
Hakerët kanë vjedhur më shumë se 62 milionë faqe dokumentesh të qeverisë bullgare gjatë një operacioni spiunazhi kibernetik që zgjati pesë vjet. Autoritetet thonë se e kanë ndërprerë atë. Lajmin e bëri të ditur të mërkurën Ministria e Inovacionit dhe Transformimit Dixhital e Bullgarisë.
Sipas saj, sulmuesit kanë pasur akses të paautorizuar në rrjetet qeveritare që nga viti 2021. Ata mblodhën informacione të ndjeshme për operacionet shtetërore. Ky është një rast i rëndë i spiunazhit kibernetik në Bullgari, që preku infrastrukturën qeveritare për një periudhë të gjatë.
Ministri Ivan Vasilev deklaroi se hakerat kanë shkarkuar të paktën 130 gigabajt dokumente, sasi që i përgjigjet më shumë se 62 milionë faqeve. Sipas ministrisë, hetimet e deritanishme nuk kanë gjetur prova se të dhënat personale të qytetarëve janë kompromentuar. Operacioni u zbulua në gusht, kur një sistem i ri kombëtar i monitorimit të sigurisë kibernetike identifikoi aktivitet të dyshimtë në të gjitha rrjetet qeveritare.
Ministria e Inovacionit dhe Transformimit Dixhital njofton se pas zbulimit autoritetet krijuan një task forcë të përbashkët me agjencitë e sigurisë dhe inteligjencës, ministritë e mbrojtjes dhe të brendshme, policinë dhe ekspertë të sigurisë kibernetike, me qëllim që të përmbahej shkelja.
Sistemet e prekura u izoluan më pas dhe qasja e sulmuesve në infrastrukturën qeveritare u bllokua. Autoritetet kanë ndërprerë të gjitha lidhjet e paautorizuara të identifikuara deri tani, duke parandaluar aksesin e mëtejshëm përmes sistemeve të kompromentuara. Infrastruktura e prekur do të mbetet nën monitorim të përforcuar për 90 ditë, për të zbuluar çdo përpjekje të sulmuesve për të rifituar aksesin, bëri të ditur ministria. Rasti i spiunazhit kibernetik në Bullgari ngre shqetësime për sigurinë kibernetike të rrjetet qeveritare.
