Tafa: Dy projekte bashkëpunimi me Arabinë Saudite në sigurinë kibernetike
Forumi, me temën “Zhvillimi i bashkërenduar në hapësirën kibernetike”, mblodhi liderë globalë për të diskutuar sfidat dhe zgjidhjet në fushën e sigurisë digjitale. Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa mori pjesë në dy panele të nivelit të lartë dhe zhvilloi takime dypalëshe me përfaqësues nga Arabia Saudite, Omani, Katari, Kuvajti dhe Bahreini.
Në këto takime u diskutuan nisma konkrete për forcimin e kapaciteteve kombëtare dhe u dakordësua nënshkrimi i një marrëveshjeje me United States Telecommunications Training Institute (USTTI), për zhvillimin e programeve të trajnimit dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.
Në panelin mbi ligjin kibernetik, Tafa prezantoi përvojën shqiptare në përafrimin me Direktivën NIS2, miratimin e ligjit të ri për sigurinë kibernetike dhe zbatimin e 21 akteve nënligjore, nga të cilat 16 janë finalizuar. Ai theksoi rëndësinë e një kuadri të qëndrueshëm digjital, të mbështetur në bashkëpunim institucional dhe përfshirjen e sektorit privat.
Shqipëria u vlerësua si histori suksesi, duke u renditur ndër 20 vendet e para në botë për sigurinë kibernetike, sipas Indeksit Global të Sigurisë Kibernetike.
Takimet me përfaqësues nga Katari, Kuvajti dhe Bahreini u përqendruan në ndërtimin e kapaciteteve për përballjen me rreziqet që burojnë nga Inteligjenca Artificiale dhe Kompjuterët Kuantikë, si dhe krijimin e një shtrese mbrojtëse kuantike (Quantum Resistance Layer) për infrastrukturat kritike.
KOHA JONË SONDAZH

