Standarde europiane apo standarde të Bashkimit Europian?
Lajme E Hënë, 19 Prill 2021 21:37
Nga Lavdrim Lita –
Publiku shqiptar bombardohet përditë në shumë drejtime nga media, politikanë dhe njerëz të ndryshëm që flasin për arritje ose jo të standardeve europiane. Kryeministrat, ministrat, opozitarët dhe ambasadorët evropianë në Tiranë, Prishtinë, Shkup e Podgoricë flasin për investime rrugësh, ujësjellësish apo mallra me standarde europiane, reforma në drejtësi me standarde europiane, madje edhe qytetarët duan një jetë me standarde europiane. Janë shprehje retorike të përsëritura kaq shpesh sa mendon që politikanët apo përcjellësit e politikës së tyre janë aq të motivuar sa që punojnë me ritme të larta për kapjen e standardeve. E kundërta, është e vërteta.
Megjithatë parimisht të gjithë janë dakord për standarde europiane po t’i njihnin ato. Mirëpo se çfarë janë standardet europiane as qytetarët europianë nuk bien dakord. Në kryeqytet e Europës nuk flitet për standarde europiane, as politikanët dhe as qytetarët nuk janë të sigurt për standardet europiane. Maksimumi është që 70 % e legjislacionit që miratohet në parlamentet e vendeve të BE janë thjesht zbërthime të direktivave të miratuara nga Këshilli dhe parlamenti Europian. Pra, janë standarde të Bashkimit Europian, dhe jo standarde europiane sepse në kontinent ka vende që nuk janë pjesë e BE apo marrëveshjeve të tjera europiane, si për shembull Shengen, etj.
Një qytetar italian që parimisht ka standarde europiane nuk është dakord me standardet e administratës italiane dhe kërkon që Italia të ketë standarde të administratës së vendeve skandinave. Një qytetar spanjoll mendon se standardet e ndërtimit të Islandës janë më të mira sesa ato të shtetit spanjoll. Një qytetar grek mendon se standardet ekonomike të Gjermanisë janë shumë të larta dhe të pakapshme. Pra, vendet e Jugut të Europës kanë “standarde evropiane” të ndryshme nga “standardet evropiane” të vendeve të Veriut të Europës. Dhe për këtë ka shumë debat.
Për rrjedhojë, qytetarët duhet të pyesin veten kur dëgjojnë njerëz të lartë që kanë akses në media që iu flasin për “standarde evropiane”, nëse ata e kanë fjalën për standarde të vendeve europiane të jugut apo të veriut të kontinentit, që shpesh herë nuk janë e njëjta gjë. Europa dhe bashkimi Europian nuk janë e njëjta gjë. Europa si koncept ka ekzistuar shumë shekuj përpara sesa forma e bashkisisë ekonomike, monetare dhe ligjore të Bashkimit Europian. Shqiptarët i përkasin Europës si qytetërim dhe ndajnë disa parime themelore, por nuk kanë standarde të Bashkimit evropian që janë 35 kapitujt e negocimeve, ku nis procesi i harmonizimi i legjislacionit vendas me kritere dhe procedura të miratuara dhe të ndara nga vendet e BE-së. Dhe këtu do të niste realisht përmbushja e standardeve të larta të cilësisë së jetës dhe rregullave me frymë evropiane. Mali i Zi dhe Serbia janë në rrugë drejt për mbushjes së standardeve të BE-së. Ndërsa Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova janë me frena dore të ngritura në procesin e arritjes së standardeve të Bashkimit Europian.
*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.