Sulmet e SHBA dhe Izraelit në Iran, reagon Rama: Garda Revolucionare Iraniane të shpallet organizatë terroriste
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmeve të SHBA dhe Izraelit në Iran, ndërsa i ka bërë thirrje për shpalljen e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si organizatë terroriste, duke theksuar se ka ardhur koha për veprime konkrete dhe jo vetëm deklarata politike.
Në një reagim në “X”, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike duhet të trajtohen zyrtarisht si organizatë terroriste, jo vetëm përmes sanksioneve ndaj regjimit të Teheranit, por duke u përfshirë në listën ndërkombëtare të organizatave terroriste, ashtu siç kanë vepruar tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja.
Rama theksoi se qëndrimi i Shqipërisë nuk lidhet vetëm me mbështetjen ndaj Izraelit dhe vendeve arabe që kërkojnë paqe, apo me qëndrimet e aleatëve strategjikë, por mbi të gjitha me nevojën për veprim në një moment kur, sipas tij, “kërkohen akte dhe jo vetëm fjalë”.
Kryeministri nënvizoi se Shqipëria e ka përjetuar drejtpërdrejt agresionin e regjimit iranian përmes sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shtetërore shqiptare.
“Shqipëria do të veprojë në përputhje me këtë qëndrim. Do ta quajmë Gardën Revolucionare me atë që është dhe do ta përfshijmë në listën e organizatave terroriste”, deklaroi Rama, duke u bërë thirrje edhe vendeve të Bashkimit Europian të ndjekin të njëjtën linjë.
“Terrorizmi duhet të emërtohet. Dhe sapo të emërtohet, duhet të ndalet”, përfundon ai.
KOHA JONË SONDAZH

