Të huajt ultimatum qeverisë: Urgjent masa anti-korrupsion!
Institucionet e huaja, duket se “ia kanë mbledhur” qeverisë shqiptare duke kërkuar prej saj luftë të ashpër anti-korrupsion. Duke e detyruar kësisoj që ajo të hartojë një strategji të posaçme me masa konkrete për realizimin e saj. Një fakt i tillë pohohet prej vetë ekspertëve të qeverisë në dokumentin e Strategjisë Ndërsektoriale kundër korrupsionit, i cili tashmë është zyrtarizuar dhe parashikon brenda tij një listë të gjatë pikash për finalizimin e luftës anti-korrupsion gjatë pesë viteve të ardhshme. Duke renditur konkretisht të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe raportet e tyre me kritika ndaj Shqipërisë për nivelin e korrupsionit. “Më 2014-n, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka cituar në raportet e saj mungesën e ndëshkueshmërisë për situatën e korrupsionit. Kurse Raporti i Progresit i BE-së 2014, ka theksuar që Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit, të forcojë bashkëpunimin ndërmjet agjencive ligjzbatuese dhe të eliminojë pengesat ndaj hetimeve proaktive”, citojnë ekspertët e qeverisë lidhur me një fakt të tillë. Duke shtuar se BE ka kërkuar nga Shqipëria që hetimet rreth pasurisë së pajustifikuar dhe korrupsionit duhet të jenë efiçente, duke përfshirë përdorimin efikas të hetimit financiar. Kjo do të çonte sipas tyre në kohë në ndërtimin e një historiku rezultatesh me ndjekje penale dhe dënime të formës së prerë në çështjet e korrupsionit. Për të shtuar më tej, se po sipas BE-së, dy fusha ku duhet të përqendrohen përpjekjet për të luftuar korrupsionin janë ato të shërbimeve tatimore dhe doganore. “Gjithashtu, Indicative Strategy Paper 2014-2020, rekomandon që Shqipëria duhet të ketë një qasje gjithëpërfshirëse për krijimin e një kornize institucionale të fuqishme që parandalon korrupsionin, duke përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet agjencive dhe duke forcuar mekanizmat e brendshëm të kontrollit, verifikimin e deklaratave të pasurisë, dhe kontrollin mbi financimin e partive politike”, citon më tej ky raport i BE-së. Por nga ana tjetër, ekspertët e qeverisë nuk lënë pa përmendur as Barometrin Global të Korrupsionit, sipas të cilit, 66% e grupit të pyetur në Shqipëri rreth ekzistencës së këtij fenomenti, mendonte që korrupsioni në vend ishte në rritje. Dhe fusha me nivel më të lartë korrupsioni sipas Barometrit është drejtësia, ku procedimi e ndëshkueshmëria e korrupsionit mbetet ende problematike. “Edhe pse janë ndërmarrë iniciativa gjatë viteve të fundit për ndëshkimin e korrupsionit, përfshi këtu krijimin e Njësive të Përbashkëta Hetimore, krijimin e njësive antikorrupsion në institucione ligjzbatuese etj., bashkëpunimi i agjencive ligjzbatuese për hetimin proaktiv të korrupsionit nuk ka pasur rezultate të ndjeshme për luftën kundër korrupsionit”, pohon ky Barometër.
KRITIKAT
– Numri i vendimeve në raport me numrin e dënimeve të dhëna nga gjykatat e rretheve gjyqësore për rastet korruptive, i ulët
– Në disa fusha, si drejtësia, shëndetësia dhe partitë politike, korrupsioni konstatohet të jetë në nivele alarmante
– Koncesionet janë fusha me rrezikshmëri të lartë për korrupsion pasi kërkojnë ngritjen e sistemeve të integruara për menaxhimin
– Problematika kryesore mbetet ende ngritja e strukturave të posaçme për kontrollin e financimit të partive politike
– Hetimet rreth pasurisë së pajustifikuar të zyrtarëve të lartë dhe korrupsionit duhet të jenë efiçente dhe jo pa rezultate konkrete
– Sipas Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës tek ne ekziston mungesa e ndëshkueshmërisë për situatat korruptive
AKUZA
“Koncesionet, me rrezik
të lartë për korrupsion”
Sipas ekspertëve të qeverisë, ndryshimet në ligjin për koncesionet dhe partneritetet publike-private kërkojnë rritje të transparencës lidhur me koncesionet si fusha me rrezikshmëri të lartë për korrupsion, pasi kërkojnë ngritjen e sistemeve të integruara për buxhetimin, menaxhimin financiar dhe prokurimin. Ndërkohë, në fushën e prokurimit, duhet të vijojë procesi i monitorimit të proceseve të prokurimit, ndërsa nevojitet kontroll më i plotë lidhur me shkelje të mundshme gjatë proceseve të prokurimit, përfshi këtu rastet e konfliktit të interesave.
APELI
Kontroll financimit
të partive politike
Me gjithë progresin e sipërpërmendur, lidhur me kontrollin e financimit të partive politike, përmes përmirësimit të kuadrit ligjor dhe institucional, në dispozitat ligjore, sidomos në Kodin Zgjedhor mbeten ende boshllëqe dhe probleme të evidentuara veçanërisht nga projekti ACFA. Problematika kryesore mbetet ende ngritja e strukturave për kontrollin e financimit të partive politike, caktimi i afateve të qarta të raportimit, detyrimi për regjistrimin e raporteve financiare të fushatave zgjedhore, publikimi i raporteve financiare, kufizimi i auditimit dhe kërkesave të raportimit në varësi të peshës së partive dhe thjeshtimi i raportimit financiar dhe kërkesave të auditimit në mënyrë që auditorët financiarë dhe auditorët e KQZ-së të jenë përgjegjës vetëm për auditimin e informacionit kyç.
PRITSHMËRIA
Kufizimi i imuniteteve, nuk
ka sjellë rezultatet e duhura
Ndryshimet kushtetuese për kufizimin e imuniteteve të deputetëve dhe gjyqtarëve hapën rrugën për goditjen penale të korrupsionit në nivelet e larta e luftimin e pandëshkueshmërisë. Këto ndryshime u shoqëruan, gjithashtu, me zbatimin e rekomandimeve për Shqipërinë, të raundit të dytë dhe të tretë të GRECO , në lidhje me çështjet e imuniteteve, pastrimin e parave, si dhe me miratimin e legjislacionit për sa i përket financimit të partive politike dhe të fushatave elektorale. Megjithatë, pavarësisht miratimit dhe zbatimit të pjesshëm të Strategjisë dhe Planit të Veprimit 2008- 2013, treguesit e dy viteve të fundit, sidomos në perceptimin e korrupsionit, kanë treguar përkeqësim të dukshëm.
MASAT
Parandalim, ndëshkim
por dhe ndërgjegjësim
Qëllimet e kësaj strategjie janë parandalimi, ndëshkimi dhe ndërgjegjësimi rreth korrupsionit. Ja disa nga masat:
1.Propozimi dhe hartimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor lidhur me përdorimin e burimeve apo fondeve publike gjatë fushatave zgjedhore;
2.Ndërmarrja e fushatave ndërgjegjësuese për blerjen e votave, si dhe për evitimin e aferave korruptive për arsye politike gjatë fushatave zgjedhore.
3.Rishikimi i kuadrit ligjor për inspektimin financiar publik me qëllim funksionimin efektiv të tij;
4.Rritja dhe fuqizimi i kapaciteteve të strukturave të auditit të brendshëm, si dhe rritja e cilësisë së auditit si struktura që parandalojnë korrupsionin;
5.Reformimi i sistemit të inspektimit në fushën e drejtësisë me fokusin në gjykata dhe Prokurori;
6.Inspektime elektronike dhe koordinimi përmes Inspektoratit Qendror për parandalimin e korrupsionit në inspektime;
7.Forcimi i monitorimit dhe i kontrollit të ekzekutimit të kontratave të prokurimit publik;
8.Forcimi i integritetit të zyrtarëve të agjencive të zbatimit të ligjit dhe reduktimi i korrupsionit etj.