“Të investosh në Shqipëri: Sfida dhe mundësi”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qendra e Ekselencës pranë MPJ organizuan konferencën me titull “Të investosh në Shqipëri: Sfida dhe mundësi”, në kuadër të projektit të financuar nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, i cili synon përforcimin e kapaciteteve të diplomacisë publike dhe ekonomike të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Aktiviteti solli së bashku një sërë institucionesh për të diskutuar mbi potencialet e Shqipërisë për të konkurruar denjësisht në tregun rajonal të Ballkanit Perëndimor, si dhe mundësitë që ekzistojnë për investitorët e huaj për të pasur akses të plotë në tregun vendas.

Qëllimi i këtij aktiviteti është krijimi i një platforme diskutimi ku aktorë të ndryshëm institucionalë, biznese vendase dhe të huaja, ekspertë dhe institute kërkimore të mund të shkëmbejnë ide dhe opinione mbi rolin që mund të luajë Ministria e Jashtme në ndërmjetësimin dhe afrimin e investimeve të huaja në Shqipëri.

Në aktivitet morën pjesë Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi, Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, Drejtori i AIDA-s Genti Beqiri, e të tjerë.

Në fjalën e tij, duke evidentuar rolin e diplomacisë ekomomike Ministri Bushati theksoi se: “Roli i diplomacisë ekonomike është i gjithanshëm dhe parashikon angazhime lidhur me tregtinë e jashtme, promovimin e interesave ekonomike të vendit, sensibilizimin e investitorëve për mundësitë që u ofrohen, negocimin dhe arritjen e marrëveshjeve ekonomike-tregtare si edhe bashkëpunimin për eliminimin e divergjencave”.

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi u ndal në rëndësinë e reformës ne drejtësi si dhe masat e ndërmarra për ta bërë Shqipërinë më atraktive për bizneset e huaja dhe vendase.

Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni u ndal në përpjekjet dhe hapat e ndërmarra nga Qeveria në garantimin e një zhvillimi të mirëplanifikuar të territorit në nivel kombëtar të materializuar në tre plane kombëtare, që kanë ofruar një skanim të plotë të situatës aktuale në territor por dhe kanë ofruar një platformë të qartë mbi zhvillimet e territorit në 15 vitet e ardhshme.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto evidentoi projektet dhe investimet që po kryhen në infrastrukturën rrugore dhe detare, në funksion të zhvillimit të vendit, ndërlidhjes rajonale dhe zhvillimit të turizmit.

Në aktivitet ishte i pranishëm Presidenti i FINSEC AG Alexander Auer, Investitori i Portit të Jahteve në Spille, i cili ndau me të pranishmit eksperiencën e tij mbi investimin që ka kryer në Shqipëri.

Ky aktivitet do të shërbejë në vazhdim si një model bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, përfaqësive të huaja në vend, bizneseve të huaja dhe aktorëve të tjerë të interesuar, me qëllim zhvillimin e dialogut dhe përforcimin e kapaciteteve të diplomacisë ekonomike, brenda dhe jashtë vendit.

SHKARKO APP