Tahiri: Bota e krimit nuk do t’i gëzojë paratë

Në takimin morën pjesë; ministri i Financave Shkëlqim Cani, Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi (Lika), Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali, Drejtori i Zyrës Kundër Pastrimit të Parave Gent Gazheli, Drejtoresha e INUK Dallëndyshe Bici, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto, përfaqësues nga Hetimi Tatimor dhe ILDKPI-ja. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha dje se institucione e sigurisë janë të vendosur për të sekuestruar pasuritë e vendosura nga krimi i organizuar. Diskutimet u përqendruan në koordinimin e gjithë kapaciteteve institucionale për të hetuar pasuritë me burim kriminal. Me propozim të Ministrit Tahiri u ra dakord për ngritjen e një grupi teknik pune, për të shqyrtuar mundësitë e hartimit të një Memorandumi Bashkëpunimi për shkëmbim të shpejtë të informacionit në raste hetimesh. Gjithashtu, Ministri Tahiri theksoi se duhet ndërtuar katalogu i suksesit, për të përçuar mesazhin se askush nuk do të gëzojë pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme. "Vendosëm që një grup i përbashkët pune ndërmjet gjithë agjencive të marrin rishikim instrumentet e bashkëpunimit, memorandumin nga njëra anë dhe ndryshimet potenciale në kuadrin ligjor nga ana tjetër, siç vendosëm që të gjithë agjencitë ligjzbatuese të rakordojnë mbi baza mujore, hetimet e përbashkëta në kuadër të luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parasë dhe për të kulmuar në hetimin e pasurive të pajustifikuara. Ne jemi shumë të vendosur që bota e krimit të mos i gëzojë paratë që ka fituar nga aktiviteti kriminal", tha Tahiri. Ministri i Brendshëm theksoi se prioritet mbetet lufta ndaj aseteve kriminale. Ndërsa shtoi se e memorandum i ri është i nevojshëm. Prokurori i Përgjithshëm tha pas takimit se, është e domosdoshme grupimi i të gjitha institucioneve në këtë luftë.  "Memorandumi i ri i bashkëpunimit, krahas risive të reja që do të sjellë në futjen në këtë grup institucionesh, të cilat bashkëpunojnë në një sërë institucionesh të reja, të cilat janë pjesë e kësaj strukture do të forcojë bashkëpunimin me institucione të tjera ndërkombëtare, për të mbledhur të dhëna në funksion të hetimit që ne kryejmë", tha kryeprokurori Adriatik Llalla.

 

SHKARKO APP