Të rinjtë nga Shqipëria dhe Serbia takohen në Durrës

Një trajnim pesë-ditor rreth përdorimit të aftësive digjitale për promovimin e vlerave të OSBE për të rinjtë nga Shqipëria dhe Serbia përfundoi më 22 Shtator 2016 në qytetin e Durrësit. Kursi u organizua nga Misioni i OSBE në Serbi në partneritet me Prezencën e OSBE në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Rinisë dhe Sportit të Serbisë dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë dhe Këshillin Rinor Kombëtar të Serbisë.

Pjesëmarrësit diskutuan dhe shkëmbyen pikëpamje rreth sfidave dhe perceptimeve aktuale të rinisë nga të dyja vendet, si dhe shqyrtuan mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit rinor rajonal dhe dypalësh mes organizatave rinore të shoqërisë civile dhe përtej. Pjesëmarrësit patën një mundësi të mirë për të fituar aftësi digjitale, si dhe për t’i përdorur ato për zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në përputhje me angazhimet e OSBE dhe Memorandumin e Mirëkuptimit.

“Gjatë këtij kursi trajnimi e gjeta veten tek përjetoja një pikë kthese, sepse rrjetet u kthyen në lidhje dhe të huajt u bënë shokë,” tha Rei Kalaja nga organizata Ecolëvizja me seli në Shqipëri.

Organizatat rinore, por edhe qeveritë e të dyja vendeve, e kanë njohur nevojën për bashkëpunim dhe rrjetëzim. Një Memorandum Mirëkuptimi në lidhje me Rininë u nënshkrua në vitin 2014 nga Kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë me synim ndërtimin e urave mes rinisë së të dyja vendeve.

“Duke qenë ndër pionierët e këtij procesi, jam e sigurt se neve do të na bashkohen edhe organizata rinore të tjera nga Serbia dhe Shqipëria, duke bashkëpunuar edhe në nivel rajonal,” shtoi Mina Radoncic nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme i Serbisë.

“Jemi të vendosur që t’i shembim barrierat dhe në vend të tyre të ndërtojmë ura,” ranë dakord që të dy të rinjtë pjesëmarrës.

Kursi, i cili u ndoq prej 20 të rinjve, u zhvillua në kuadrin e një projekti të OSBE, mbështetur financiarisht nga Ministria Federale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, me synim forcimin e lidhjeve rajonale mes aktorëve rinorë të të dyja vendeve.

Misioni i OSBE në Serbi dhe Prezenca e OSBE në Shqipëri japin kontributin e tyre në kuadrin e këtyre përpjekjeve, në mbështetje të frymës së bashkëpunimit, tolerancës dhe miqësisë mes të rinjve. Misionet e OSBE në rajon, përfshirë këtu Prezencën e OSBE në Shqipëri, po punojnë me Zyrën e porsahapur të Bashkëpunimit Rinor Rajonal të Ballkanit Perëndimor, me seli në Tiranë, e cila ka në fokus të saj nxitjen e pajtimit, si dhe programe të lidhura me kujtesën, diversitetin, shkëmbimet ndërkulturore, lëvizshmërinë rajonale, pjesëmarrjen qytetare, si dhe promovimin e vlerave demokratike.

SHKARKO APP