Sekretarja 105-vjeçare e Gëbelsit: Si mund të jetosh pa ndërgjegjie

“Rrallë e shihnim mëngjeseve”, thotë Brunhilde Pomsel, me sytë e mbyllura dhe me dorën në mjekër, duke kujtuar ish-shefin e saj. “Ai dilte nga pallati në afërsi të portës së Brandenburgut, në ndërtesën ku ishte instaluar ministria e tij e stërmadhe e propagandës. Ngjiste shkallët si të ishte një dukë, përmes librarisë drejt e në zyrën e tij të bukur”. Ajo buzëqesh ndërsa risjell në mendje imazhin, duke vënë në dukje sesa elegante ishin mobiljet. Pomsel jep në këtë mënyrë, ndër intervistat e para të thelluara dhe të fundit në jetën e saj: në moshën 105-vjeçare, pasi ka humbur shikimin, ajo thotë se ndjehet e lehtësuar që ditët e saj janë të numëruara.

“Në këtë pak kohë që më ka mbetur, e unë shpresoj të jenë muaj e jo vite, kapem pas shpresës që bota të mos kthehet përmbys si ndodhi atëherë, edhe pse tani ka zhvillime të mëdha, apo jo? Jam e lehtësuar që nuk kam pasur kurrë fëmijë, kështu që nuk më duhet të shqetësohem për ta”. Po cila është arsyeja për thyerjen e heshtjes nga një personazh, që me gjasa është e mbijetuara e fundit nga rrethi i ngushtë i lidershipit nazist.

“Absolutisht jo për të pastruar ndërgjegjen”, thotë ajo. Edhe pse pranon se ishte në zemër të makinerisë naziste të propagandës, me detyra që përfshinin përpilimin e statistikave për ushtarët e rënë, ashtu si dhe ekzagjerimin e numrit të përdhunimeve të grave gjermane nga Ushtria e Kuqe, ajo e përshkruan atë, në mënyrë të çuditshme “si një punë”. “Një jetë gjermane”, e hartuar nga rreth 30 orë biseda me të, së fundi doli në festivalin e filmit në Mynih. Kjo është arsyeja përse gruaja pranon të përgjigjet në një intervistë. “Eshtë e rëndësishme për mua, kur shoh filmin, të njoh atë imazh si në pasqyrë për të kuptuar çdo gjë që kam bërë gabim”, thotë ajo.

“Por, vërtet, nuk kam bërë asgjë tjetër përveçse kam shtypur në zyrën e Gëbelsit”. Shpesh, deklarata të tilla në fund të jetës janë të mbushura me një ndjesi faji. Mirëpo Pomsel është e papenduar. Ndërsa bën gjeste të shpeshta, e me një ngërdheshje të madhe në fytyrë, ajo duket se nuk ka asnjë dyshim se ka vepruar në të njëjtën mënyrë si gjithë gjermanët e tjerë. “Këta njerëz thonë tani se ata do të ishin ngritur kundër nazistëve – unë besoj se ata janë të sinqertë kur deklarojnë kështu, por më besoni, pjesa më e madhe e tyre nuk do ta kishin bërë”. Pas ngjitjes së partisë naziste në pushtet, “i gjithë vendi ishte si nën magji”, këmbëngul ajo “unë mund të pranoj kritikat se nuk kam qenë e interesuar në politikë, por e vërteta është se idealizimi i rinisë mund të bënte që të thyeje qafën”. Ajo kujton raste kur i ishin besuar dosje të aktivistëve anti-nazistë, disa prej të cilëve si p.sh studentja Sophie Scholl, u ekzekutuan për propagandë kundër pushtetit. Pomsel e përshkruan veten si produkt të disiplinës prusiane. Ajo ishte 31 vjeç dhe punonte për transmetuesin shtetëror si një sekretare e mirëpaguar, punë të cilën e siguroi vetëm pasi u anëtarësua në partinë Naziste. Dikush e rekomandoi atë në vitin 1942 për ta transferuar në ministrinë e Propagandës.

“Vetëm një sëmundje infektive mund të më kishte penguar”, tregon ajo. “Ishte një çmim pasi isha radhitësja më e shpejtë në stacionin e radios”. Ajo kujton pagën që merrte, e përjashtuar edhe nga taksat, prej 275 markash – një thesar i vogël krahasuar me atë që merrnin pjesa më e madhe e miqve të saj. “E di që askush nuk më beson tani – të gjithë mendojnë se ne dinim gjithçka. Ne nuk dinim asgjë, gjithçka mbahej sekret”. Ajo refuzon të pranojë se ishte naive që mund të besonte se hebrenjtë që ishin “zhdukur”- përfshirë shoqen e saj Eva – ishin dërguar në fshatra në territore që duheshin ripopulluar. “Ne e besuam këtë, e përtypëm – dukej e pranueshme”, thotë ajo.

Detajet që Pomsel zgjedh për t’u fokusuar mund të reflektojnë mënyrën sesi ajo ka zgjedhur të rrëfejë historinë e saj që të ndjehet më rehat me të. Por është e paimagjinueshme që një përzierje e injorancës dhe padijenisë, sikundër dhe mbrojtja që kishte në kompleksin e madh të zyrave të qeverisë, ta kishte shkëputur atë tërësisht nga realiteti. Ishte një ditë pas datëlindjes së Hitlerit në vitin 1945 kur jeta e saj ashtu si ajo e kishte jetuar deri në atë kohë, ndyshoi krejtësisht. Gëbelsi dhe enturazhi i tij u urdhëruan të bashkohen me Hitlerin në strehimin nëntokësor, të ashtuquajturin Führerbunker – gjatë ditëve të fundit të luftës. Duke diskutuar strategjinë e saj përpara arrestimit të pashmangshëm, Pomsel u tha kolegeve se ajo do të tregonte të vërtetën. “Që unë kisha punuar si radhitësve e afërt në ministrinë e Propagandës së Jozef Gëbelsit”. Ajo u dënua me pesë vjet burg në disa kampe ruse në dhe rreth Berlinit. “Nuk ishte det me lule”, thotë ajo për atë kohë. Ishte vetëm kur u kthye në shtëpi që ajo u ndërgjegjësua, siç thotë për Holokaustin të cilit i referohet si “çështja e hebrenjve”.

Shpejt rinisi jetën jo edhe aq të pangjashme me atë që kishte pasur, kur gjeti punë sekretarie në transmetuesin kombëtar, sërish, e duke ngjitur shkallët e karrierës për t’u bërë sekretare ekzekutive e drejtorit të programacionit e duke shijuar një jetë të privilegjuar me punë të paguar mirë dhe udhëtime përpara se të dilte në pension, në moshën 60-vjeçare, në vitin 1971. Por, iu deshën gjashtë dekada pas luftës përpara se ajo të hetonte për shoqen e saj të shkollës, hebrejen Eva. Kur u zbulua memoriali i Holokaustit në vitin 2005, ajo udhëtoi atje nga Mynihu. “Kërkova të dhëna për Eva Löwenthal.” Një burrë pa regjistrat dhe shpejt e gjeti shoqen e saj, e cila ishte deportuar në Aushvic në nëntor 1943 dhe ishte deklaruar e vdekur në vitin 1945

SHKARKO APP