Tabaku: Integrimi nuk bëhet me ligje “shkel e shko”, por me parlament që funksionon
Sesioni i ri parlamentar u hap me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku deputetja Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për Mediat dhe të Drejtat e Njeriut, ngriti akuza të forta ndaj mazhorancës për shkelje të rregullave parlamentare, përjashtim të opozitës dhe deformim të procesit të integrimit europian.
Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se agjenda e integrimit europian nuk mund të trajtohet si një proces formal dhe i njëanshëm, ku opozitës i kërkohet vetëm të votojë ligje të gatshme. Sipas saj, agjenda legjislative e integrimit duhet të ndahet paraprakisht me opozitën dhe të shoqërohet me konsultim real e debat parlamentar. Ajo kujtoi se në sesionin e kaluar dhjetëra ligje u paraqitën dhe u kërkua të votoheshin me shpejtësi, pa diskutim dhe pa proces normal. “Nuk mund të shkelim rregulloren për asgjë, as në emër të integrimit”, u shpreh Tabaku.
Në vijim, deputetja theksoi se nuk është rastësi që edhe vetë qeveria po zbulon se sa vite larg jemi nga një proces real integrimi europian. Sipas saj, kërkesa e opozitës për kohë të ndërmjetme, analizë dhe debat për ligjet e integrimit nuk është pengesë, por kusht për cilësi. “Nxitimi i shumicës për të votuar çdo ligj të qeverisë ‘shkel e shko’ ka kosto për buxhetin dhe për qytetarët shqiptarë”, u shpreh ajo.
KOHA JONË SONDAZH

