Sot në orën 18:00 mbahet protesta e katërt kombëtare e opozitës
Pas ndryshimeve të bujshme në kabinetin qeveritar, opozita shqiptare do të zbresë sërish në rrugë këtë të shtunë, në orën 18:00.
Gjatë mbledhjeve të fundit të zhvilluara të premten, strukturat e Partisë Demokratike kanë përcaktuar formën e organizimit të kësaj proteste. Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka paralajmëruar një qasje të re dhe “kreative” të aksionit opozitar.
“Ne tani kalojmë në forma të ndryshme protestash, i diversifikojmë. Do të eksplorohen forma të reja,” deklaroi Berisha, duke premtuar një pjesëmarrje masive në këtë tubim.
Bilanci i ndryshimeve në qeveri Protesta mbahet vetëm tre ditë pasi Kryeministri Edi Rama njoftoi rrokadën në ekzekutiv, e cila preku gjithsej gjashtë poste qeveritare, përfshirë largimin e zëvendëskryeministres Balluku dhe dy ministrave të tjerë. Për opozitën, kjo “shkrirje” e kabinetit nuk mjafton.
Kërkesat e pandryshuara Kjo shënon protestën e katërt të opozitës për këtë vit. Pavarësisht lëvizjeve në qeveri, kërkesat kryesore mbeten të palëkundura:
Dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama.
Krijimi i një qeverie teknike.
Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërkohë që qyteti po përgatitet për tubimin e pasdites, forcat e policisë kanë marrë masat për mbarëvajtjen e rendit dhe rregullimin e trafikut në akset kryesore të kryeqytetit.
KOHA JONË SONDAZH

