Tatimet, 1.5 milionë euro gjoba në 23 ditë
Shtatori ishte muaji i sulmit për administratën tatimore, në kuadër të aksionit kundër informalitetit. Të dhënat paraprake nga tatimet flasin për një numër të lartë kontrollesh mbi subjektet, ku nuk janë kursyer as gjobat për periudhën nga 7 shtatori (kur nisi realisht aksioni) deri në 30 shtator.
Në total rezultojnë të jenë rreth 61 mijë subjekte të kontrolluara, nga të cilët rreth 5500 janë gjetur me shkelje dhe për 4400 është vendosur masa e gjobës. Përqindja më e madhe e subjekteve me shkelje është kontstatuar në Fier, me 16% të totalit të subjekteve që janë kontrolluar në atë qytet.
Kompanitë më të rregullta ishin në Durrës, ku vetëm 4% e subjekteve të kontrolluara në atë qytet ishin problematike.
Në total, në 23 ditë aksion janë vendosur rreth 202 milionë lekë gjoba, apo rreth 1.5 milionë euro. Rezulton që gjoba mesatare për një subjekt ka qenë 45 mijë lekë.
Në vlerë absolute, gjobat më të mëdha janë vendosur në Tiranë me rreth 93 milionë lekë, e ndjekur nga Lezha me 17 milion lekë.
Janë rreth 880 subjekteve në total, të cilëve u është konfirkuar mall pa faturë, ndërsa ishin 672 punonjës që janë gjetur të padeklaruar.