Sot do të ndryshojë bota

 

Franco Venturini.

Sot bota do të ndryshojë, sido që të shkojnë negociatat në Lozanë. Në rast marrëveshjeje, do të fitojë Obama: Irani do të bëhet një ndërmjetës i pranuar nga Perëndimi. Në rast dështimi, Teherani mund të vrapojë drejt bërthamores pa kontrolle.

Sido që të shkojë mundja e dorës bërthamore mes Iranit dhe fuqive të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermaninë, mesnatën e sotme bota do të ndryshojë.

Nëse në Lozanë do të arrihet një marrëveshje, Obama do ta fitojë sfidën e tij, kjo nuk do ta bëjë Iranin mik të Perëndimit, por një ndërmjetës të gjithëpranuar, kështu që pjesëmarrja iraniane në luftën kundër ISIS-it mund të jetë më e lehtë dhe dinamikat e Lindjes së Mesme do të kenë parasysh një konsolidim të shiitëve pikërisht teksa në Jemen ka shpërthyer lufta me sunitët.

Ndërsa, nëse pengesat e fundit do ta ndalojnë marrëveshjen, do të fitojë Netanjahu, i cili ka dalë kundër marrëveshjes me shumë energji, Obama do të dobësohet më shumë se kurrë dhe do të shpërfillet nga Kongresi dhe do të tundohet që t’i luajë kartat e tij të fundit ndërkombëtare në Europë kundër Putinit, do të rritet roli i Arabisë Saudite dhe në botën shiite që përfshin edhe pjesë të Irakut, të Sirisë dhe të Libanit, do të marrin dhenë grupet më radikale.

Të pyesim se cili është skenari më i preferueshëm nuk është vetëm legjitime por edhe e domosdoshme. Duhet të kthehemi në pikënisjen, e cila sot duket tepër larg, por që i bënte të gjithë të binin dhe të bien dakord: Irani mund ta shfrytëzojë energjinë bërthamore civile, por nuk duhet të ketë bombë bërthamore. Sepse, nëse do ta bënte një gjë të tillë, do të shkaktonte një përhapje bërthamore pa fre në një zonë thelbësore për botën. Sepse siguria e shtetit të Izraelit është një nevojë e padiskutueshme dhe kujtimi i kërcënimeve të Ahmadinexhadit është ende i gjallë. Sepse Teherani është shfaqur vazhdimisht i pabesueshëm vitet e kaluara.

Nga këto bindje lindën sanksionet dhe nga sanksionet, si dhe nga ardhja në pushtet e të moderuarit Rohani, lindi negociata. Për t’i kuptuar vështirësitë është e mjaftueshme të kujtojmë qëllimet kryesore të dy palëve: amerikanët me shokë (përfshi Rusinë dhe Kinën) duan garancinë teknike se do të kenë të paktën një vit kohë përpara se Irani, në rast se do t’i shkelë paktet, të jetë në gjendje të prodhojë armën atomike; iranianët kërkojnë në këmbim që të gjitha sanksionet ekonomike dhe teknologjike të hiqen menjëherë.

Përreth këtyre dy kërkesave minimale çështja ka vazhduar të zhvillohet me mjaft probleme. Marrëveshja, sipas Uashingtonit, duhet të vlejë dhjetë vjet. Franca thotë njëzetë. Irani thotë jo më shumë se pesë.

Për të garantuar vitin e kufirit, centrifugat që pasurojnë uraniumin duhet të ulen në 6500 nga 20 000 aktualet, por edhe ndërtimi i më të rejave duhet të ndalohet dhe t’u nënshtrohet kontrolleve të rrepta. As që bëhet fjalë, përgjigjet Teherani, është çështje sovraniteti.

Sa për sanksionet, sipas tezës amerikane mund të hiqen menjëherë disa, por për ato që ka vendosur OKB-ja duhet një marshim progresiv i kryer nëpërmjet verifikimesh. Dhe më pas lipset qartësi se çfarë mund të lejohet dhe të mos lejohet në Fordo ku centrifugat punojnë të mbrojtura nga një mal shkëmbor, duhet saktësuar se sa uranium iranian do të shkojë në Rusi në mënyrë që të bëhet i pacenueshëm, duhet rënë dakord për qindra qasje të diskutueshme përpara se teknikët, në rastin më të mirë, ta përfundojnë veprën brenda qershorit. Nuk është për t’u habitur që ministri i Jashtëm rus u largua dy ditë më parë nga Lozana duke thënë se nuk paguhet për të qenë optimist, por edhe se është i gatshëm të rikthehet në tryezën e bisedimeve në rast se do të ketë progrese.

Një goxha shembull brinkmanship-i që është ironike në këtë rast, duke qenë se taktikën e “vajtjes deri në buzën e humnerës” e ka pagëzuar Sekretari amerikan i Shtetit, John Foster Dulles dhe ambasadori i tij, Adlai Stevenson, në mes të Luftës së Ftohtë.

Dy ditë më parë Shtëpia e Bardhë shfaqte optimizëm. Por sigurisht Obama nuk mund ta harrojë se çfarë është në valle. Nuk mund ta harrojë Kongresin, nuk mund ta harrojë valën nazi-cionaliste iraniane që i vendos shkopinj nëpër rrota Rohanit, nuk mund të harrojë mëritë saudite dhe mbi të gjitha nuk mund të harrojë betejën kundër marrëveshjes që luftoi kryeministri izraelit, Netanjahu.

Besojmë, si shumë të tjerë, se Netanjahu do t’i kishte mbrojtur më mirë argumentet e tij nëse do të kishte marrë pjesë në negociata si kritik i jashtëm, në vend që t’i nxirrte gjoksin vetë idesë së ballafaqimit konstruktiv me Teheranin. E megjithatë, arsyet e tij meritojnë të vlerësohen dhe të kihen parasysh, si sot ashtu edhe nesër, dhe pavarësisht formave të zgjedhura për t’i shprehur.

Ka vende që janë në gjendje t’i bëjnë ballë një sulmi bërthamor të papritur. Izraeli nuk është midis tyre, për nga përbërja gjeografike dhe popullsia. Nuk është diçka e vogël, nëse biem dakord se siguria e Izraelit është një vlerë e pamohueshme për ne. Por cila do të ishte alternativa ndaj një marrëveshjeje?

Një Iran gjithnjë e më i varfër dhe i ndrydhur që vrapon drejt bërthamores, pa kontrolle, pa inspektime, me Rohanin e mposhtur nga super-radikalët të kthyer në timon. Dhe nëse përgjigjja izraelite do të ishte bombardimi i impianteve të saj, qeveria e Jerusalemit mundet ta marrë vërtet këtë vendim çdo dy apo tre vjet përballë rinisjes së sigurt të programeve bërthamore iraniane?

Apo nëpër bombardime do të marrin pjesë edhe amerikanët e udhëhequr nga presidenti i ri? Është e vështirë ta dimë se si do të ndryshojë bota, por sot do të ndryshojë./ Corriere della Sera

SHKARKO APP