Sot provimi i Gjuhës së huaj, Policia e Shtetit merr masa

Mbi 36 mijë maturantë po i nënshtrohen sot provimit të gjuhës së huaj. Testimi do të jetë me më shumë pyetje e rrjedhimisht me më shumë pikë. Pjesa më e madhe e tyre do të jenë me alternativa, korrigjimi i të cilave do të bëhet në mënyrë elektronike. Për këtë, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka ardhur në ndihmë me një fletë-udhëzues për përgjigjet, që shpresojmë të mos i konfondojë më shumë maturantët në këtë periudhë, jo pak stresuese për ta. Provimi do të nisë në 8 e 30, por maturantët duhet të kenë parasysh paraqitjen së paku gjysmë ore përpara për t’iu nënshtruar apelit dhe kontrolleve për pajisje elektronike.

Një mjet identifikimi, stilolaps dhe një shishe me ujë janë të vetmet gjëra që lejohen në ambientet e provimit, që zgjat 2 orë e 30 minuta. Largësia mes maturantëve do të jetë një metër në klasën me mesatarisht 15 nxënës. Ekspertët e MAS janë kujdesur edhe më herët që administratorët e provimeve të mos jenë mësuesit e shkollës. Ndëkrohë, Policia e Shtetit njofton se ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e provimit.

Në zbatim të urdhërit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

Ditën e djeshme u bë shoqërimi i materialeve të provimit në 10 linja apo destinacione të ndryshme në të gjithë vendin, ku Policia e Shtetit kishte angazhuar rreth 20 punonjës police dhe 10 automjete të policisë. Gjatë natës deri sot në orën 08:00 ambientet e DAR/ZA në rrethe u siguruan nga Policia e Shtetit, ku u angazhuan 40 punonjës policie.

Në rreth 206 shkolla në të gjithë vendin do të zhvillohet provimi i parë i Maturës Shtetërore 2019. Për sigurimin e mbarëvajtjes së provimeve, Policia e Shtetit ka planifikuar me shërbim rreth 560 punonjës police dhe 45 automjete policie.

Pas përfundimit të provimit përsëri punonjësit e Policisë do të kryejnë shoqërimin e materialeve të provimit në destincaionin përkatës.

SHKARKO APP