”Të dërguarit e Ramës më ofruan 3 poste”, Adriatik Lapaj: Sfidoj kryeministrin ta mohojë, protesta jonë vijon
Kreu i ”Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj mendon se rezistenca e tij tre mujore në bulevard ka dhënë një kontribut jo vetëm në riformatimin e qeverisë socialiste 6 muaj pasi u votua në Kuvend, por edhe në shkarkimin e drejtorit të Policisë së Shtetit dhe të Tiranës në fillim të marsit.
”Janë 100 ditë të mosdakordësisë publike përballë hajdutërisë. Unë kisha menduar se do qëndroja më pak por do qëndrojmë aq sa ta përballojmë fizikisht ose të realizohet qëllimi për të cilin kemi dalë. Në këtë rrugëtim, kemi arritur disa objektiva. Kush e mendonte që në 8 dhjetor kur e nisëm këtë rrugë gjysma e qeverisë nuk do të ishte pjesë e saj pa filluar punën. A e bëmë ne? Jo vetëm ne, por edhe ne kishim kontributin tonë për të vendosur nën presion makinerinë e hajdutëve. Kush e mendonte se do të shkarkohej drejtori i Policisë së Shtetit dhe i Tiranës?”,-tha Lapaj.
Ky shkarkim u bë pas protestës së dhunshme të PD-së dhe sulmeve me molotovë ndaj vilës së Enver Hoxhës, Lapaj mendon se ndikimi i lëvizjes ”Shqipëria Bëhet” ishte i shumëanshëm. ”Gjërat janë të lidhura me njëra tjetrën. Në protestat tona janë 6 shtetas me nënshtetësi të huaj, njëri prej tyre me shtetësi amerikane. Ne e kemi çuar çështjen në AMP dhe të paktën 20 oficerë policie janë sot në prokurori për shkelje të ligjit. Pra gjërat nuk janë rastësore”.
Veç kësaj ai tha se pasur edhe propozime nga të dërguarit e Ramës për të marrë 3 poste dhe sfidoi kryeministrin të dalë e ta mohojë. Sa i përket 6 kallëzimeve për një total prej 14 veprash penale të bëra kundër tij, Lapaj tha se i sheh si dekorata për aktivizmin e tij publik. Ai tha se nuk është penduar nga dalja në protestë. Pas 100 ditëve në bulevard, pyetja më e natyrshme është çfarë do të ndodhë më pas me protestën e tij.
”Unë e kam thënë me modesti që do qëndrojmë derisa shumica të ndërgjegjësohet e të mbushë sheshet e qeveria të detyrohet të japë dorëheqjen. Ne nuk jemi aty për të bërë grusht shteti. Jemi aty për të imponuar një dorëheqje politike. Nuk jemi aty që të ikë Edi Rama e të shkojë Adriatiku në zyrë. Jemi aty për të kërkuar një qeveri tranzitore me mandat 12 mujor të përbërë nga intelektualët më të mirë përtej partive politike për të organizuar zgjedhjet e para të lira demokratike. Pra është një kërkesë që lidhet me zgjedhje demokratike, nuk po flasim për një zëvendësim pushteti në mënyrë arbitrare me forcë. Në këtë drejtim, kemi thënë derisa të ndodhë kjo. Nëse nuk ndodh, do të qëndrojmë aq sa ta përballojmë fizikisht” tha ai duke mohuar që kjo do të përbënte një vdekje politike të rezistencës”,-tha Lapaj në ”Report TV”.
KOHA JONË SONDAZH

