Tapitë e “shqipes” së Shqipërisë
ADRIATIK KELMENDI.
Nëse politikanët nuk po janë të sinqertë dhe seriozë me këtë punën e integrimeve dhe bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, s’di pse këtë të mos e bëjmë ne, qytetarët dhe vdekatarët e zakonshëm të këtyre dy republikave të populluara mbi 90 për qind me shqiptarë.
Këtë javë u shënua edhe mbledhja e dytë ndërqeveritare e dy vendeve, ku nën simbolikën e flamujve dhe simbolikën e udhëtimit modest (me autobus!), u trumbetua nënshkrimi i 11 marrëveshjeve, memorandumeve e protokolleve, të cilat – nëse e marrim për bazë mbledhjen e parë – në shumicë do të vazhdojnë të mbesin peng i burokracive të resorëve dhe fare pak kontribuuese në lehtësimin e jetës së qytetarëve.
Sidoqoftë, kësaj radhe, nuk e kam ndërmend t’iu mbes në qafë(vetëm) politikanëve. Në fund të fundit, ata këtë punë kanë – të bëjnë sikur punojnë dhe të na bindin ne se ata po punojnë.
Problemi këtu është se ne, qytetarët dhe vdekatarët e zakonshëm, i mbajmë ata përgjegjës për mosveprime integruese e bashkëpunuese sa duhet në nivel institucional, mirëpo çka ndodh kur iniciativat nuk varen nga hapat qeveritarë, por nga sektori i pavarur.
Fatkeqësisht, as këtu nuk e kalojmë provimin për sinqeritetin dhe seriozitetin sa i përket bashkimit sektorial Kosovë-Shqipëri, dhe – duhet thënë hapur – kjo në masën e madhe për shkak të shqiptarëve në Shqipëri e shumë më pak atyre në Kosovë.
Jam koshient se shumëkush do të përpiqet të gjejë arsyetime dhe të sajojë intriga rreth këtij konstatimi, por nëse do t’i shikojmë gjakftohtë disa situata, do të duhej ta pranonim se ky është një realitet i vrazhdë.
Do të ndalem kësaj radhe vetëm në disa fusha, që kryesisht kanë të bëjnë me komunikimin masiv:
Vetëm muzika, për shkak të internetit
KOSOVA DHE SHQIPËRIA ia kanë dalë të bëjnë integrim dhe bashkim të shkëlqyeshëm vetëm në një fushë – muzikë.
Sot është fare e parëndësishme se cili këngëtar e këngëtare, ose cili bend, ku e ka rezidencën, por të gjithë dëgjohen dhe shikohen, për të gjithë shkruhet e raportohet njësoj, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë, pavarësisht nëse veprojnë nga territori i Kosovës ose i Shqipërisë.
Dhe a e dini se çka ka ndikuar në këtë bashkim kaq të natyrshëm dhe pa ngarkesa?
Ka të bëjë me mosfunksionimin e monopoleve të shpërndarjes së përmbajtjes. Thjesht, rinia që flet shqip gjithandej sot shfrytëzon kryesisht internetin dhe kanalet si YouTube dhe VeVo për të dëgjuar muzikën që pëlqen, pa u varur nga emetimi i saj nga televizionet ose radiot “tradicionale”.
Mirëpo njëjtë nuk qëndrojnë sektorët e tjerë, të cilët për shkak të natyrës, nuk mund ta shfrytëzojnë me sukses lirinë e pakufishme të internetit për të depërtuar përmbajtjet e tyre tek audiencat shqiptare e shqipfolëse.
Televizionet
Nëse e marrim për shembull botën e televizionit, mund të vërejmë se fare nuk ka reciprocitet të mirëfilltë sa i përket bartjes së kanaleve nga Kosova në platformat kabllore në Shqipëri.
Derisa në Kosovë kanalet kryesore televizive të Tiranës janë në mesin e 10 vendeve të para në renditje në tri platformat më të mëdha, si “Kujtesa”, IPKO e “Art Motion”, kanalet kryesore të Prishtinës renditen shumë larg dhe mbesin si të fshehura (me qëllim) në platformat e Shqipërisë, si “DigitAlb” e “Tring”. Dhe, besoni, nuk ka kjo fort të bëjë as me përmbajtjen e as me cilësinë, meqë që të dyja këto janë të krahasueshme në televizionet në të dyja anët. Ka të bëjë me ruajtjen e monopolit të kanaleve të Tiranës në treg dhe me mosdhënien e hapësirës së barabartë në konkurrencë të kanaleve kosovare.
Po, televizionet private në Shqipëri kanë më shumë para se ato në Kosovë, por pikërisht te paratë qëndron edhe fshehja e kanaleve kosovare në platformat kabllore në Shqipëri. Nëse do të renditeshin në dhjetëshen e parë, kanalet kosovare do të kishin mundësi të përcilleshin më tepër nga shikuesit në Shqipëri dhe, rrjedhimisht, të rritej interesimi për t’u reklamuar në këto kanale dhe, natyrshëm, për t’iu dhënë atyre para. E nëse televizionet në Prishtinë do të kishin më tepër para, do të mund të investonin më shumë në prodhimin e përmbajtjeve programore dhe t’u konkurronin më shumë televizioneve të Tiranës.
Librat
Ngjashëm qëndron puna edhe në fushën e librit.
Librat e botuesve nga Shqipëria mund të gjenden në secilën librari ose stendë shitjeje në Kosovë, herë me cilësi të admirueshme e herë edhe nga ata që lënë shumë për të dëshiruar. Në anën tjetër, hyni nëpër libraritë e Tiranës dhe do të shihni se sa libra të botuar në Kosovë do të gjeni aty. Rrallë e përmallë.
A janë më të dobëta botimet e Prishtinës se ato të Tiranës?
Absolutisht jo.
Për më tepër, ndonëse më të pakta në numër, shtëpitë botuese si “Dukagjini”, “KOHA”, “Buzuku”, “Faik Konica” etj., kanë kritere shumë më rigoroze përmbajtjeje dhe cilësie të botimit sesa kanë shumica e shtëpive botuese nga Tirana. Por, sërish, sigurisht, ka të bëjë me monopolin dhe ruajtjen e tregut. Shmangien e konkurrencës.
Gjuha “jonë” shqipe
E më qesharakja, e në këtë rast edhe më e dhimbshmja dhe e turpshmja, është ideja se kush e ka tapinë mbi gjuhën shqipe. Po, po, tapinë mbi gjuhën tonë të përbashkët shqipe!
A e keni vërejtur se sa shpesh në shkrimet e autorëve shqiptarë nga Kosova, qofshin ata artikuj modestë gazetarësh, ose romane ambicioze, e para kritikë që i jepet nga ndonjë lexues shpirtngushtë nga Shqipëria është – shkruaj shqip (sic!)?! Ka pasur raste kur romane nga autorë nga Kosova nuk janë marrë parasysh në konkurse letrare në Shqipëri për shkak të “shqipes së çuditshme” (sic!), ose rastet kur një opinionist boton një artikull në ndonjë gazetë online në Shqipëri – vërejtja “mirë, mençur, por herën tjetër shkruaj shqip” (sic!).
Tash për këtë fenomen nuk është se nuk ka pasur debate e polemika përgjatë këtij çerek shekulli prejse filluam të rinjihemi, duke sjellë edhe argumente gjithfarësh. Por unë besoj se shpjegimi është shumë i thjeshtë. Ka të bëjë me idenë e monopolit sërish. E mendimit se mjafton të jesh territorialisht banor i Shqipërisë për të qenë më shqiptar etnik se të tjerët dhe si i tillë për të gëzuar të drejtën e interpretimit përfundimtar edhe të gjuhës shqipe.
Duke harruar se studiues “kosovarë” si Rexhep Ismaili, Idriz Ajeti, Rexhep Qosja etj. kanë dhënë disa prej kontributeve më të çmuara të gjysmëshekullit të kaluar në fushën e gjuhës dhe studimit të letërsisë shqipe.
Dhe duke mos e kuptuar se – për arsyen e jetesës së ndarë faktike që prej vitit 1912 – shqipja që flitet në Shqipëri gjatë kësaj periudhe kohore i është nënshtruar ndikimit në sintaksë dhe semantikë nga gjuha italiane dhe greke, kurse shqipja e Kosovës nga ajo serbokroate dhe angleze, gjë që natyrshëm ka bërë që sot të ketë nuanca dallimi në të shprehur dhe përdorim gjuhe në mesin e autorëve nga të dyja vendet.
Por a e bëjnë këto dallime më shqipe gjuhën që përdoret për t’u shprehur nga autorët nga Shqipëria e më pak shqipe atë që e përdorin autorët nga Kosova? Hm!
Kjo paradoksalisht do t’i binte sikur t’i themi tash Ismailit, Ajetit e Qosjes – mirë, ju keni bërë disa nga studimet më të mira për shqipen, por i keni shprehur ato në një shqipe të çuditshme! A ka kjo kuptim?!
Një marrëdhënie e sëmurë
SË KËNDEJMI, besoj se ne së pari duhet të jemi të sinqertë me vetveten. Ku jemi, si po e shohim njëri-tjetrin dhe çfarë pritjesh të ndërsjella kemi.
Pa ia pranuar vetvetes se ku po na dhemb, nuk do të dimë t’i tregojmë as mjekut se nga çfarë po lëngojmë dhe ai s’do të dijë se çfarë ilaçesh të na përshkruajë për kurim.
Në të kundërtën, do të mbesim edhe gjatë kështu siç jemi sot, joseriozë dhe të pasinqertë – në një marrëdhënie të sëmurë.
"Koha Ditore"