Të jesh njeri dhe shkencëtar si Bardhyl Golemi

Disa të vërteta të Akademikut që mësohen edhe në një promovim libri, edhe në fletët e pa shkruara të jetës së tij

Nga Duro Mustafai

Brenda dhe jashtë jetës së një shkencëtari

Ai i ka të gjithë titujt e lartë, që u jepen njerëzve të shquar të shkencës, Akademik, doktor, profesor dhe është dekoruar me urdhra e medalje për punë të veçantë kërkimore- shkencore drejtuese e mësim-dhënëse në institucione të larta. Por, ajo që tërheq vëmendjen e atyre që e njohin e kanë punuar me të është sentenca për çdo njeri në fushat e dijes e që mund të shprehet me fjalët “Shkencëtar dhe mund të mos jesh, po njeri i mirë duhet të jesh”. E megjithatë Bardhyl Golemi i ka të dyja. Edhe shkencëtar i shquar, edhe njeri i mirë dhe i nderuar..Për të, ndonëse nuk është emri që e bënë njerinë të shquar, është njeriu që bënë emër si kudo, edhe në shkencë, edhe në jetë…. Dhe emri i tij, është i njohur. Prandaj , me cilësitë e njeriut të mirë, të jesh shkencëtar dhe akademik si Bardhyl Golemi, është një ëndërr e bukur, sidomos e shkencëtarëve të rinj dhe e të gjithë atyre që ecin në rrugën e vështirë të shkencës. Puna e tij kolosale vërteton, se duke e bërë shkencën pjesë të pandarë të jetës dhe “bukën e tij të përditshme”, aq sa edhe tani kur i ka kaluar të 😯 vitet e jetës, nuk është larguar prej saj, kjo s’ka si të mos ngjallë admirim te të gjithë.. Ai është njeriu me tipare të veçanta që sfidon moshën, duke i konsideruar vitet thjeshtë si numra. Këtë të vërtetë e mëson, sado pak ,edhe kur gjendesh në një promovim libri, që mban firmën e tij… Kohë më parë Akademia e Shkencave të Republikës i promovoi atij veprën e plotë shkencore “Bazat teorike të elektroteknikës” prej 14OO faqesh. Por edhe pas kësaj, profesori kokulur e jashtë zhurmave mediatike do të punonte e krijonte. Pak ditë më parë ne ishim përsëri në një tjetër promovim të Akademisë së Shkencave. Ishte promovimi i njërit prej tri librave më të fundit të Bardhyl Golemit, ai që mban titullin. “Njeriu elektromagnetik në mjedisin elektromagnetik”. Një libër shkencor ky, po me vlera të shtrira në praktikën e jetës së përditshme njerëzore. Për kategorinë tonë, të atyre njerëzve që janë larg të panjohurave të shkencës, mund të ishte e vështirë kuptimi i rrolit të valëve elektromanjetike në mjedisin njerezor. Shkencëtari i vërtetë shikon përtej asaj që shohin njerëzit e tjerë. Por kur profesori nisi të shpjegonte thjeshtë disa nga ato çështje që quhen të domosdoshme e praktike për jetën si celulari, pasojat negative në përdorimin e tij, ose, ndikimi i fushave elektromagnetike, kur induktojnë te njeriu rryma elektrike, mbi studimet aktuale që dëshmojnë mungesën e rrezikut të kancerit mbi popullsinë, i lidhur me fushën elektromagnetike etj, etj, Shkencëtari fliste thjeshtë por hera- herës ,edhe me gjuhën e artistit, çka dëshmonte se sa i lidhur është arti me shkencën, që e bënë shkencëtarin të jetë me shpirt e zëmër artisti…….Ndërkohë, gjithë salla e mbushur me profesorë, studentë e intelektualë të fushave të ndryshme, nuk pipëtinte, gjithëkush e kuptonte se sa i rëndësishëm ishte libri me përmbajtjen e tij. E këtë do ta thoshte edhe prania e shkencëtarëve të tillë, të mirënjohur në botën akademike si e kryetarit të Akademisë, Myzafer Korkuti, i akademikut tjetër, nga më të shquarit e gjuhësisë e letërsisë, Jorgo Bulo, si dhe i akademikëve e profesorëve të tjerë, kolegë të afërt e të dashur të profesorit. Të vërtetat shkencore të shpjeguara thjeshtë, do të kishin edhe jehonën e tyre pozitive edhe tek ata të pranishëm që mund të ishin larg e “në periferi të shkencës”, por, që atë ditë e ndjenin vetëm më afër të vërtetave të dobishme të saj. Këtë do ta pohonte edhe ish-drejtori e inxhinjeri i ndërtimeve navale i Flotës Ushtarake Detare, koloneli Fatosh Voshtina, si dhe shkrimtari Përparim Hysi. Të dy folësit, si dhe disa të tjerë, si shkrimtari Luan Çipi e diplomati Pirro Veshi, veç përgëzimeve e urimeve për akademikun,ata shprehën kënaqësinë se po merrnin në dorë një vepër shkencore, që nuk u shërbente vetëm shkencëtarëve, por edhe njerëzve të tjerë.

Ja pse Profesor Bardhyli ,shkencën përherë e ka kuptuar e zbatuar si një armë të fuqishme në shërbim të njerëzve, për këtë ai ka punuar pa u lodhur për më se gjysmë shekulli.. Dhe s’mund të rrimë pa përmendur se ai, edhe tani në një moshë të thyer, shkencën e ka brenda vetes, udhëton me të, punon e krijon për të, por pa hequr dorë edhe nga detyra e profesorit mësim-dhënës në institucionet e larta shkencore, dhe nga veprimtaritë e tjera shkencore që kërkojnë mendimin me peshë të Akademikut.

Disa të veçantat në jetën e profesorit

Bardhyl Golem të gjitha klasat, që nga fillorja në Universitet, i përfundoi me notat “shkëlqyeshëm”! Gjimnazin e mbaroi me “Medaljen e Artë”! Dhe e veçanta tjetër ishte se, duke qenë student i shkëlqyeshëm i Universitetit (në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike), në vitin e fundit të tij, ndonëse vetë student, u caktua të jepte leksione për studentët e viteve të para. Universitetin e përfundoi me nota shkëlqyeshëm po këtë vit u emërua pedagog i Universitetit. Ai ishte ndër të parët, në mos i pari që në vitin 1979 mbrojti doktoratën, dhe prej 35 vjetësh mban gradën “Doktor i Shkencave” elektronike, veç titullit “Profesor”, ndërsa prej 16 vjetësh është zgjedhur Anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës. Nuk do përmendim këtu detyrat drejtuese në strukturat e Universitetit, se kanë qenë të shumta. Një tjetër e veçantë është se gjatë 55 vjetëve të punës së tij si pedagog e profesor ka përgatitur 77 breza studentësh. Është një fakt i rrallë, që edhe pa qenë anëtar Partie, por duke çmuar vlerat e një shkencëtari dhe ndershmërinë në punën për t’i shërbyer atdheut, në kundërshtim me mentalitetin e kohës, se në poste të larta, duhet të ishin komunistë, ai pa qenë i tillë, falë profesionalizmit, u caktua Zv. Ministër i Arsimit, për arsimin e lartë dhe të mesëm (1981-1991). U caktua edhe përfaqësuesi i Shqipërisë në UNESCO etj. Ai ka kontribuar në përgatitjen e rreth 6 mijë inxhinierëve, në Shqipëri e në Kosovë. Edhe pas viteve ’90, Bardhyli mbeti njeriu i shkencës e nuk u përfshi në politikë e partitë politike.

 10 vjet profesor në universitetin e Prishtinës

Profesor Bardhyli, punoi në Prishtinë, gjerë në vitin 1981, atëherë kur studentët e Prishtinës do të dilnin në rrugë për të protestuar e u përleshur, kundër regjimit të Milosheviçit, me parullat “Kosova e pavarur!”, “Kosova Republikë !”..Atëherë profesorët e ardhur nga Tirana, i detyruan të largoheshin nga Kosova. Dhe kjo ka arsyet e veta të kuptueshme..Është fakt, që profesor Bardhyli, mësimdhënien e tij nxënësve kosovarë, kurrë nuk e pa thjeshtë e vetëm si përgatitjen e tyre në ndihmë të ekonomisë e shkencës, por para së gjithash, si ndihmesë në zhvillimin e asaj pjese të kombit, që ishte e etur për dritën e civilizimit, si shqiptarë,e me dashurinë për mëmëdheun e përbashkët, Shqipërinë. E këtë ai, si dhe profesorët e tjerë të ardhur nga Tirana, e realizonte, brenda auditorëve të Universitetit, por edhe jashtë tyre.. Për kujtimet e tij mes studentëve kosovarë,ne patëm një bisedë me akademikun Bardhyl Golemi, dhe mundëm ti shkëputnim atij, disa nga kujtimet e tij interesante të punës së kolegëve shqiptarë në Kosovë por edhe të marrëdhënieve të studentëve të Prishtinës me profesorët e tyre që vinin nga Shqipëria..

                                    

I-Një dolli për flamurin…

 

Në bisedë më profesor Bardhylin më erdhi ndërmend një nga figurat më të njohura të muzikologjisë shqiptare, i ndjeri Beniamin Kruta, që shkonte shpesh në Kosovë me ekspeditat folklorike dhe ka bërë një punë të jashtëzakonshme. E dija që profesor Bardhyli e kishte mik atë, prandaj e pyeta për takimet e tij me Beniaminin, në Prishtinë duhej vetëm ky ngacmim, për të na treguar ngjarje që nuk harrohen.-

“Beniamini, më ka treguar, vijoj bisedën prof. Bardhyli, se këngët popullore të Kosovës, janë të famshme e ngjasojnë me ato të trevave të Shqipërisë, veçanërisht të veriut. Po Beniamini vlerësonte mbi çdo gjë tjetër mikpritjen e kosovarëve: “Është një gjë e veçantë dhe e rrallë në mënyrën se si shprehet ajo”- Benin, e kam pasur mik dhe kam kujtime të shumta me të, edhe në Kosovë, ku jemi takuar shpesh. Për të thoshin se s’kish fshat të Kosovës, ku të mos ketë qenë. Gjithmonë i qeshur dhe i dashur, përherë midis kosovarëve dhe këngëve të tyre. Atë do ta ftonin shpesh në darka e në dreka, që siç thoshte Beni, “ktheheshin në festa të mrekullueshme, por gjithsesi të zgjatura e të lodhshme.” Një tregim i Benit për një darkë në një nga fshatrat e Kosovës, na shpëtoi, mua me një shokun tim nga Tirana, nga një siklet i paparashikueshëm. Çfarë kishte ndodhur? Ishte ftuar për darkë në një familje kosovare, në një fshat diku aty afër Prishtinës. “Por,- më thoshte Beni dukeqeshur, kish kaluar mesnata dhe i zoti shtëpisë vazhdonte të ngrinte dolli e shëndete me një raki të fortë, që thoshte se dikush ja kishte prurë nga Shqipëria. Ai deshte të na kënaqte, prandaj, nuk shikonte që ne po na mbylleshin sytë e se të nesërmen do shkonim në punë.” “Pini- thoshte, pini pa merak se “shëndetet, shëndet bahen…. Pastaj, ne këtu kena një zakon, darkën e mbyllim, kur të ngrihet një dolli, pas së cilës, dollitë e tjera nuk kanë vlerë. Kur dëgjova këto fjalë të të zotit të shtëpisë, atëherë më erdhi ndërmend se duhej të bëja diçka. U ngrita në këmbë, u thashë edhe të tjerëve të ngriheshin në këmbë dhe me gotën e ngritur lart, thashë: “Këtë dolli do ta pimë për flamurin”! Ndërkaq darka kish përfunduar. U përqafuam me njëri-tjetrin dhe u larguam. Flamuri për kosovarët ishte gjëja më e shenjtë edhe në dasma, por edhe në darka, për të mos thënë më tej në “Ditën e Flamurit”. Këtë dolli do ta ngrija edhe unë nja dy vite më vonë. Së bashku me profesor Gëzim Karapicin na kishin ftuar në një fshat jo shumë larg nga Prishtina. Mikpritësi, që ishte i pari i fshatit, sipas zakonit dhe për të na nderuar, kish thirrur në darkë edhe nja 25-30 burra të fshatit. Ishte një darkë e mrekullueshme, jo vetëm për të gjithë ato të mira që ishin shtruar, por për bisedat e këndshme. Këtu gjithkush prej nesh mendonte se ishte midis vëllezërve, që takojnë vëllezërit e tyre, të larguar prej vitesh e që mblidhen përsëri për të shprehur mallin e dashurinë për njëri-tjetrin. Po edhe këtu, si në atë darkën që më tregoi i paharruari, Beniamin Kruta, kish kaluar mesnata dhe i zoti shtëpisë vazhdonte nga përshëndetjet që pasoheshin edhe nga burrat e tjerë. Edhe pas insistimeve tona për t’u larguar, se të nesërmen na prisnin studentët në Universitet, ai dëshironte që ta gdhinim aty. Atëherë na u duk se s’kishim rrugë tjetër. M’u kujtua ajo që më kish treguar Beni dhe bëra siç kishte bërë ai. U ngrita në këmbë dhe u thashë se para se të largoheshim, do të ngrija një dolli të rëndësishme. Të gjithë burrat u ngritën në këmbë. “Këtë dolli, thashë, do ta ngremë për gjënë më të shenjtë që kanë shqiptarët, për flamurin tonë” Atëherë pash në sy të zotin e shtëpisë, që më tha: “Mos bre burrë, se pas kësaj na duhet të ndahemi me njëri-tjetrin”. Dhe ndarja nuk vonoi. Pas falënderimit të zotit të shtëpisë, se kishte pritur në shtëpinë e tij njerëz të nderuar nga Shqipëria, e pas përqafimeve me njëri-tjetrin, ne u larguam nga një takim i paharruar.

II-Në auditor nuk kish vetëm studentë…

Në Prishtinë të papriturat befasuese ishin të shumta. Sapo autobusi ynë me profesorët e ardhur nga Tirana, qëndronte tek Hotel “Bonzhur”, banorë të moshave të ndryshme, grumbulloheshin, e njëri pas tjetrit, uleshin për të puthur targën e autobusit me shkronjat “TR”, pastaj suleshin për të na përqafuar me fjalët: “Jena vëllazën” dhe “Ju duem fortë”, pa u frikësuar se aty pranë tyre gjendeshin agjentë e spiunë të UDB-së jugosllave…Por ajo që më bënte më tepër përshtypje ish fakti që qysh në leksionet e para, në Universitet, auditorët ishin plotë me njerëz, që nuk po i kuptoja cilët ishin në të vërtetë, e çfarë kërkonin ata në leksionet e eletroteknikës. Po dekani i fakultetit, që kisha në krah, do më shpjegonte:

-Të lutem, profesor, mos u çuditni që këtu veç studentëve të regjistruar, kanë ardhur edhe njerëz të moshave e të profesioneve të ndryshme, ka marangoz, kovaç, furrtarë e zejtarë, shitarë e tjerë. Ishte dëshira e tyre të vinin e ne nuk mund ti largonim. Ata kanë lënë punën, duke na thënë se “Duem me dëgjue profesorët tanë nga Tirana me na folë në gjuhën e bukur shqipe, në gjuhën e vendit amë” . E dëgjova dekanin që i qeshnin edhe sytë, dhe ndërsa salla kish rënë në qetësi e askush nuk pipëtinte, ngrita zërin e përshëndeta i emocionuar e me një ndjenjë të thellë dashurie, të gjithë pjesëmarrësi, pastaj nisa leksionin, që nuk e besoj të jetë kuptuar edhe nga ata 50-60 vjeçarët, por tingëllimet e gjuhës së bukur të nënës, jam i sigurt që i kanë pëlqyer…Se edhe pas përfundimit të leksionit, ishin ata, pjesëmarrësit e moshuar, që s’kishin të bënin me temën e mësimit, por që na përshëndesnin me fjalët : “Faleminderit profesor, faleminderit, Shqipëri!”……

 

III-”Ai studenti kosovar, tani e tutje do të jetë vëllai im..”

“Ishte kënaqësi tu jepje leksione studentëve kosovarë, gjatë gjithë kohës ata dëgjonin me vëmendje e të shikonin në sy, gjë që tregonte për interesin e tyre të madh. Por kishte edhe të pa pritura befasuese,sa po mbarova leksionin e një dite….Ndërkohë, njëri nga studentët nxori nga xhepi një stilograf e më tha: “Profesor, unë duhet të njihem me ndonjë nga studentët e Universitetit të Tiranës, por e kam vështirë të dërgoj letër. Të lutem që këtë stilograf t’ia jepni studentit që në regjistër ka numrin 18, sepse dhe unë kam numrin 18”. Dhe më dha emrin e tij, që e shënova në bllokun tim .

-Dhe ç’ndodhi, ju ia plotësuat dëshirën?

-Natyrisht që po. Kur u ktheva në Tiranë, e para gjë që më ra ndërmend ishte stilografi i kosovarit që rrinte në xhepin tim. Kur do të jepja leksion me studentët e vitit të dytë (sepse edhe studenti nga Prishtina ishte i vitit të dytë), hapa regjistrin dhe u ndala tek numri 18.

Ishte emri i një vajze. E thirra të ngrihej e të merrte stilografin, si dhuratë e shenjë vëllazërie të një studenti kosovar, duke i treguar edhe ngjarjen që kish ndodhur në Prishtinë. Vajza e emocionuar ngaqë një gjë të tillë nuk e priste, tha vetëm pak fjalë, që më befasuan e m’u ngulitën në mëndje: “Profesor, atë studentin kosovar, që sot unë do ta konsideroj si vëllanë tim, kushedi, një ditë do të takohemi në Tiranë, ose Prishtinë”.

Më vjen keq, që pas kaq vitesh, emrin e asaj vajze e kam harruar. Por për një gjë jam i sigurt, që vajza nga Tirana emrin e vëllait të saj nga Prishtina, nuk e ka harruar, e ndofta edhe është takuar me të. 

SHKARKO APP