Të hiqet akciza për prodhimin vendas
Nga Zef Shtjefni
Që në vitin 2008 Qeveria Shqiptare vendosi që t’u kompensojë akcizat bizneseve prodhuese, të cilat i paguanin më parë, së bashku me lëndët e para që blinin. Në rastin e prodhimit vendas, kjo taksë merr rëndësi të veçantë, pasi prodhimi jo vetëm është bazë e punësimit, por nuk nxjerr as kapitalet jashtë vendit. Thënë më troç, fuqia ekonomike e një vendi, matet me prodhimin e tij të brendshëm. Të gjitha shtetet i kushtojnë rëndësi të madhe stimulimit dhe ndihmës ndaj prodhimit të brendshëm. Mirëpo, si shumë ligje të tjera edhe ky i akcizës rezultoi thuajse një mashtrim i plotë i Qeverisë Berisha, pasi përjashtuar ndonjë subjekt të rrallë me lidhje të forta lart, askush tjetër nuk arriti të marrë një kokërr leku mbrapsht nga akcizat, që Ajo vet i pat “garantuar” me ligj. Kur subjektet paraqisnin kërkesat për rikuperimin e akcizës për lëndët djegëse që përdorin, administrata tatimore u përgjigjej: “Nuk kemi lek për ata që kanë bërë rrugët e urat, ju na kërkoni akcizat..!” Kjo ndodhte pas një kalvari të gjatë burokratik me muaj e vite letrash, testesh, certifikimesh, komisionesh të gjitha të shoqëruara me korrupsion dhe pritje pafund ndaj zyrtarëve të shtetit për firmat përkatëse. Në fund u vinte bizneseve, si dru ballit, përgjigjja: “Ju takojnë, por nuk kemi para..!”. Kështu subjektet tona prodhuese në industri, në bujqësi, peshkim etj.,jo vetëm nuk u bënë kompetitivë me tregun e jashtëm, por vitet e fundit shumë prej tyre u shuan. Nga 13 fabrika moderne të tullave qeramike që u ndërtuan në Shqipëri, kanë mbetur akoma gjallë 3-4. Nga 8 çimentoje, kemi vetëm 2. Nga shumë fabrika të vogla gëlqereje në çdo rreth, jemi katandisur në primitivizëm të thellë, duke prerë pyjet e djegur gurë më goma makinash. Nga mijëra hektarë sera me ngrohje e mijëra tonë eksporte të prodhimeve të tyre, detyrohemi të importojmë në dimër, sepse jemi shakull në diell, pa asnjë serë me ngrohje. Kjo, sepse fermerët nuk guxojnë dot as të venë e as të ndezin dot ndonjë lloj kaldaje, pasi nga njëra anë çmimet e larta të naftës, gazit apo solarit dhe nga ana tjetër, ishte dhe është akoma tmerr të aplikosh apo të arrish të marrësh mbrapsht akcizat. E vetmja arsye pse shqiptarët e Shqipërisë e blejnë kaq shtrenjtë peshkun e detit dhe pse ata të Kosovës nuk e njohin akoma, është se peshkatarët tanë nuk dalin dot të peshkojnë larg në dete, me ato çmime që kanë karburantet, sepse nuk arrinin të rikuperojnë dot akcizat.
Po sot si është gjendja në vend? Qeveria Rama, që në ditët e para të punës së saj, e kuptoj se një nga pikat më kancerogjene që la Qeveria Berisha, qenë borxhet ndaj biznesit. Ndaj mori si detyrim të parë likuidimin e tyre. I mori borxh FMN-së për të larë borxh, sepse nuk i kishin lënë asnjë kacidhe Ridvani dhe Saliu në arkën e shtetit. Në fakt, kësti i parë u lëvrua. Biznesi nisi të rregullojë frymëmarrjen. Tani pritet që FMN të lëvrojë gjysmën tjetër të kredisë prej 350 mln eurove. Por në administratën tatimore e doganore nuk duket se jetojnë akoma me merakun dhe përgjegjësinë e Qeverisë. Aty punon akoma thuajse 70% e ish administratës Bode-Berisha. Ndaj edhe pse Qeveria ka vendosur t’ua kthejë borxhet mbrapsht bizneseve, është e vështirë që dikush të kalojë aty pa u lagur. Ju duket sikur po u japin paratë e veta dhe jo detyrimet që shteti u ka tash sa vite bizneseve. Po ju tregoj një rast konkret kontrasti mes të rinjve dhe administratës së vjetër: Shkova të interesohesha për rikuperimin e akcizës së një biznesi në Drejtorinë e Tatimeve. Më priti një drejtoreshë e re, me plot mirësjellje e gatishmëri për të na ndihmuar. Ashtu siç u angazhua, na dërgoi në kohë ekipet e kontrollit për të verifikuar gjendjen. Pasi doli rezultati dhe u kaluan procedurat që përcaktonte ligji, na xhiruan në llogari borxhin. U befasova unë dhe më shumë se unë drejtuesit e ndërmarrjes, kur u thashë se nuk kam paguar as edhe një kafe. Më sugjeruan ta korrigjoj “gabimin”, se mund të prisnim ndonjë “gozhdë” mbrapa. Ata kishin përvojë më tepër se unë, ndaj mora një tufë lekësh dhe vrap e të drejtoresha. Ajo u skuq deri te veshët, por u përmbajt dhe e mbylli bisedën me takt e mirësjellje, duke më turpëruar. Ndaj i kërkova falje shpejt, duke i thënë se për ne kjo ishte befasi dhe po ndodhte për të parën herë. Më kaq mbaroi kjo histori dhe nuk kam ngurruar ta tregoj gjithandej, si një risi dhe shpresë që ky shtet mund të ribëhet nga rinia. Mirëpo ky është vetëm një rast sporadik, pasi pjesa më e madhe kolegëve të mi më konfirmojnë se atyre u ndodh ekzaktësisht e kundërta edhe sot e kësaj dite. “Ujqërit” e vjetër te tatimeve, që po prishin edhe të rinjtë, i sorollasin me burrokracira të pafund. Rrallë herë mund të shpëtojnë bizneset pa lënë shuma të konsiderueshme, 10-15-20%, rrugës së kalvarit të gjatë të rikuperimit të borxheve të akcizave dhe TVSH-së nga shteti. Megjithë vullnetin politik dhe dëshirën e Qeverisë sot, për t’u kthyer borxhet bizneseve, duket se është akoma shumë e lehtë t’i sorollatësh bizneset, t’i vjedhësh ato, t’i diskriminosh, t’i shkatërrosh përmes zyrtarëve të mentalitetit të vjetër të hajnisë si dhe përmes sistemeve të vjetra të sajuara e lëna enkas për këtë qellim nga ata që na kanë qeverisur. Ndaj, mendoj se: nëse Qeveria Rama do vërtetë të ndihmojmë prodhimin vendas duke i hequr akcizat për lëndët e para, të bëjë një gjë fare të thjeshtë: TI HEQË ATO QË NË BURIM. Kjo mënyrë heqje dhe futja e tyre në sistemin online, siç është bërë dhe me TVSH-në, i jep fund pjesës më të madhe të kalvarit të problemeve, të vjedhjes dhe korrupsionit ndaj bizneseve prodhuese nga adminsitrata tatimore e doganore. Nga ana tjetër, kështu minimizohet edhe evazioni fiskal i subjekteve, sepse ata nuk do të kenë më interes të fshehin asnjë ton prodhimi, pasi do humbasin akcizën. Është e lehtë të llogariten tarifat e akcizave për ton/ prodhimi nga ekspertët, për të gjitha llojet e akcizave dhe të gjitha subjektet prodhuese në vend. Mjafton vetëm vullneti politik i Qeverisë.