Sot u hap për kalim rruga Qukës-Qafë-Plloçë, Berisha akuza për vjedhje: Zgjati 16 vite, rritje e ndjeshme e kostos
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka një qëndrim lidhur me përfundimin e rrugës Qukës-Qafë-Plloçë, një aks prej 43 kilometrash, ndërtimi i të cilit sipas tij zgjati 16 vite. Berisha akuzoi qeverinë se projekti, i nisur në vitin 2009 dhe i parashikuar të përfundonte në vitin 2014 me një kosto prej 73 milionë euro, është shoqëruar me vonesa të gjata dhe rritje të ndjeshme të shpenzimeve, duke arritur sipas tij, mbi 260 milionë euro. Ai e konsideroi këtë proces si shembull tipik të abuzimit dhe korrupsionit me fondet publike. ”Kjo rrugë, ndërtimi i të cilës zgjati 16 vite si asnjë rrugë tjetër, është gjithashtu vepra publike në të cilën u vodhën rreth 180 milionë euro”, u shpreh Berisha në një postim në rrjetet sociale.
Shkrimi i plotë
Të dashur miq, sot me dajre dhe gajde u inaugurua 16 vite pas inaugurimit të fillimit të punimeve rruga prej 43 km Qukës-Qafë-Ploçë. Kjo rrugë, ndërtimi i të cilës zgjati 16 vite si asnjë rrugë tjetër, është gjithashtu vepra publike në të cilën u vodhën në rreth 180 milionë euro. Rruga ndjek deri diku në trajektoren e saj gjurmën e rrugës së lashtë “Egnatia” dhe shkurton distancën Korçë-Tiranë dhe urbanizon krahinën e Mokrës. Ndërtimi i saj filloi më 26 qershor të vitit 2009.
Ajo u prokurua për shumën 73 milionë euro, financim i Bankës “Islamike” për ndërtimin e saj në të gjithë gjatësinë, përfshirë tunelin në Qafë-Ploçë dhe përfundimin e saj brenda vitit 2014. Pas fillimit të punimeve dhe përfundimit të 12 km të para dhe pas zgjedhjeve të 2013, Edi Rama kërkoi bankës të anulonte financimin e projektit, mbasi sipas tij nuk nevojitej dhe fondin ta përdorte për qëllime të tjera.
Banka “Islamike”, e cila kishte shqyrtuar projektin dhe miratuar atë dhe supervizorin e tij, iu përgjigj se qeveria shqiptare mund të anulojë kredinë, kurse banka nuk mund ta ndryshojë destinacionin e saj për qëllime të tjera. Pas kësaj, Ramaduro ndryshoi projektin dhe nisi seriali “vidh e vidh nuk ka të sosur”.
Me projektin e Ramaduros, si kurrë ndonjëherë, segmentet e rrugës dy vitet e fundit nuk bashkoheshin njëri me tjetrin në dy raste, sepse nuk ndiqnin të njëjtën trajektore. Kështu, çmimi për ndërtimin e rrugës nga 73 milionë euro për 43 km përfundoi në mbi katërfishim, apo në 260 milionë euro.
Por po të kemi parasysh mbi trefishimin e kohës së ndërtimit, çmimi real i saj në raport me kthimin e investimit shkon më së paku edhe tre herë më i lartë. Në inaugurim, Lubia e ekzaltuar këndonte nënse: “Bjeri gajdes gajdexhi, gajdexhi të lumtë goja se ne mbushëm xhepat tona.
KOHA JONË SONDAZH

