Takimi im me Parashqevi simakun në Nju Jork
Nga Elida Buçpapaj
Nëse shkoni në profilin e Facebook-ut të këngëtares së njohur shqiptare dhe nëse kërkoni pak, do të gjeni foton e një kopertine shkëputur nga një gazetë me titull: Parashqevi Simaku nga Kavaja në Hoollywood.
Është gazeta Zëri i Rinisë e vitit 1993 dhe autorja e atij shkrimi, një interviste, të treguar si narracion jam unë. Fakti që Parashqevi Simaku vazhdon ta mbajë në arkivin e saj artistik tregon se i ka pëlqyer. Kur u botua, pata rastin të bisedoja me Elena Kadarenë dhe asaj i kishte pëlqyer shumë. Natyrisht që unë e kisha punuar me dashuri, si veproj gjithmonë, për të nxjerrë në pah portretin e një artisteje shqiptare të cilën e donte publiku. Sot kur jam duke i shkruar këto rradhë, pashë se në faqet e shtypit të Tiranës, mjeshtri i famshëm Agim Krajka flet në superlativa për zërin e Parashqevisë dhe « mallkon » ëndërrën e kësaj artisteje për Hollywood-in.
Takimi me Parshaqevinë në New York daton vitin 1993. 22 vite më parë. Skënderi dhe unë ishim për një vizitë në SHBA. Hera e parë që vizitonim SHBA. Qendronim në një qytezë të New Jersey, Elisabeth që ngjante si lagje e New York-ut. Prej andej shiheshin rrokaqiejt dhe ishte jo më shumë se 20 km larg nga 5th Avenue. Ne bujtnim tek miku jonë Petrit Hoxha, një njeri i artit dhe kulturës, që tani nuk jeton më. Prej andej lëviznim nëpër SHBA. Skënderi kishte ftesë edhe nga CBN – The Christian broadcasting Network në Virginia Beach. Ishte maj, mesmaj tamam-tamam. Gjithçka lulëzonte. Për në Virginia Beach morëm avionin nga aeroporti i New Jersey-it Newark Liberty International Airport. Ndërsa në Washington D.C. ku u takuam me stafin e Zërit të Amerikës, udhëtuam me veturë. Aty na shoqëroi Mustafë Demaliaj,një zotëri i nderuar, asokohe kryetar i Lidhjes së Prizrenit për SHBA. Rrugës për në Washington nuk e harroj shiun që binte me gjyma në autostradën e kufizuar prej pyjesh të gjelbër. Prej furisë së atij shiu i marr me mend kur dua t’i përfytyroj edhe hurricanët.
Janë kujtime shumë të bukura. Mbrëmjeve të lira merrnim ftesa prej miqve tanë në restaurantet e shqiptaro-amerikanëve, të cilat janë me emër dhe famë, siç është Familja Bytyçi, shtyllë e patriotizmit, Vatranë të përbetuar që i mbajnë dyert hapur e mirëpresin me bujarinë e njohur shqiptare.
Një natë nga këto na ftuan të kalonim mbrëmje të veçantë në restaurantin ku performonte çdo natë Parashqevi Simaku. Shkuam me shumë dëshirë. Dhe u gjendëm përpara një surprize të bukur, sepse orkestra drejtohej nga mjeshtri i shquar Agim Krajka, në violinë interpretonte gjithashtu edhe bashkëshortja e Krajkës. Kaluam shumë mirë. Diaspora shprehte kënaqësinë duke hedhur dollarë. Kjo traditë jombresëlënëse vazhdon, por për artistët shqiptarë ishte ndihmë e madhe, sepse në Amerikë, ata e kishin nisur gjithçka nga zero. Pikërisht aty më lindi ideja për t’i marrë intervistë Parashqevisë. E cila e pranoi menjëherë.
Skënderi ishte Drejtori i RTSH me një format intelektuali 180 gradë ndryshe nga drejtorët pararendës. Ishte drejtori i parë i këtij institucioni pas rrëzimit të sistemit, ndërsa unë posa e kisha nisur profesionin e gazetares.
Lamë takim disa ditë më vonë në një restaurant të vogël ku Parashqevija drekonte. Hollësitë i kam të shkruara në portretin që ia kam bërë 22 vite më parë. Nuk e harroj menynë e asaj dreke të Parashqevisë. Preferonte asparaguse. Por ajo që na befasoi ishte vetë Parashqevija. Përballë nesh kishim një young lady elegante me një anglishte të përsosur dhe një shqipe si të ishte lindur e rritur në SHBA. Parashqevija kishte vetëm 2 vite në SHBA dhe shqipja me aksent të theksuar amerikan të linte të kuptoje se ajo më tepër donte të ndihej amerikane. Në Shqipëri kishte studiuar Art Dramatik, duke ndjekur gjurmët e këngëtareve më të famshme si Vaçe Zela, Justina Aliaj dhe ëndërra e saj në sirtar ishte Hoollywood-i. Ajo i kishte të gjitha të dhënat për t’ia ushqyer vetes këtë ëndërr, që unë e nxora në pah edhe në intervistën time me të. Sepse ishte shumë evidente, gati e identifikuar me Parashqevinë. Ëndërr që Profesor Krajka tani e konsideron si një makth e ankth. Sepse të hysh në Hollywood nuk mjafton talenti.
Atë drekë që zgjati disa orë biseda jonë shkoi edhe tek jeta private e artistes. Ne gazetarët e kemi të drejtën të pyesim. Unë e pyeta për lidhjen e saj me Luan Pobratin, që njihej si shefi i ish-Sigurimit në Tiranë për artistët dhe intelektualët. Parashqevija ishte tepër e kujdeshme, përgjigjet e saj i merrje edhe si pohime edhe si mohime, por e vërteta është se ajo ka patur lidhje me Luan Pobratin. Se si ishte krijuar kjo lidhje pastaj këtu qëndron problemi.
Për 45 vite diktaturë, dihet se artistët shqiptarë kanë qenë viktima të terrorizuara nga Sigurimi i Shtetit. Le të kujtojmë listat e publikuara tash së fundi që i përgatiste Çajup Rusmali për Ramiz Alinë. Le të kujtojmë Festivalin e 11-të se çfarë rrjedhojash pati për artistë të formatit kombëtar. Le të kujtojmë dramat dhe tragjeditë e shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë. Për të cilët heshtet.
Në kushte të tilla terrori, tutorizmi ishte modus vivendi. Për tutorët shkruan edhe Flutura Açka, por tutorizmi ishte i imponuar. Prandaj Flutura Açka me shumë të drejtë i merr në mbrojtje këngëtaret tona, sepse figura e femrës edhe sot e kësaj dite trajtohet nga bota mashkullore shqiptare në mënyrë tribale. Ndërsa se kush ishte Parasheqevi Simakut si këngëtare, kur thotë Agim Krajka se ajo ishte talent dhe zë i shkëlqyshëm kaq mjafton për ta marrë artisten në mbrojtje. Por jo për t’i mbyllur derën debatit. Se si e qysh e ka hapur këtë temë kantautori Gjergj Leka, ajo vlen të mbahet hapur, të mos mbetet temë tabu, por të vërtetat se si janë të tregohen nga njerëz kompetentë, që iu dalin për zot fjalëve të tyre dhe që gëzojnë kredibilitet tek publiku.
Diktatura kriminale në Shqipëri e hiqte qafe elitën me dy pretekste: ose si armik i popullit ose si imoral. Dhe ky rrezik ka qëndruar si Shpata e Demokleut në kokat e artistëve shqiptarë të cilët jo për faj të tyre shpesh depersonalizoheshin. Sepse, nëse nuk bindeshin, rrezikonin burgun ose ekskomunikimin. Të kujtojmë Justina Aliajn, Alida Hiskun, Sherif Merdanin e plot e plot të tjerë. Është një listë e gjatë emrash që diktatura i ka eleminuar, duke qenë talente dhe yje. Dhe këto figura duhet të kujtohen, emrat e tyre duhet të rehabilitohen e të nderohen. Në libra të historisë të artit shqiptar, që nuk i ka shkruar askush deri më tani.
Le të mos harrojmë se RTSH deri në rrëzimin e diktaturës ishte një bastion i propagandës së regjimit komunist. Aty kishin të drejtë të punonin vetëm njerëz të besuar dhe me biografi të mirë. Këtë presion e vuanin të gjithë të talentuarit. Të cilët ishin në qendër të vemendjes të organeve të partisë dhe intrigave sadiste të hallkave të saj!
Parashqevi Simaku ka lindur në shtatorin e 1966 dhe ka dalë për herë të parë në skenën e Festivalit të Këngës në vitin 1983, pra 17 vjeçare. Vinte nga Kavaja, nga një familje e thjeshtë, por e fitoi zemrën e publikut me zërin dhe performancën e saj. A e përdori ish-Sigurimi i Shtetit? Po ish-Sigurimi ishte i plotfuqishëm. Bënte gjithçka. Fuste në burg, pushonte nga puna, largonte nga skena, internonte. Artistet shqiptare të talentuara ishin vulnerabile dhe pa mbrojtje. Ishin pré dhe viktima. Prandaj përpara se të flasim për to duhet t’ia nisim nga persekutorët. Kjo është rruga, rrugë tjetër nuk ka.
Nëse nuk tregoni për persekutorët atëhere mos flisni fare. Le të flasin ata që nisin të tregojnë andej nga duhet. Hapja e Dosjeve do t’ua lehtësojë rrugën, por kush ka ç’të thotë, le ta thotë sepse i ndihmon kujtesës të vuajtjeve që kanë hequr artistët shqiptarë në përgjithësi.
Ndërsa roli moralistëve është i outsider-ve. Mjafton të shikoni ku ka degraduar sot arti shqiptar, kur në qendër të mediumeve vihet lumpeni dhe ku pothuaj gjithçka arrihet permes parasë dhe imoralitetit profesional. Sepse me jetën private çdokush mund të luajë si t’ia marrë mendja.
Duke u kthyer tek Parashqevi Simaku. Fakt tjetër shumë domethënës, që e vë në dukje edhe Flutura Açka, është se artistja u largua shumë herët nga Shqipëria. Ishte nga të parat, sapo u rrëzua diktatura, në vitin 1991-1992. Kur e takuam ne në New York ishte vetëm 26 vjeçe, me një ëndërr të madhe në zemër që e bëri të kalonte Atlantikun. Për të arritur në Hollywood dhe ajo menjëherë iu përvesh punës për ta realizuar atë. Që i doli një mission impossible. Jo sepse nuk kishte talent, por se ndoshta nuk kishte fat. Ashtu si plot e plot këngëtarë shqiptarë të suksesshëm. Agim Krajka, një mjeshtër dhe vyrtuoz i vërtetë, në Amerikë nuk çau dot. Jo se i mungonte talenti. Dhe u kthye në atdhe. Skenat e artisteve shqiptare mjerisht kanë mbetur pubet dhe klubet e natës të diasporës. Deri sa të kalojmë këtë fazë trazicioni. Shijen e suksesit të Hollywood-it e kanë arritur Stan Dragoti, vëllezërit Belushi, Eliza Dushku, e tash edhe Rita Ora, por të gjithë me një background të ndryshëm nga Parashqevia dhe artistët shqiptarë që karrierën e nisën në Shqipëri.
Gjatë këtyre viteve Parashqevi Simaku e ka vijuar jetën artistike në SHBA, diasporë, Shqipëri e Kosovë. Bashkë jemi takuar edhe një herë. Këtu në Zvicër. Posa kishte mbaruar lufta në Kosovë. Ishte këmbë e kokë e dashuruar. Me babain e djalit të saj, lindja e të cilit, veç artiste e ka bëri të arrijë qiellin e shtatë prej lumturisë duke i dhënë plot frymëzim e plane të reja për karrierën.
Tema