Të pamëshirshëm kundër barbarisë
Nga Enver Robelli
Para dhjetë muajsh terroristët islamikë sulmuan gazetën satirike franceze «Charlie Hebdo» dhe vranë 12 njerëz, redaktorë e karikaturistë. Cili ishte faji i tyre? Kishin karikuar profetin Muhamed. Siç kishin bërë dhjetëra herë më parë me një profet tjetër: Jezu Krishtin. Që nga atëherë i ashtuquajturi «Shtet Islamik» dhe organizatat terroriste të afërta me të kanë vrarë rreth 300 veta: francezë, britanikë, rusë, danezë. Sulmi i koordinuar i së premtes në Paris, pas të cilit sipas të gjitha gjasave qëndrojnë anëtarët apo simpatizantët e shtetit terrorist islamik, është një akt i shpalljes së luftës. Nuk është goditur vetëm Franca, por mbarë njerëzimi. Secili prej nesh ka mundur të jetë në Paris dhe të bie viktimë e terroristëve, të cilët çirreshin «Allahu Akbar».
Duke mos zgjedhur viktimat terroristët demonstrojnë hapur se ata e urrejnë sistemin perëndimor të demokracisë dhe të vlerave. Ata godasin në restorant, në sallë koncerti, afër stadiumit të futbollit. Ata janë kundër modelit tonë kulturor, janë kundër mënyrës si vishemi, si e kalojmë kohën e lirë, si e shprehim mendimin tonë – lirshëm dhe pa frikë. Ata duan të imponojnë regjimin e frikës – njëjtë si në «kryeqytetin» e tyre Raka në Siri. Ky armik shpesh është i padukshëm, andaj pjesa perëndimore e botës gjendet para një lufte të gjatë, të mundimshme, me gjasë edhe me plot goditje të tjera nga terroristët islamikë. Bota perëndimore duhet të tregohet e ashpër dhe me të gjitha mjetet e ligjshme t’i përgjigjet terroristëve, që në emër të fesë islame duan të shkatërrojnë shoqëritë e hapura, liberale. Kundër armiqve të lirisë nuk duhet të ketë mëshirë. Lufta kundër tyre duhet të jetë e pamëshirshme.
Në këtë betejë kundër të keqes shqiptarët duhet të rreshtohen më shumë se kurrë përkrah aleatëve tanë perëndimorë. Viteve të fundit, për fat të keq, dhjetëra, në mos qindra shqiptarë janë bërë aktivistë, simpatizantë, fanatikë, luftëtarë të «Shtet Islamik» dhe bishtave të tij kuazifetar. Dhjetëra imamë hapur apo me aludime kanë bërë propagandë për luftë kundër vlerave perëndimore. Deklaratat e tyre janë bërë hite në kanalin youtube, janë shpërndarë nga mediumet në mënyrë jokritike, gjuha e urrejtjes, kërcënimet janë shndërruar në përditshmëri. Është bërë zakon që më së shumti të kërcënohen me heqje qafe ata zëra publikë që kanë kritikuar jo islamin si fe, por keqpërdorimin e tij për qëllime politike dhe antikulturore.
Viteve të fundit shoqëria shqiptare ka pësuar goditje të rënda. Shqiptarët kanë qenë të përzier në një tentim për sulm kundër një baze ushtarake në Amerikë. Një shqiptar ka vrarë dy ushtarë amerikanë në Frankfurt. Disa shqiptarë janë arrestuar në përpjekje për të vrarë një karikaturist danez. Në Tiranë hapur shiten doracakë me këshilla përse çdo mysliman duhet të jetë terrorist. Teologët liberalë si Xhabir Hamiti rrihen nga banda pseudofetare dhe reagimi i shoqërisë është i zbehtë. Të premten në një aksion në disa shtete europiane kundër të dyshuarve për terrorizëm u arrestua edhe një «teolog» radikal shqiptar me banim në Italinë veriore. Tani u bë e ditur se autoritetet gjermane para 10 ditësh kanë arrestuar një shtetas malazez në landin e Bavarisë. Në veturën e tij ai kishte shumë armë dhe autoritetet po zhvillojnë hetime nëse i arrestuari kishte ndonjë lidhje me sulmuesit në Paris. Para pak ditësh gazeta amerikane «Washington Post» shkroi: «Një burim i lartë nga rajoni i ka thënë <Washington Post> se inteligjenca kroate ka identifikuar një lider të mundshëm të ISIS-it, që është vendosur në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, dhe ka nisur të organizojë shumë luftëtarë islamikë, që janë larguar nga Ballkani për t’iu bashkuar <Shtetit Islamik> ose Frontit <Al-Nusra> të <Al-Qaidas> në luftën e Sirisë dhe në Irak, dhe tash janë kthyer në vendlindje».
Radikalët e kthyer nga Siria në viset shqiptare mund të paraqesin rrezik shumë të madh edhe për shoqëritë tona shqiptare – në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoninë shqiptare. A janë këto shtete të gatshme për t’u ballafaquar me rrezikun? A kemi institucione të sigurisë të drejtuara nga profesionistët? Për fat të keq jo. Mjafton të shikohet lista e skandaleve të policisë dhe gjyqësisë së Kosovës, Shqipërisë apo Maqedonisë në vitet e fundit për kuptuar një gjë: qytetarët me të drejtë duhet të kenë frikë.
Por, frika nuk duhet të jetë përgjigjja jonë. Përgjigja jonë duhet të jetë rezistenca aktive kundër murtajës terroriste. Qytetarët e vëmendshëm duhet të denoncojnë çdo person me tendenca radikale. Duhet të vënë në shënjestër çdo imam sharlatan që luan e manipulon me ndjenja fetare dhe i përkthen ato në potencial terrorist. Qeveritë e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi pa humbur kohë duhet të mbajnë një mbledhje të përbashkët për të koordinuar veprimet kundër rreziqeve që janë evidente dhe mund të shkaktojnë edhe gjakderdhje. Bashkësitë Islame në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup pa asnjë mëdyshje duhet të deklarohen se i përkrahin dhe i mbrojnë vlerat perëndimore dhe demokratike. Secili imam që devijon nga këto vlera duhet të ndëshkohet sipas ligjit dhe të përjashtohet nga radhët e organizatave fetare. Duhet të ketë kontroll të rreptë të institucioneve shkollore dhe konvikteve myslimane, të cilat në viset shqiptare janë hapur gati pa asnjë kontroll. Duhet të ketë kontroll rigoroz të kanaleve financiare. Është sekret publik se disa vende të Gjirit Persik aktivisht përkrahin përhapjen e ideologjisë fetare vahabite, e cila kërkon përleshje civilizimesh dhe luftëra religjioze.
Urgjentisht duhet të bëhet presion kundër bashkësive islame që t’i tërheqin nga Perëndimi të gjithë ata imamë që në Zvicër, Gjermani, Austri, Itali, Suedi e gjetiu keqpërdorin liritë perëndimore për të propaganduar dhunë në emër të fesë. Ambasadat e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë duhet të angazhohen në mobilizimin e diasporave të mëdha shqiptare për të përbuzur fanatikët. Duhet të punohet shumë më tepër me të rinjtë, që ata të mos bien pre e joshjes nga elementë radikalë. Duhet t’u bëhet apel prindërve që të jenë syçelë dhe të mos lejojnë që fëmijët e tyre të manipulohen nga sehirxhinjtë fetarë. Muajve të fundit kemi parë se si jo vetëm nga viset shqiptare në Ballkan ka mjaft njerëz që shkojnë për të luftuar në Siri, por edhe nga diasporat tona në Perëndim. Qyteti i Winterthurit në Zvicër është një nga këta shembuj frikësues. Autoritetet e Kosovës, për shembull, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap kundër këtyre zhvillimeve të dëmshme në diasporë. Përfaqësitë diplomatike janë mjaftuar me dërgimin e urimeve për Bajram – gjë që nuk është fare punë e tyre.
Problemi që kanë vendet e Ballkanit në luftimin e terrorizmit është mungesa e koordinimit dhe vetëdijes se rreziku u kanoset të gjithëve. I njëjti problem ekziston edhe në rrafshin ndërkombëtar. Në konfliktin e Sirisë janë të përziera shumë shtete, përfshirë edhe Francën. Nuk ka një koordinim të aksioneve kundër «Shtetit Islamik». Franca bombardon sipas regjisë së vet, Rusia sipas agjendës së vet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas strategjisë së tyre. Moska ia mban anën diktatorit sirian Bashar al-Asad, Irani dërgon trupa për të përkrahur alevitin Asad kundër shumicës sunite në Siri, Arabia Saudite mbështet grupet e ndryshme sunite kundër Asadit, Washingtoni përpiqet të gjejë aleatë në mesin e grupeve kryengritëse – deri më tani pa sukses. Turqia më shumë është e interesuar të luftojë kurdët se sa «Shtetin Islamik». Për t’iu afruar epiqendrës së të keqes të gjitha këto shtete duhet të kenë një plan të përbashkët veprimi. Dhe pikësëpari duhet të ndalin shitjen e armëve në vendet e Gjirit Persik. Presioni ekonomik dhe ushtarak duhet të jetë i pakompromis për ta shpëtuar botën nga një bandë që deri më tani është rritur si hidër – edhe për shkak të indiferencës dhe gabimeve të shteteve perëndimore.