasht jetën e tyre atëherë keqardhja jonë është e tepruar. Dhe më pas po aq do nguten të na tregojë se me këtë që po thonë, në asnjë rast nuk dëshirjnë të justifikoje krimin, por thjesht po mundohet të jenë racional e arsyetojnë se kjo çështje është më e thellë nga çpo e bëjmë ne ithtarët e fjalës së lirë të duket. Epo, mos u merakosni më. Chabu s’do mund të bëjë një karikaturë për ne, për çka themi e propogandojmë. Tani që nuk vizatojnë më, do shijojmë një botë më pak provokuese e me gjasa me të paqtë!?

Mua me siguri do me mungojë sikleti qe shkakton fjala e lirë, si ai pickimi që të bën të ndihesh gjallë, që të gjallëron mendjen dhe e bën të kryejë funksionin e saj kryesorë e më pas shton jetën me një të qeshur.

Na e ka po aq qefi ta kthejmë në një diskutim banal feje e fesh. Të thuash se nuk është e qartë sa vetë drita e diellit se për çdo fe që ka një Zot, ai e merr jetën ashtu siç e jep e këto nuk janë punë njërëzish. A thua se nuk e kuptojmë se për çdo fe sikleti i fjalës së lirë mbetet e do mbetet gjithnjë evident, i pranishëm, prezent dhe shpesh i patolerueshëm. Çështja është më e thjeshtë se kaq. Zgjedhja ama është e vështirë. Do duhet të zgjedhim nëse na pëlqen një botë ku ka më shumë Charlie, por kjo është e sikletshme, apo jo? Ndaj, për ata që zgjedhin të parën, rruga është e mundimshme, dhe “Je suis Charlie” është finalizimi i rritjes në liri. Është koha të jemi trima-“Je suis Charlie”!!!

SHKARKO APP