
Paketa e re fiskale ka nxitur debat në emisionin “Top Story”, ku analisti Arjon Sulo dhe gazetari Alban Dudushi kanë ndarë qëndrime të ndryshme mbi qëllimin dhe ndikimin e masave të propozuara nga qeveria. Arjon Sulo e konsideron paketën një përpjekje të kryeministrit Edi Rama për të zbutur pakënaqësinë qytetare, ndërsa Alban Dudushi e interpreton si një sinjal politik se qeveria po reagon ndaj shqetësimeve të ngritura nga protestuesit.
Gjatë diskutimit, Arjon Sulo argumentoi se masat e reja nuk prekin shkaqet kryesore të vështirësive ekonomike me të cilat përballen familjet shqiptare. Sipas tij, qeveria po ofron lehtësime të kufizuara, pa ndryshuar modelin ekonomik. “Rama po e bën këtë për protestën, për të hedhur karotën, sepse sistemi ekonomik është i kapur nga kryeministri dhe oligarkët e vet me modelin e koncesioneve, PPP, ndërtime, zhvillim bregdeti”, u shpreh Sulo.
Ai ngriti shqetësimin për fuqinë blerëse të qytetarëve, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e familjeve hasin vështirësi për të përballuar shpenzimet mujore. “Ne kemi 40% të familjeve që kanë vështirësi të mbyllin muajin”, deklaroi analisti, duke shtuar se, sipas tij, zgjidhja kërkon ndërhyrje më të thella në mënyrën se si funksionon ekonomia.
Sulo pretendoi gjithashtu se rritja e çmimeve dhe kostove në sektorë të ndryshëm lidhet me qarkullimin e parave të pista dhe ndikimin e tyre në ekonomi. Në këtë kontekst, ai e cilësoi paketën një reagim të vonuar ndaj pakënaqësisë qytetare. “Ata nuk janë ngritur për vaj dhe makarona, Rama është vonë tani”, përfundoi ai, duke iu referuar protestave dhe arsyeve që, sipas tij, i kanë nxitur ato.
Nga ana tjetër, Alban Dudushi e vlerësoi paketën si një shenjë se qeveria po përpiqet t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve. Sipas tij, ndikimi real i masave do të kuptohet më qartë pasi ato të hyjnë në zbatim. “Njerëzit nuk marrin shumë vesh nga këto çështje, por do ta ndiejnë kur të vihet në zbatim. Do të shkojnë në supermarket dhe do të shikojnë sa kanë blerë me një shumë parash dhe sa mund të blejnë sot”, u shpreh Dudushi.
Ai nënvizoi se, përtej efektit ekonomik, paketa përcjell edhe një mesazh politik, duke e interpretuar si një përpjekje të kryeministrit për të treguar gatishmëri për dialog dhe reflektim pas protestave. Gazetari u ndal edhe te rishpërndarja e barrës fiskale, duke vënë në dukje se masat synojnë të lehtësojnë një pjesë të presionit ekonomik mbi qytetarët, ndërsa shtresa e mesme, sipas tij, po përballet me tkurrje të vazhdueshme. Dudushi theksoi se nisma nuk duhet interpretuar si zgjidhje përfundimtare e pakënaqësisë publike. “Nuk besoj se ai e shoi protestën pas kësaj, por ky është një akt”, përfundoi ai.
