Skandali me nafën në Patos-Marinëz
Emisioni “Të PaEkspozuarit” në Ora News transmetoi dje një investigim që hedh dritë mbi koncensionin që qeveria shqiptare i ka dhënë kompanisë Bankers Petroleum për fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës. E cila është fusha më e madhe e Shqipërisë dhe një ndër zonat më të pasura me naftë të Evropës. Sicc zbulon emisioni, historia nis në vitin 1993 kur qeveria hyri në negociata me kompaninë angleze Premier Oil dhe një vit më vonë, më 1994, u lidh marrëveshja për Patos Marinzën. Premier Oil dhe kompania jonë shtetërore Albpetrol, krijuan një kompani të përbashkët të përbashkët të quajtur: ANGLO-ALBANIAN PETROLEUM. Puna vijoi normalisht dhe në vitin 1997, kaosi që shkaktuan ngjarjet e atij viti duket se nuk e cenuan bashkëpunimin me kompaninë angleze Premier Oil. Kompania britanike Premier Oil vijoi punën normalisht deri kur, në vitin 2004, pas 10 vitesh punë ne Patos Marinzë, kjo Premier Oil vendosi papritur të tërhiqet nga Shqipëria. Premier Oil u tërhoq zyrtarisht në muajin MARS 2004, por ende pa kaluar një muaj nga tërheqja e saj, mijëra kilometra larg në Karaibe, në ishujt “Cayman”, regjistrohet një kompani e re, ajo quhet Saxon Energy International.
Larg në ishujt e Karaibeve, dikush po vepronte me shpejtësi, regjistroi kompaninë Saxon vetëm dy javë pasi anglezët e Premier Oil ishin tërhequr zyrtarisht nga Patos Marinza. Por ndonëse një kompani e regjistruar në një kontinent të largët, Saxon, dinte mirë se çfarë po luhej në Patos Marinzë dhe në dikasteret e shtetit shqiptar në Fier dhe Tiranë. Kjo kompani e re, brenda dy muajve arriti një rekord spektakolar: Në Qershor 2004, SAXON lidhi marrëveshje me Albpetrolin dhe i zuri vendin kompanisë britanike Premier Oil në fushën e pasur të Patos Marinzës. Dokumentet ekskluzive të depozituara në Qershorin e vitit 2004 nga kompania Saxon, tregojnë se nga Ishujt Kajmen në Karaibe, u autorizua shtetasi Richard Wadsëorth që të vinte në Shqipëri, të regjistronte filialin e kësaj kompanie në Tiranë dhe më pas të lidhte dhe marrëveshjet me shtetin shqiptar.
Drejtori i vjetër merr kontratën e re
Po kush është Richard Wadsworth? Cili është ky njeri që u paraqit në Tiranë me një prokurë përfaqësimi të kompanisë Saxon nga Karaibet dhe për dy muaj arriti të lidhë marrëveshje me Albpetrolin për shfrytëzimin e një prej pasurive më të çmuara të nëntokës shqiptare: Patos Marinzën? Nga CV e tij profesionale rezulton se z. Wadsëorth që prej vitit 2001 u angazhua nga kompania angleze Premier Oil për t'u bërë pjesë e ekipit të menaxherëve të projektit të Patos Marinzës. Nga viti 2001 deri në vitin 2004, zoti Wadsworth ishte Drejtori I Projektit të Patos Marinzës të dirigjuar nga Premier Oil. Që do të thotë se kontratën e re e lidhi drejtori i vjetër. Dhe arriti të lidhte këtë kontratë të re me një kompani që kishte vetëm dy muaj që ishte krijuar në Ishujt Kajmen.
Vetëm se kishte një problem. Ligji për marrëveshjet hidrokarbure ddhe koncensionet e pengonte shtetin shqiptar të lidhte marrëveshje me një kompani si Saxon, për dy arsye: Kompania duhej të ishte e specializuar dhe me eksperiencë në sektorin e hidrokarbureve, por Saxon kishte vetëm dy muaj që ishte krijuar në ishujt Kajmen. Kompania me ligj duhej të kishte buxhet të madh investues dhe duhej të paraqiste në shtetin shqiptar bilancet e 5 viteve të fundit. Rezulton se kompania Saxon me dy muaj eksperiencë, kishte arritur të siguronte deri në Qershor 2004, vetëm 2 milionë dollarë.
Kontrata e re dhe ndarja e naftës
Një vëzhgim në detaje zbulon se mes dy kontratave në të vërtetë kanë një ndryshim thelbësor.
Në kontratën e vitit 1994 me Premier Oil, Ndarja e Prodhimit të naftës ishte në raportin: 15% Albpetroli dhe 85 % Premier Oil. Në kontratën me kompaninë Saxon në vitin 2004 kompania shtetërore Albpetrol nuk merrte më 15 për qind në ndarjen e naftës bruto, raporti kishte ndryshuar në mënyrë dramatike: Albpetroli merrte vetëm 1 përqind ndërsa Saxon, ose Bankers, merrte plot 99 përqind të ndarjes së prodhimit të naftës. Ishte 15 për qind dhe u bë vetëm 1 përqind përfitimi I kompanisë Albpetrol nga ndarja e prodhimit.
Saxon behet Bankers dhe nuk paguan Tatim-Fitim
Kompania Saxon ndryshoi emrin e vetë në vitin 2006 dhe u quajt “Bankers Petroleum”. Bankers prej 10 vitesh e ndan prodhimin e naftës në raportin në raportin 1 me 99 për qind me Albpetrolin, por nga ana tjetër pasqyrat financiare të kësaj kompanie tregojnë se kjo kompani në 10 vite ka paguar ZERO Tatim Fitim. Vetëm për vitin 2013 të ardhurat e kësaj kompanie ishin mbi 540 milionë dollarë. Një kompani që për 10 vite i ka të ardhurat mbi 2 miliardë dollarë, paguan tatim-fitimi më pak se një ushqimore apo kinkaleri.
Motivet e këtij paradoksi lidhen me një dispozitë të kontratës që Bankers ka lidhur me qeverinë shqiptare, dhe me formulën e zgjedhur për mbulimin e kostove nga kompania.
Sipas kësaj dispozite, për sa kohë kompania Bankers nuk mbulon kostot e veta, atëherë shteti nuk mund t'i marrë asaj tatim-fitimi. Dhe Bankers ndonëse me të ardhura disa qindra milionë dollarëshe çdo vit, thotë se fitimet e veta I investon të gjitha tek puset e reja dhe nuk I mbetet asnjë qindarkë në xhep që më pas t'ia tatojë shteti. Bankers ka vjelur mbi 2 miliardë dollarë të ardhura që prej vitit 2004 shitja së naftës së Patos Marinzës, por kompania pretendon se gjithë fitimin e ka riinvestuar në puse. Drejtuesit e kompanisë Bankers nuk dinë të thonë me saktësi se kur do të përfundojë periudha e mbulimit të kostove, që më pas shteti shqiptar të ketë mundësi që t’i marrë asaj tatim-fitimin.
Një vendim i ministrit Ruli…
Por dokumentet zyrtare zbulojnë se kompania Bankers ishte zotuar se deri në vitin 2009 ajo do të kishte përfunduar investimin dhe mbulimin e kostove. Ministri Genc Ruli firmosi në vitin 2006 Planin e Zhvillimit të kompanisë Bankers Petroleum. Është pikërisht ky plan që caktonte dhe afatet për mënyrën se si do të kryhej investimi dhe mbulimi I kostove nga kompania Bankers.
Në vitin 2007, ministri Ruli ka nënshkruar këtë dokument(Faximile Ruli) në të cilin zbulohet se Plani I Zhvillimit të kompanisë Bankers Petroleum parashikonte që mbulimi I kostove do të përfundonte në vitin 2009. Në vitin 2009, kompania Bankers Petroleum duhej të fillonte pa kushte që të paguante tatim-fitimin. Por nuk e ka bërë as sot e kësaj dite. Të dhënat zyrtare tregojnë se qeveria e ka ndryshuar kontratën me Bankers pa pritur të vinte viti 2009. Kontrata është modifikuar për të dytën herë në vitin 2008, detajet e këtyre ndryshimeve janë mbajtur konfidenciale nga autoritetet shtetërore, por është fakt që kompania nuk ka paguar prej 10 vitesh tatim-fitimi edhe pse ishte zotuar se në vitin 2009, do niste të paguante tatim-fitimin. Në vitin 2008 kompania Bankers Petroleum modifikoi kontratën, por njëherësh bëri pjesë të Bordit të saj drejtues dhe ish-gjeneralin e NATO-s Uesli Klark. Klark kishte lidhje të mira me establishmentin politik shqiptar që prej luftës së Kosovës.
Gjatë viteve 2007- 2008 zoti Klark e vizitoi disa herë Tiranën ai u takua me qeveritarë dhe drejtues të lartë shtetërorë, ndërsa njëkohësisht z.Clark u bë pjesë e bordit drejtues të Bankers Petroleum. A ishin këto dy ngjarje të lidhura me njëra tjetrën? A ishte gjenerali Klark ai që loboi në Tiranë që Bankers të modifikonte kontratën në vitin 2008?Ndoshta do na duhet shumë kohë për të zbardhur këtë mister…;.
Tre taksat e vitit 2014…
Bankers nuk paguan TATIM-FITIMi sepse thotë se ende nuk ka mbuluar kostot. Ndërsa qeveria e re e ardhur pas 23 Qershorit, vendosi të taksonte më shumë sektorin e hidrokarbureve. Në këtë mënyrë, kompanive koncesionare ju shtuan tre taksa: Taksa e Akcizës,
Taksa e Qarkullimit, Akciza dhe Taksa e Karbonit.
Midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë Bankers, u rishikua sërish marrëveshja hidrokarbure dhe u bënë ndërhyrjet e duhura për aplikimin e këtyre tre taksave. Vetëm se kishte një problem. Kontrata fillestare e lidhur në vitin 2004, i jepte imunitet kompanisë Bankers nga aplikimi i taksave të reja. Për të kuptuar më mirë se si ishin zbatuar tre taksat e reja, ju drejtuam Agjencisë kombëtare të Burimeve Natyrore, për t’I pyetur. Kjo agjenci është dhe institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave koncensionare në energjitikë.
Përgjigja që ktheu AKBN-ja ishte surprizuese: “Ndryshimet fiskale me shtimin e taksave për akcizën, karbonin dhe qarkullimin sollen ndryshimet e vitit 2014 në kontratën me Bankers miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave. Në këto ndryshime, sanksiohet konsiderimi si “kosto hidrokarbure” (dmth që kompania këto kosto rikuperohen përsëri nëpërmjet naftës fitim) të të gjitha pagesave të bëra në kuadër të këtyre ndryshimeve fiskale”, – shkruan AKBN. Këto tre taksa, Akciza, Karboni dhe Qarkullimi, kompanisë Bankers Petroleum i rikuperohen 100 për qind. Që do të thotë se ‘de facto’ qeveria Rama nuk e ka taksuar dot kompaninë Bankers, pasi këto tre taksa, Bankersit i njihen si kosto hidrokarbure.