Të vërtetat e varrosura të vrasjes masive të nazistëve

 

Nga Roger Cohen, The New York Times

Një film shumë i rëndësishëm lidhur me Holokaustin mbërriti këto ditë në Nju Jork për herë të parë pas një udhëtimi rraskapitës që nisi përpara 70 vjetësh, kur forcat aleate dhe reporterët e luftës hynë në kampet naziste të përqendrimit. I quajtur “Kampet gjermane të përqendrimit, vëzhgim faktesh”, ai është rrëqethës ashtu si edhe titulli, një dokument i hapur për të dëshmuar përgjithnjë të paimagjinueshmen.

I realizuar nën kujdesin e Ministrisë britanike të Informacionit dhe i prodhuar nga “Sidney Bernstein”, themeluesi i “Granada Television”, i përmbledhur me këshillime të Alfred Hitchcock, filmi kishte për qëllim për t’iu treguar gjermanëve vendas se çfarë ishte bërë në emrin e tyre në Goethe dhe Hölderlin.

Edhe pse pas një prerjeje të pesë prej gjashtë copëzave të tij, ai u transmetua në ministri më 29 shtator 1945, për t’u dergjur më pas për dekada të tëra në arkivat e Muzeut britanik të Luftës. “Vëzhgimi faktual” u restaurua vetëm së fundmi, u dixhitalizua dhe u plotësua nga stafi i muzeut me të gjashta pjesët e tij.

Dokumentari i shfaqur te Muzeu i Trashëgimisë Hebreje, nuk është i rëndësishëm vetëm për atë që paraqet – një testament i ligësisë naziste – por gjithashtu edhe për historinë e tij të çuditshme, e shoqëruar nga lënia pas dore e politikës dhe shmangia e turpshme.

Do ta nisja me vetë filmin, që kthehet pas në kohë më 1945-n, fillimisht në Bergen-Belsen. Kamera kap fillimisht një qetësi varri në hyrje të kampit, më pas filmon disa të burgosur brenda, për të shkuar më tej te tmerri në qendër të saj. Trupa të dekompozuar qëndrojnë nëpër gropa. Sy të çakërryer shohin drejt pafundësisë. Trupat janë shndërruar në kockë e lëkurë nga rojet gjermane të mirushqyera. Vdekja nuk shihte njeri në sy, të rinj apo të vjetër qofshin, kufomat e të cilëve qëndronin mbi njëri-tjetrin. Rrëfimi ndalet. Duket sikur nga gropat dalin klithma të heshtura për ndihmën që njerëzimi ua mohoi.

Banorët lokalë janë sjellë aty që të shohin me sytë e tyre dhe ulin kokat plot hipokrizi. Sigurisht që e dinin. Një ushtar i ri britanik mezi arrin ta shprehë zemëratën e tij. Kamera dëshmon atë që Hollivudi ka paraqitur në mijëra forma. Në origjinalitetin e tyre, pamjet paraqesin një realitet që asnjë studio nuk mund ta paraqesë.

E tregon ashtu si ishte, një “Vëzhgim Faktesh”. Sikurse nuhati Bernstein, mohuesit zor se do të thyheshin. Ata janë shtuar sot, arsye kjo pse dokumentari duhet parë medoemos.

Filmimi është gjithashtu problematik. Ai lëviz nga kampet e përqendrimit në Gjermani – përfshi Dachau dhe Buchenwald — për të kaluar më pas te kampet e shfarosjes në Poloni -— Auschëitz dhe Majdanek — pa bërë lidhje midis tyre: se në prag të përfundimit të luftës një numër i madh hebrenjsh të mbijetuar ndaj trajtimit degradues nazist në Lindje u dërguan në marshimet e vdekjes drejt vendeve si Buchenuald. Shumë prej skeleteve që u gjendën në të janë padyshim të tyret.

Megjithatë nuk citohet në asnjë vend holokausti, që pak përdorej për ta lidhur me hebrenjtë. Bernstein krijoi një film që të dëshmonte mizorinë njerëzore dhe të bënte thirrje për vigjilencë ndaj saj, që të ishte universal. Është gjithashtu e vërtetë se vrasja masive e hebrenjve europianë qe një siklet i madh për aleatët. Në “Deklaratën e përbashkët lidhur me mizoritë” në tetor 1943, e nxjerrë nga Churchill, Roosevelt dhe Stalin, në të nuk përmendeshin hebrenjtë, edhe pse që asokohe me miliona ishin djegur apo pushkatuar. Edhe më 1945-n fati i hebrenjve ishte i njohur në Londër.

Megjithatë, dolën përparësi të tjera. Mbërriti Lufta e Ftohtë. Duhej rindërtuar Gjermania Perëndimore për ta luftuar atë. Nuk kishte asnjë pikë ndërgjegje apo faji nëpër mendjet e gjermanëve. Ose të paktën kështu u vazhdua të mendohej. Britania ishte gjithashtu shumë e angazhuar më 1945 me çështjen e Palestinës, ku hebrenjtë po ngriheshin për të luftuar pushtetin britanik dhe kërkonin një atdhe. Dhe një film kaq i fuqishëm, me shmangiet e tij të mistershme, u përball edhe me anashkalime të tjera dhe u stivos nëpër arkiva.

SHKARKO APP