Tabaku në Bruksel: Fondet europiane kërkojnë shtet ligjor. Nëse Europa nuk rritet, ajo do të mbetet pas
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku gjatë qëndrimit në Bruksel, përveç pjesëmarrjes në Asamblenë Parlamentare të EPP, mori pjesë edhe në sesionin plenar të European Parliamentary Week 2026, me temë: ”Investing in Europe’s Future: The Next Multiannual Financial Framework for Resilience, Social Cohesion and Strategic Autonomy”. Tabaku ndërtoi argumentin mbi raportin strategjik të Enrico Letta, “Much More Than a Market”, duke e përdorur si bazë për të trajtuar lidhjen mes Kuadrit të ri Financiar Shumëvjeçar (MFF), Fondit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe domosdoshmërisë së konvergjencës reale institucionale.
Tabaku theksoi se raporti i Letta-s ngre një alarm të qartë: Tregu i Përbashkët u ndërtua për një realitet ekonomik të viteve ’80, ndërsa sot Europa përballet me konkurrencë gjeoekonomike nga SHBA dhe Kina. Problemi nuk është mungesa e ambicies, por fragmentimi i brendshëm në tregjet financiare në energji, në telekomunikacion dhe në kapacitetet industriale.
“Nëse Europa nuk rritet dhe nuk bashkohet më thellë, ajo do të mbetet pas”,-ishte thelbi i mesazhit që Tabaku përçoi. Ajo ndaloi te propozimi për një “Liri të Pestë” – përtej katër lirive klasike që përfshin kërkimin shkencor, inovacionin, dijen dhe arsimin. Sipas saj, kjo është thelbësore edhe për vendet kandidate, të cilat nuk mund të mbeten thjesht tregje konsumi, por duhet të bëhen pjesë aktive e zinxhirit europian të inovacionit.
Në fokus të fjalës së saj ishte edhe Fondi i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parashikon mbështetje të konsiderueshme financiare për integrimin gradual ekonomik të rajonit në tregun e BE-së. Tabaku ishte e qartë: fondet europiane nuk janë transfertë automatike. Ato janë të kushtëzuara nga zbatimi i ligjit, funksionimi i institucioneve dhe respektimi i standardeve europiane. “Gatishmëria për anëtarësim në BE nuk është deklaratë politike. Është gatishmëri institucionale,” theksoi ajo.
“Shtetet që kërkojnë fonde europiane duhet të respektojnë vlerat europiane. Shteti ligjor nuk është paragraf në raport, por parakusht për çdo euro të investuar.”
Në këtë kontekst, Tabaku nënvizoi se konvergjenca ekonomike pa konvergjencë institucionale është iluzion. Një ekonomi që nuk garanton siguri juridike, konkurrencë të ndershme dhe luftë reale kundër korrupsionit, nuk mund të përthithë në mënyrë efektive fondet e BE-së. “Liria për të qëndruar” ndalimi i emigrimit si domosdoshmëri ekonomike Duke iu referuar konceptit të Letta-s për “Freedom to Stay”, Tabaku e lidhi këtë ide drejtpërdrejt me realitetin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.
Lëvizja e lirë është një e drejtë themelore e BE-së, por tregu i përbashkët dështon nëse qytetarët e periferisë detyrohen të largohen për të gjetur një punë të denjë. Një zgjerim i suksesshëm, sipas saj, duhet të investojë në shërbime publike cilësore, arsim, kapital njerëzor dhe mbështetje për SME-të vendase, në mënyrë që të rinjtë të kenë arsye të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
Tabaku mbështeti gjithashtu thirrjen për një Bashkim të vërtetë të Tregjeve të Kapitalit, duke kujtuar se Europa mban mbi 33 trilionë euro kursime private, por humbet çdo vit rreth 300 miliardë euro që zhvendosen drejt SHBA-ve për shkak të fragmentimit financiar. Pa një union të kursimeve dhe investimeve, Europa nuk mund të financojë tranzicionin e gjelbër, infrastrukturën digjitale apo industrinë e mbrojtjes. Në të njëjtën linjë, ajo theksoi rëndësinë e shqyrtimit të investimeve të huaja (FDI screening) si instrument mbrojtës për sigurinë ekonomike dhe për të shmangur depërtimin e kapitalit me interesa gjeopolitike që cenojnë tregun e përbashkët.
KOHA JONË SONDAZH

