Të qeshim apo të qajmë!?
Nga Gëzim Mekuli
A duhet të krenohen shqiptarët me yllin, Rita Ora? A duhet shqiptarët të përqendrohen tek “prodhimet e huaja”? Rita Ora nuk është produkt i yni, Rita Ora, që po shkëlqen tani, nuk është “punë e jona”, nuk është mund i shtetit tonë e as investim i mentalitetit tonë. Me Ritën, ma merr mendja, duhet të jenë krenarë anglezët, Mbretëria angleze. Ishin vlerat e këtij shteti që ia mundësuan Rita Orës zhvillimin e personalitetit të saj personal e profesional e që kjo vlerë, pastaj, të shpërthej edhe jashtë kufijve të shtetit anglez. Po, është shoqëria angleze, shkolla dhe edukimi anglez, garantimi i lirisë personale, institucionet angleze dhe e tërë infrastruktura e shtetit anglez, ajo që duhet të jetë “krenare” me Rita Orën. E them këtë, sepse ishte mu ky komb, ai, që e zbuloj, e vlerësoi dhe e shkolloj këtë qytetare angleze, e me gjak shqiptar.
Por, këtu, nuk mund të mos e shtroj pyetjen "e madhe": Çka do të ndodhte nëse Rita Ora të jetonte në hapësirat shqiptare, në Tiranë, Prishtinë, e Shkup? Çfarë do të ndërmerrte shteti ynë për këtë talente? Ç'farë bëri e po bënë hapësira jonë shqiptare për talentet që i ka aty afër, mu “tek hunda”? A po i sheh institucioni ynë rininë tonë, a po punon shteti ynë me fëmijët e vet? Nëse po, në ç'shkallë dhe sa para ndahen tek ardhmëria jonë? Fakte dhe shifra dua unë, jo deklarata e retorikë ditore. Përkatësia kombëtare, në vetvete, nuk është arsye e as shkak, qe dikush, apriori, të jetë krenar me dikënd, vetëm nëse ai/ajo është i të njëjtit komb. Kjo logjikë e të vlerësuarit, më shumë, më përkujton mendimin e shekullit XIX.
Po e shfrytëzoj rastin të shprehë mendimin tim edhe për një botëkuptim tjetër që ka konotacione “bllanko – kombëtare”. Është fjala për humanisten e madhe të njerëzimit, shqiptaren, Nënë Tereza. Edhe këtu kur thonë se, ne shqiptarët, duhet të jemi krenarë me Nënë Terezën, më duket se është mendim i ngushtuar. Edhe kjo bindje dhe kjo logjikë na çon tek mendimi i vitit 1900. Edhe Nënë Tereza ishte prodhim i shoqërive tjera, kombeve tjera, ishte prodhim i nxjerrë nga edukimi dhe shkollimi i marrë tek kombet tjera. A e dini se në ç'moshë e brkatisi vendlindjen e sajë, Shqipërinë, Gonxhe Bojaxhiu?
Familja e rëndësishme, por…
Po, familja ka peshën dhe rëndësinë e vet të pazëvendësuar për edukimin e fëmijës por, a është e mjaftueshme kjo, sot? Përse janë atëherë institucionet shtetërore? Përse formohet shteti? Përse ekziston sistemi shkollor? Shqiptarët i bënë të ndjehen krenarë punësimi, edukimi dhe arsimimi cilësorë, rendi kushtetues, gjykata dhe prokuroria e pavarur, mediat e pavarura, respekti i sinqertë ndaj gjinisë femër, policia profesionale, e siguria kolektive. Po, të gjitha këto vlera shoqërore e popullore duhen të jenë prodhime të shoqërisë e të shtetit tonë: të preken e të shijohen nga populli. Nuk të bënë krenarë polici e kirurgu shqiptarë në Norvegji, nuk të bënë krenarë profesori shqiptarë në Oslo, nuk të bënë krenarë kryemjeku e gazetari shqiptarë në Berlin e në Washington.
Në fund fare: Sot në Oslo të Norvegjisë fillon gjykimi i 3 të dyshuarve për terrorizëm. Dy nga këta të rinj janë shqiptarë. Janë dy vëllezër nga Peja e Kosovës, të cilët janë të dyshuar se, kanë ndihmuar organizatën terroriste ISIS. … Një vëlla i tyre, Egzon Avdyli, është vrarë në Siri duke luftuar krahpërkrah me ISIS….Tani shtrohet pyetja: Kush të turpërohet e kush të “krenohet” në këtë rast?