Taksat e reja, të gjitha uljet e rritjet në 2015-n
I. TAKSAT KOMBËTARE
a) Siguracionet
Vlen për të theksuar se nga data 1 janar 2015, do të zbatohet përjashtimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i primeve të shkruara për produktet e jo-jetës, duke sjellë trajtimin e tyre fiskal sipas direktivës evropiane. E thënë ndryshe, nuk do të paguhet më TVSH për sigurimet e jo-jetës nga qytetarët, masë kjo që do shoqërohet me një efekt 500 milionë lekë minus nga të ardhurat që sigurohen prej taksës së TVSH-së, ndërsa
vendoset një taksë e re kombëtare, prej 3% mbi to, me një efekt prej rreth 220 milionë lekë. “Efekti neto në të ardhurat nga këto dy taksa do të jetë negativ, me rreth 280 milionë lekë, por vlerësohet që këto ndryshime të jenë faktor nxitës për shtimin e aktivitetit, thelbësisht të përmirësuar, të shërbimit të sigurimeve”, sqarojnë ekspertët për taksat e reja të sigurimeve.
b)Taksa e qarkullimit
Propozohet një rritje me 10 lekë/litri të taksës së qarkullimit, duke kaluar konkretisht nga 17 lekë/litër në 27 lekë/litër. “Kostot e mirëmbajtjes së infrastrukturës së rrugëve dhe efektet që shkakton përdorimi i karburanteve në mjedis kanë ardhur në rritje. Për pasojë, vjen e nevojshme gjetja e mënyrave të drejtpërdrejta apo të tërthorta për të përballuar këto kosto. Një nga këto mënyra është edhe rritja e taksës së qarkullimit”, e kanë argumentuar ekspertët këtë lloj rritjeje. Duke shtuar se kjo rritje e taksës lidhet në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe me shpenzimet buxhetore të parashikuara për vitin 2015 për Mininstrinë e Transportit dhe Infrastrukturës ku është parashikuar rritje e fondeve buxhetore me qëllim parësor uljen e aksidenteve duke investuar në përmirësimin e sinjalistikës dhe mirëmbajtjen rrugore. Ndërsa efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohet të jetë rreth 5.6 miliardë lekë nga taksa e qarkullimit dhe 1.1 miliardë lekë nga TVSH-ja, për vitin 2015.
II. TË ARDHURAT PERSONALE
a) Të ardhurat nga paga
Propozohet ndryshimi i normës së taksimit mbi të ardhurat personale përveç normës së tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga paga. Të ardhurat e përfituara nga paga do të mbetet e njëjtë, duke i qëndruar kështu programit të qeverisë, që kush fiton më pak paguan më pak dhe kush fiton më shumë paguan më shumë. Kurse rritja nga 10% në 15% e tatimit mbi të ardhurat nga dividendët, interesat, huatë etj. vjen në të njëjtën linjë me politikat afatmesme të qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë fiskale. Me anë të kësaj mase synohet të barazohet tatimi mbi të gjitha llojet e të ardhurave përveç atyre mbi pagat që u ulën vitin e kaluar me paketën fiskale 2015. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5 miliardë lekë për vitin 2015.
b) Fitimi i biznesit të vogël
Sipas rikonceptimit që i është bërë deklaratës në propozimin e dërguar nga Ministria e Financave, këto lloj të ardhurash nuk do të tatohen me 10%, por sipas normës aktuale në fuqi. Tatimi fiks prej 25 mijë lekësh për subjektet me qarkullim nga 0-2 milionë lekë është tatim përfundimtar dhe për këtë arsye për efekt deklarimi, 10% e qarkullimit të kësaj kategorie do konsiderohet si e ardhur bruto, nuk ka më kuptim.
c) Amortizimet
Kostot e blerjes ose të ndërtimit, kostot e përmirësimit, rinovimit e të rikonstruksionit të ndërtesave, të konstruksioneve dhe makinerive e pajisjeve me afat të gjatë shërbimi, amortizohen veçmas, me vlerën e mbetur, me 5%. Ky ndryshim synon njohjen, si shpenzim të zbritshëm të periudhës tatimore, të vlerës së mbetur të aktivit afatgjatë në rastin kur vlera e mbetur e aktivit në fillim të periudhës tatimore është më e vogël se 3% e kostos historike të aktivit.
III. TARIFAT DOGANORE
a)Ulja e tarifës doganore për naftën bruto prej 10% në 0%, e klasifikuar në kodin e Nomenklaturës se Kombinuartë Mallrave 2709 00 90.
b)Bërja 0% e tarifës doganore për miellin e grurit, që aktualisht është 10%. Efekti në të ardhura është minus 40 milionë lekë;
c)Bërja 0% e tarifës doganore për importin e produkteve që shërbejnë si lëndë të para për industrinë apo blegtorinë (si p.sh. gruri, ushqimi për kafshët, zogjtë njëditorë, derrat nën 30 kg, viçat nën 160 kg). Efekti në të ardhura është minus 150 milionë lekë;
d)Bërja 0% e tarifës doganore për materialin biologjik, që aktualisht është 10%. Efekti në të ardhura është -1.2 milionë lekë;
e)Bërja 10% e tarifës për gomat e reja pneumatike, që aktualisht është 15%.Konkretisht, për gomat e automjeteve paguhet taksë doganore 15%, akcizë 20 lekë/kg dhe TVSH 20%.