Sot 22-vjetori i lumturimit të Nënë Terezës, Asaj që kishte ardhur për të bekuar jetën tonë dhe shenjtëruar veprën e vet

Nga Albert Vataj
Më 19 tetor 2003, Nënë Tereza u shpall e “Lumturuar” nga papa Gjon Pali II.
Ajo diti të ishte sa e thjeshtë aq dhe e mirë, sa e përkushtuar aq dhe e dashur, sa e përvuajtur aq dhe e devotshme.
Ajo ishte gjithçka që i duhej njeriut modern për të kuptuar më mirë dhe për të parë më qartë, për të ndjerë më thellë dhe për të besuar më shumë; te Zoti, të veprat e adhurimit, te e drejta për të qenë i urdhëruar nga mrekullia që sjell bërja e gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve.
Ajo hyri në zemrën njerëzve, sepse më parë u kishte bërë vend atyre në prehrin e përkujdesjes dhe dashurisë së saj.
Ajo besoi te mëshira, bujaria dhe dashuria, sepse në themelt të veprës së kësaj bamirëseje qëndron kjo trini. Sepse gjithçka që duhet për të ndryshuar jetën e të sëmurëve, të braktisurve, të përvuajturve, të nëpërkëmburve, të rrënuarve, ishte t’i gjendesh pranë. Ata ishin dhe janë kaq shumë dhe kanë nevojë kaq pak… dashuri, përkujdesje, besim.
Gjithçka që besojmë se vjen nga qielli, ishin këto duar përkushtuese që e bëjnë vepër, ishte ky vullnet që e kumton lumturimin e një vepre të lartësuar në bekim. Ishin këto forca transformuese, që duke mëkuar; në zemra që gëzohen, në sy që shkëlqejnë, në mirënjohje që jepet me përulje, u bënë udha dhe e vërteta, e sotmja dhe e ardhmja, bekimi i hyjshëm i jetës në vepër.

Ceremonia e shenjtë e lumturimit të Nënë Terezës u mbajt në maj të vitit 2011, në Bazilikën madhështore të Shën Pjetrit në Vatikan, nën praninë e rreth gjysmë milioni besimtarësh nga e gjithë bota. Në atë ditë të mbushur me dritë e emocion, shumë shqiptarë, nga trojet dhe diaspora, u bashkuan në lutje për të nderuar bijën e tyre të pavdekshme, që u bë simbol i dashurisë universale.
Nënë Tereza – emri me të cilin e njohu bota Anjezë Gonxhe Bojaxhiun, lindur në Shkup më 1910 – u bë për njerëzimin një figurë e jashtëzakonshme e dhembshurisë dhe përulësisë. Ajo mishëroi më së miri mësimin e Krishtit për dashurinë pa kushte, duke u vënë në shërbim të “më të varfërve ndër të varfër”, atyre që bota i kishte harruar. E udhëhequr nga një ndjenjë hyjnore shërbimi, ajo themeloi më 1951 Urdhrin “Misionaret e Dashurisë”, që do të shndërrohej në një prej institucioneve më të gjera bamirëse në glob.
Për këtë jetë përkushtimi dhe përulësie, në vitin 1979 ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, duke bërë që bota të mësonte me krenari për kombësinë e saj shqiptare. Në fjalën e pranimit të çmimit, ajo nuk foli për veten, por për misionin, duke kujtuar se “pa dashuri, njerëzimi është i humbur.”

Në mesin e viteve ’80, aktiviteti i saj përmblidhej në shifra që flasin vetë për madhështinë e shërbesës: kujdestaria e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekimi i afro një milioni të sëmurëve në 213 dispanseri, trajtimi i 47 mijë të prekurve nga lebra në 54 klinika, përkujdesja për 3400 të moshuar të braktisur, dhe birësimi i mbi 160 fëmijëve jetimë e të lindur jashtë martese.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta, vetëm në 16 gusht 1989 ajo mundi të vizitonte për herë të parë Shqipërinë, atdheun e gjakut dhe shpirtit, të cilin e mbante gjithmonë me vete në lutjet dhe kujtimet e fëmijërisë. Ajo e quajti këtë vizitë “një prekje e bekimit të Zotit mbi tokën nga e cila jam.”
Në një tjetër ditë të paharruar, më 4 shtator 2016, Papa Françesku e shpalli atë Shenjtore të Kishës Katolike, me emrin Shën Tereza e Kalkutës, në një ceremoni madhështore në Vatikan. Me atë akt, përulësia e saj u ngrit në altarin e pavdekësisë, duke u bërë një dritë udhëheqëse për njerëzimin – një kujtesë se dashuria, kur jepet me zemër të pastër, bëhet shenjtëri.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?