Sot miratohet bonusi i strehimit të familjeve të pastreha në nevojë

Në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak, veç buxhetit afatmesëm 2017-2019 dhe Planit të Përgjithshëm Vendor, është shtuar në rend dite për miratim edhe projektvendimi për trajtimin me bonus qiraje të familjeve të pastreha në nevojë. Sipas këtij vendimi, janë 156 familje që do të trajtohen me bonus strehimi, emrat e të cilave si dhe pagesën mujore që do përfitojnë e keni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Vlera minimale e qirasë që do përfitojnë familjet është 5.400 lekë, ndërsa ajo maksimale kap vlerën e 25.000 lekëve në muaj. Për këto familje, bashkia do mbulojë shpenzimet e qirasë për 12 muaj, me një efekt financiar prej 19.4 milionë lekësh.

FAMILJET PËRFITUESE
Në raportin e Bashkisë së Tiranës sqarohet se numri i familjeve që kanë aplikuar për subvencionim të qerasë mujore është 240. Por prej tyre janë vetëm 156 familje të cilave bashkia do u mbulojë një pjesë të qerasë mujore, ndërsa 39 do kenë subvencionim 100% të qirasë. Në relacion, sqarohet se aplikantët të cilët nuk janë zgjedhur nga komisioni i strehimit, janë kryesisht aplikantë që kanë pasur mungesë në dokumentacion. Edhe pse iu është kërkuar nga ana e Drejtorisë së Strehimit Social plotësimi i dokumentacionit, 84 aplikantë kanë rezultuar me mungesa. Nga 156 familje që do të marrin bonus strehimi për vitin 2017, 22 prej atyre që do të përfitojnë janë familje që jetojnë në ambientet e shkollës “Hoteleri Turizëm”.

Për këto familje bashkia ka parashikuar një subvencionim të qerasë mujore për një vit në masën 100%. Sipas relacionit të bashkisë, i cili sot do të shqyrtohet në këshill bashkiak, rezulton se 16 prej familjeve që do të përfitojnë bonus strehimi janë familje me probleme sociale, ku përfshihen viktima të dhunës, nëna kryefamiljare me fëmijë jetimë, tetraplegjikë, fëmijë autikë, familje në situatë rruge etj. Pesë prej familjeve që përfitojnë janë nga ato familje që janë larguar nga Universiteti Bujqësor, tre familje që përfitojnë bonus strehimi 100% janë familje që kanë liruar banesat pasi janë banesa të ish-pronarëve. Po ashtu, janë edhe disa familje që jetojnë te Bregu i Lumit dhe një që jeton në zonën e Sharrës që do të përfitojnë subvencionim të qerasë mujore nga Bashkia e Tiranës për 12 muajt në vijim. Efektet financiare për 156 familje të cilat rezultojnë me dokumentacion të plotë, do të përballohen nga fondi për “Bonuset e Strehimit”, të parashikuar në buxhetin e bashkisë në shumën 1.620.760 lekë në muaj ose 19.4 milionë lekë për një vit.
/GSh

SHKARKO APP