Sportivitet dhe spontanitet, apo shtet?

Nga Sadik Bejko

Një nga ikonat e mëdha të artit muzikor të shekullit të njëzet, njëherësh një nga ikonat e së majtës në Greqinë fqinjë, kompozitori i shquar Miqis Teodoraqis, kur ndaj presidentit Grek nisi një fushatë e pistë e mediave, tha: duhet ta lajnë gojë tri herë me ujë e me sapun ata që fyejnë presidentin dhe kryepeshkopin e Greqisë. Shtoj se presidenti i atëhershëm, Stefanopullos, ishte politikisht i djathtë, shtoj dhe që Tedoraqis si ish-partizan dhe komunist nuk ishte fetar. Ai u ngrit në mbrojtje të institucioneve tradicionale të shtetit të tij, të shtetit grek, të Pressidentit dhe të Kryepeshkopit, jo në emër të anësive fetare apo ideologjike. Jo në emër të ndonjë shteti fetar a partiak.

I thashë këto se tek ne duhet të ketë ndonjë difekt kushtetues a shtetformues, kur nuk po e pranojmë një president që opozita dhe partneri kryesor në qeverisje i partisë në pushtet atë e ka pranuar dhe e ka votuar. Më ka tronditur vërtet qëndrimi partizan e ndonjëherë cinik ndaj presidentit aktual. Më ka tronditur se kjo punë nuk vazhdon me javë, me muaj, po me vite. Ai, që është realisht përfaqësuesi ndërkombëtar e kushtetues i këtij vendi, nga mazhoranca qeverisëse nuk pranohet, mohohet, poshtërohet. Dhe kjo, e përsërit, është bërë rrugë tash dy vjet. Kjo domethënë të mos ta respektojmë kreun e shtetit. Të mos ta respektojmë kushtetutshmërinë e institucionit, e ligjit që të jep statusin e qytetarit të parë, e të qenit numri një në këtë shtet.

 Të jemi të qartë: këtu nuk dua të flas për emrin e presidentit aktual, as për ta marrë në mbrojtje presidentin Nishani në vazhdën e pambaruar të sulmeve ndaj tij. Presidenti Nishani i ka njerëzit e aftë përreth tij, i ka dhe të gjitha mburojat kushtetuese e ligjore për t’u përballur me këdo qoftë si predident edhe personalisht si njeri. Pra, unë nuk dua të merrem fare me zotin Nishani. Mua më intereson statusi i presidentit të vendit tim. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë: shumë njerëz fyhen në këtë vend kur sulmohet me gjuhë rruge presidenti, përfaqësuesi numur një i vendit. Fyhen shumë qytetarë nga ata që janë në opozitë, dhe nga ata që nuk votojnë fare, dhe nga ata që prej vitesh janë emigrantë dhe që politikisht qëndrojnë mbi partitë. Këta që nuk e gjejnë veten të identifikuar me cilëndo nga partitë a qeveritë tona që janë qeveri partizane, janë haptas qeveri të militantëve a të klientëve të tyre, kërkojnë dikë që me kushtetutë i përfaqëson që të gjithë. I përfaqëson jashtë vathave a ngjyrave partiake. Dhe ky është institucioni i Presidentit të republikës.

 Ata që bëjnë fushata të pista ndaj institucionit të presidentit, qofshin kryeministër, ministër i jashtëm, deputetë a gazetarë, a çfarëdo tjetër qofshin, zvogëlohen e meskinizohen si figura publike. Struken në anarshinë kushtetuese a nën pushtetin e bandës së tyre partiake. Kjo mbrapshti u ka ndodhur pak a shumë disa prej presidentëve tanë: Mejdanit, Moisiut, Topit, Nishanit. Kur këta delnin nga rregulloret prej gazerme ushtarake të partive të tyre, kryqëzoheshin mizorisht nga mediat pranë qeverisë e partisë në pushtet.

Ata që sot në emër të ekstremizmit politik, sulmojnë institucionin e Presidentit, e kanë në dorë që ta ndërrojnë këtë president. Por, kur i kanë votat, pse nuk e bëjnë? Ata e dinë përsenë. Ata e dinë se u janë dhënë votat që të mos i bëjnë yzmet ekstremizmit politik në pushtet, por që të respektojnë kushtetutshmërinë e shtetit. Ata e dinë shumë mirë këtë. Dhe, në rast se ata fare lehtësisht, vetëm në një seancë parlamentare nuk e shkarkojnë këtë president, kjo do me thënë që nuk u leverdis politikisht. Nëse është kështu, duhet ta qepin gojën. Ose le ta lajnë me ujë e me furçë sa herë të flasin për një nga ikonat e shtetit shqiptar, për një figurë që është në themelet kushtetuese të shtetit. Është pafuqi, kur ngre furtuna sulmesh për dikë që mund ta rrëzosh me frymë, me gishtin e vogël të dorës. Pafuqia jote është forca e atij. Një forcë që nuk të lejoi që të mos e pranoje në opozitë, nuk të lë ta rrëzosh dhe tani. Kjo në parametra afatgjataë është forca e ligjit që kufizon pushtetet në funksion të shtetit. Ti që ke marrë më shumë vota, do me thënë më shumë përgjegjësi. Përgjegjësinë që të respektosh dhe atë më pak të fuqishmin sesa ti.

Edhe ministri i jashtëm duhet ta kopsitë gjuhën, ta kopsitë bukur kostumin dhe klasin e diplomatit të racës kur flet publikisht, jo të mbathë çizmet a bluzat me posterat pink të një çunaku të partisë. Nga gjithë ministrat e cilësdo qeverie në këtë vend, ministri i jashtëm duhet të ketë kostumin sa më pak partiak, me sa më pak ngjyra të sojit të vet ideologjik. Ky Ministër, kur shkon në takime ndërkombëtare, është ministri i Shqipërisë, pra, më përfaqëson edhe mua, edhe diasporën, shkurt, edhe të gjithë ata që nuk janë të partisë së tij. Ky status i jep një gjuhë më të ftohtë dhe më të sofistikuar, më diplomatike Ministrit. Ai duhet të jetë në nivelin e fismë e të ngulitur përjetshëm, që atëherë kur bota ka filluar të ketë diplomaci dhe shtet, të ketë staturën profesionale të diplomatit më të lartë të shtetit, jo të çunakut të partisë.

Në se ministri i jashtëm nuk e mban dot mëndafshin e gjuhës dhe vijën e hollë të frakut të diplomatit, le të bëhet ministër i burgjeve dhe aty ka ç'mëson nga slangu, nga zhargoni i burgjeve dhe i të folurit të burgaxhinjve tanë ndërkombëtarisht me shumë nam.

Në mbyllje, pa shkuar gjatë, unë i them kësaj maxhorance, që të mos bjerë në gabimet e pasardhësit të tyre në pushtet. Ai, kur i zgjidhte presidentët, i quante burrat me të shquar që ka pjellë ky vend, dhe, më pas, kur nuk i vinin pas oreksit, i quante… çuna të bulevardit. Kjo maxhorancë votat i ka marrë të qeverisë si shtet, me respektimin e institucioneve, jo me spontanitet e sportivitet partiak, që në fakt, është shfaqje e ekstremizmit politik. 

SHKARKO APP