Të bësh biznes në “vendin e shqiponjave”, Shqipëria, kufiri i ri ekonomik i Italisë

Revista italiane, “Buongiorno Italia”, reportazh mbi investitorët e huaj, kryesisht italianë në Shqipëri: “Ju tregojmë çfarë është sot Shqipëria, mundësitë që ofron dhe cilët janë protagonistët ekonomikë dhe kulturor”

Nga Albina Gjergji

Pas 20 vitesh, duket se tashme proçesi i emigracionit është permbysur! Ekonomia që rritet, edukimi në nivele optimale dhe një tërheqje deri në kufijtë e imponueses për sipërmarrjet italiane. “De facto”, Shqipëria është rajoni i 21-të i Italisë edhe pse nuk është ende pjesë përbërëse e BE-së. Kjo ka bërë që shumë sipërmarrës italianë të zhvendosin kompanitë e tyre atje dhe shumë shqiptarë të brezit të parë dhe të dytë kanë ndihmuar në krijimin e një shkëmbimi tregtar dhe kulturor, që  – për mendimin tonë – mundet dhe duhet të jetë “çelësi” i një bashkëpunimi të frytshëm ndërmjet këtyre dy vendeve të lashta. Dy vende që gjithmonë janë takuar, por edhe përplasur ndërmjet tyre. Edhe pse tashmë mes tyre ekziston një lidhje e pandashme. Pra, për të gjithë ata që nuk e njohin ende mirë këtë “fqinj”, ose edhe për ata që janë akoma të lidhur më stereotipin e 20 viteve më parë (“Turma shqiptarësh që na pushtojnë me anijet e tyre”) ne duam t’ju prezantojmë se çfarë është sot Shqipëria dhe përse duhet të mësojmë edhe nga ata për të rindërtuar vendin tonë.

“Kina” e Evropës

Disa investime, që kanë një impakt të konsiderueshëm dhe të favorshëm për këtë vend, përfitojnë nga disa përjashtime të taksave (ose liri fiskale). Për shembull, parqet industriale, shkencore dhe teknologjike përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat, si edhe nga taksa për ndryshimin e destinacionit. Madje, në disa zona të lira përfitohet edhe nga përjashtimi kundrejt taksave doganore, por edhe tatimit të vlerës së shtuar (TVSH). Po kështu, kush investon në zonat e disavantazhuara përfiton qoftë përjashtimin nga taksat doganore, ashtu edhe nga taksa për ndryshimin e destinacionit në përdorimin e terreneve. Investuesit, nga ana tjetër mund të nënshkruajnë kontrata qeraje në sferën publike (si për terrene, apo ndërtesa) për të paguar më pas taksa më të ulëta në krahasim me ato që “ofron tregu”.   Madje, në raste të veçanta (speciale), Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë rezervon të drejtën për të ofruar konçesione me çmime simbolike prej 1 euro në disa prej sektorëve që parashikon ligji.  Këto sektorë janë si, për shembull në fushën e energjitikës (prodhimi dhe shpërndarja),  apo ujesjellës-kanalizimeve. Shqipëria, në këtë mënyrë është bërë edhe si Kina e Evropës, për të zhvilluar projekte të reja industriale, nga prodhimi i lëndës së parë e deri tek produktet e përfunduara për t’u eksportuar në botë.

Mundësi biznesi në Shqipëri

Të investosh dhe të bësh biznes në Shqipëri ofron shumë avantazhe për sipërmarrësit e huaj. Me një rritje në fushën e eksporteve (të rritura në mënyrë eksponenciale prej 24% në 5 vitet e fundit) Shqipëria po regjistron një përmirësim në tregtinë me vendet e BE-së. Njëri nga avantazhet e shumta që të shtyn të investosh, apo të bësh biznes në Shqipëri është edhe kapitali njerëzor (burimet njerëzore), i karakterizuar nga një dinamizëm i fortë dhe nivel shkollimi. Në fakt, në Shqipëri flitet gjerësisht gjuha italiane dhe ajo angleze, ndërsa në programin zyrtar shkollor janë përfshirë edhe frëngjishtja dhe gjermanishtja. Mosha mesatare e popullsisë së Shqipërisë dhe pagat për frymë janë një tjetër element stimulues për ata që duan të bëjnë biznes në Shqipëri. Në fakt, 57% e popullsisë shqiptare është jo më shumë se 35 vjeç dhe paga mesatare është më konkurruesja në Ballkan.  Pra, për ata që janë të interesuar që të bëjnë biznes në Shqipëri, disa sektorë kyçë, si ai fason, i energjisë, apo ai bujqësor janë shumë premtues. Republika e Shqipërisë ka një kornizë ligjore dhe juridike konform BE-së, çka garanton një klimë shumë të favorshme për ata që dëshirojnë të investojnë dhe të bëjnë biznes në Shqipëri.  Sigurisht që ato që kanë më shumë interes janë avantazhet fiskale (të veçanta dhe specifike) për ata që duan të investojnë në sektorin e turizmit. Sipas një studimi të fundit nga “Ice” (Instuti Kombëtar Italian për Tregtinë e Jashtme), të investosh në këtë sektor në Shqipëri, të jep avantazhe të mëdha fiskale dhe përjashtime nga taksat doganore, apo akcizat për mallrat e importuara. Si të mos mjaftonte kjo, fusha e turizmit ka edhe avantazhe të tjera fiskale. Një nga këto avantazhe lidhet pikërisht me reduktimin deri në 40% të fitimeve të arritura edhe 5 vite pas përfundimit të investimit edhe pse me kusht që këto fitime të riinvestohen po në Shqipëri.

Pra, të bësh biznes në këtë vend, duket se nuk has në asnjë lloj kufizimi.  Kjo, pasi në Shqipëri nuk ekzistojnë kufij sektorësh dhe as diferencime ndërmjet sipërmarrësve të huaj, apo atyre vendës. Pra, në Shqipëri mund të investosh lirisht dhe kapitali i huaj mund të depërtojë në kompanitë shqiptare edhe në masën 100%, pa asnjë lloj kufizimi. Dhe për t’i siguruar edhe më shumë ata që po mendojnë, apo dëshirojnë të bëjnë biznes në Shqipëri, këtu nuk ka kufij për lëvizjen e kapitaleve dhe as për rikthimin e tyre në vendin e origjinës. Kështu, ai që mendon të bëjë biznes në Shqipëri duhet ta dijë se investimet e huaja në Shqipëri nuk mund të shpronësohen dhe sistemi fiskal është më kompetitiv në krahasim me vendet e Ballkanit.  Përfundimisht, të bësh biznes në “vendin e shqiponjave” do të thotë të investosh në një zonë strategjike për nga gjeografia (nëse e krahasojmë me Rajonin Ballkanik) dhe të përfitosh nga avantazhet e mëdha fiskale dhe nga garancitë për mbrojtjen e kapitalit.

(Burimet kryesore, nga të cilat janë marrë shifrat për këtë shkrim janë; Ministria e Zhvillimit  Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, si edhe Instituti Kombëtar Italian për Tregtinë e Jashtme (ICE)).  

 

Shqipëria dhe Turizmi

Këtë vit Shqipëria nuk ka regjistruar kriza në fluksin e turizmit të huaj, në ndryshim nga vendet e tjera të Evropës Juglindore, të cilat janë ndikuar nga pesha e tensioneve ndërmjet Rusisë dhe BE-së (si shkak i konfliktit të armatosur në Ukrainë), përmes një rënieje të dukshme të fluksit të turistëve rusë. Kjo, sepse fluksi kryesor i turizmit drejt Shqipërisë vjen kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia. Në të ardhmen, gjithmonë përsa i përket fluksit të turizmit në Shqipëri, dy shteteve të sipërpërmendura pritet t’i shtohet edhe Serbia, falë linjës direkte ajrore “Air Serbia” që do të operojë në itinerarin Tiranë-Beograd-Tiranë.  “Air Serbia” është një kompani e re ajrore, 49% e kapitalit të së cilës mbahet nga kompania e njohur e Emirateve të Bashkuara Arabe, “Etihad Airëays”. Kjo kompani ka ardhur së fundmi edhe në Ballkan dhe   që nga muaji shtator operon me tre rrugë në javë. Turizmi në Shqipëri paraqet një sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Kështu, falë bregdetit të Adriatikut dhe Jonit (ende i pakontaminuar), maleve dhe liqeneve, së bashku me qendrat e trashëgimive kulturore të UNESCO-s (si Berati, Butrinti, Gjirokastra) turizmi i drejtuar për nga Shqipëria do të njohë shumë shpejt boom-in.  Sigurisht, ekzistojnë ende disa pika kritike që pengojnë zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Njëra nga këto pika është kryesisht edhe infrastruktura, pjesë përbërëse e një plani ambicioz i qeverisë shqiptare dhe për të konfirmuar impenjimin e qeverisë shqiptare në këtë aspekt, ia vlen të kujtohet se, së fundmi është kompletuar “Rruga e Kombit”, ajo e Durrës-Kukës-Morinë, që lidh Shqipërinë me Kosovën. Madje, nga deklaratat e fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama është mësuar se edhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin ka 160 projekte për rehabilitimin e infrastrukturës në bregdetin e Jonit. Kjo pritet të sjellë një zhvillim të turizmit në atë zonë. Sipas burimeve të “Ice”-s, në të ardhmen, parashikohet një rritje kërkesash për konçesion nga investitorët e huaj për bregdetin shqiptar në mënyrë që të krijohen fshatra turistikë dhe resorte e Spa dhe të gjitha këto do të jenë mundësi të konsiderueshme që do të jenë plotësisht funksionale përgjatë gjithë vitit dhe në gjendje që të thërrasin një turizëm elitar.

 

Shqipëria kalon klasën…

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë një votë pozitive ekonomisë shqiptare, duke i dhënë kështu vendit (si pjesë e EFF-së, Extended Fund Facility) këstin e dytë të financimeve për një shumë prej 26.7 milion eurosh pas këstit të parë të po së njëjtës shumë (në muajin mars të 2014-s). Sipas vlerësimit Shqipëria është përgjigjur pozitivisht në lidhje me detyrat që i ka diktuar vetë FMN-ja në muajin mars dhe tashmë ekonomia po tregon shenja të forta të rimëkëmbjes. Ekonomia shqiptare, pasi e uli ritmin në 2013-ën, aktualisht po projektohet drejt një rritjeje prej 2.1% në 2014-n dhe 3.5% në 2015-n, e stimuluar kryesisht nga rritja e eksporteve edhe pse GDP-ja qëndron ende nën potencialin real të sistemit të vendit. Sistemi bankar në Shqipëri, pavarësisht reduktimeve të kredisë  – qëndron stabël falë niveleve të duhura të kapitalizimit dhe likuiditetit. Në frontin institucional evidentohet një plan gjithpërfshirës  reformash strukturore në favor të zhvillimit të sipërmarrjeve. Shqipëria ka firmosur akordet për shkëmbimin e lirë me vendet (Cefta, Efta). Në qershor të 2014-s BE-ja i ka dhënë zyrtarisht statusin e vendit kandidat, duke e afruar më shumë me Komunitetin Evropian. 

 

"Revista mujore "Buongiorno Italia" eeshtee njee produkt editorial italian dhe botohet për herë të parë në Itali. Kjo e përmuajshme është një revistë politike dhe kulturore që përfaqeeson një zë të ri editorial në spektrin e shtypit italian kryesisht të djathtë, si dhe një pikë referimi për sferën politike të qendrës së djathtë italiane, por jo vetëm. E përbërë nga një staf me profesionistë të kualifikuar, ku korrespondente për Shqipërinë është zv/kryeredaktorja e gazetës “Koha Jonë”, Albina Gjergji, revista drejtohet nga Keda Kaceli, e cila është përzgjedhur të jetë Drejtoresha editoriale e kësaj reviste. Vajza shqiptare, e cila ndër të tjera ka përkthyer në italisht librin e At Zef Pllumit "Rrno vetem për me tregue", i cili i vjen lexuesit italian me titull "Vivi solo per testimoniare", është një emër mjaft i njohur në Shqipëri, Itali e më gjerë është diplomuar në Universitetin e Milanos në Shkenca Europiane e Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe vazhdon studimet për Gazetari në Parma. Në numrin e muajit shkurt gjejmë në kopertinë një titull të fortë, shoqëruar me flamurin shqiptar, që na drejtojnë tek artikulli i brendshëm që kemi realizuar mbi mundësitë që sot Shqipëria i ofron bizneseve italiane. Aktualisht numri i parë gjendet në të gjitha pikat e shitjes së gazetave në Itali. 

SHKARKO APP