TAP, përfundojnë rreth 64% e punimeve në infrastrukturë
Në Shqipëri ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugëve të aksesit nga do të kalojë gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline pritet të përfundojë së shpejti. Sipas të dhënavë më të reja të projektit në vend kanë përfunduar rreth 64% e punimeve në infrastrukturën rrugore.
Aktualisht mësohet se ka përfunduar ndërtimi i 27 urave dhe i dy akseve rrudore. Këto punime po realizohen nga kompania Alb-It JV “Gener 2–Sicilsaldo”.
Në tërësinë e tij projekti parashikon ndërtimin dhe rehabilitimin e 100 kilometrave rrugë dhe 44 ura që gjenden kryesisht në rajonin e Korçës, Çorovodës dhe Fierit. Këto punime prekin në tërësi 1,300 parcela toke, ndërsa tubat do të shtrihen në rreth 7,500 parcela ( në total rreth 8,800 parcela).
Sipas të dhënave më të fundit nga i gjithë procesi kadastral do të përfitojnë 25,000 persona. Përmirësimi i i tij është ndjekur sipas standardeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Europë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.
Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Europës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha europiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.
TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i Investimeve të Huaja Direkte dhe kjo nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fundvitin 2018, prurjet e para në Europë do të fillojnë përafërsisht në fillimvitin 2020.
Struktura aksionere e TAP-it përbëhen nga BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).