S’kemi nevojë për emra, por për projekte bashkiakësh
Lajme E Hënë, 19 Prill 2021 07:41
Nga Ben Andoni
Me sa duket, deri në çastet e fundit, kur duhet të dorëzohen emrat e çertifikuar prej liderëve të PS-së dhe PD-së në partitë e tyre respektive, nuk do të mësojmë emrat e kandidatëve realë për kryetarët e bashkive dhe komunave në zgjedhjet e qershorit. Dy krahët e politikës që janë përfshirë në përzgjedhjet e emrave thjesht po qesëndisin zgjedhjet e njëra-tjetrës. Skaleta e lajmeve është plot me këto ndodhi dhe fare pak me ngjarjet ekonomike, që po bëhen gjithnjë e më shumë pesimiste. Për fat, për pak orë, skalita u gjallërua me fitoren e përfaqësueses në futboll, anipse se kaloi dot qoftë edhe me disa orë, atë që lidhet me bëmat e politikës sonë dhe emrat e kandidatëve.
Të mendosh kanë mbetur kaq pak javë deri në mbajtjen e zgjedhjeve saqë tani kandidatët do të duhej të fillonin shpalosjen e ideve të tyre dhe stafet e tyre të bënin testimet e para publike për programet. Por, me sa kuptohet, zgjedhjet edhe pse do të bëhen me skemën e re të ndarjes territoriale, propozuar de jure nga Pozita dhe kinse de facto anatemuar prej Opozitës (me këtë skemë po futet në zgjedhje), nuk do të sjellin ndonjë gjë. Janë ravijëzuar emrat e parë që duhet thënë se nuk sjellin asfare pritshmëri, kur mendon syresh si ai në Durrës dhe në Elbasan me malin e problemeve që kanë sjellë në mandatet e tyre.
Vetëm se: askush s’do ketë kohë të merret me ta, pasi lista finale do të jetë në sportelin e KQZ-së vetëm në momentin e fundit, ashtu si ka ndodhur në zgjedhjet e fundit, kur sfidanti i Tiranës ishte kreu i sotëm i bashkisë dhe kreu i Opozitës; ndërsa përballë ish-kryebashkiaku dhe sot kreu i Pozitës, Edi Rama. Testimi partiak edhe pse duket demokratik po lë një shije të hidhur për formimin e shumë prej pjesëmarrësve, që sërish reflekton perceptimin politik për ndryshimet e vendit. Që do të thotë se mungojnë si kandidatë inxhinierët e mirëfilli urbanë, ekonomistët dhe menaxherët që kanë dhënë prova se mund të ndryshojnë realisht punët në terren, mu ata që kanë drejtuar njësi dhe njohin pulsimin dhe nevojat e qytetit. Shembulli më kryesor është Tirana, e cila ka përjetuar në mandatin e fundit të Ramës dhe në të vetmin mandat të Bashës rënie që mund ta dëshmojë kushdo në mirëmbajtjen e udhëve, pastrimit dhe kaosit, që shtrihet në gjithçka që nga shërbimet, parkingjet etj. Qershia mbi tortë ishte kopshti zoologjik, shkatërruar dhe degjeneruar me të njëjtin kontribut prej të dy palëve.
Shqetësimi më i madh është se energjia për shpalosjen e emrave do të vazhdojë dhe me sa duket ka të bëjë me lëvizje të sforcuar të palëve për të luftuar përballë njëra-tjetrës për interesat e tyre dhe jo qytetarëve. Zgjedhjet lokale ka gjasa të zhvillohen shumë më të politizuara se zgjedhjet qendrore dhe këtë e shikon nga angazhimi i të gjithë strukturave për t’i kanalizuar politikisht. Jo më kot, nga palët nuk është bërë një panoramë e gjërave që kanë bërë në qytetet respektive, kurse zëri i qytetarëve është fare i padëgjueshëm dhe nuk mund të shkojë as edhe në propozimin e thjesht të emrave të drejtuesve të tyre lokalë. Si në rastin e përzgjedhjes së deputetëve sot, kryetarët e Partive, edhe pse gjithçka e mbulojnë me prezantimin e bazave politike, duket se do jenë, ata që do vendosin. Për fat të keq, bazat politike janë kthyer thjesht në ankimore për vende pune të militantëve dhe asfare përcjellje të dëshirave e nevojave të qytetarëve, shërbimet e të cilëve janë gjithnjë e më të dobëta, kurse burokracia lokale në nivelet nga më të dobëtat e ekzistencës së shtetit shqiptar.
Me kaq pak kohë, në këto forume politike, do ishte mirë që kandidatët e rinj të bashkive e komunave të na shpalosnin programet dhe idetë e reja për rregullimet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Gjirokastrës, Fierit, Pogradecit etj etj., shumica e të cilave sot kanë pak mundësi ose pothuaj fare pak të ndryshojnë me atë masë të pafundme betoni, që kanë mbi kurriz. Ai që u është thyer prej servilizmit shumicës të të zgjedhurve të kryetarëve, që pothuaj si njohin fare problematikat e qytetarëve të tyre. Shembulli i Durrësit me prishjen e lagjes zejtare antike, Shkodrës, Vlorës, Gjirokastrës dhe Elbasanit të mjafton, kurse me komunat më mirë të mos merremi fare pasi kryetarët e tyre (gati pashallarë të këtyre institucioneve), kanë bërë nga dëmet më të mëdha të menaxhimit të territorit dhe të urbanistikës. E megjithatë, ka edhe pak kohë, aqsa për të shpresuar se të paktën do të na japin mundësi për parashtrimin e disa platformave transparente, edhe pse sërish publiku është shumë jashtë zgjedhjeve, përveç agresionit mediatiko-politik, që do fillojë për t’u marrë votat. Por mbase ka pak shpresë dhe kjo nga vota e shqiptarëve, që mbase do t’u tregojë realisht se në çfarë niveli është demokracia shqiptare. Ajo që do marrë çertifikatën e vërtetë me zgjedhjet e 21 qershorit 2015.
JAVA