Tedi Blushi: Jemi pro marrëveshjes së huasë, por akt pabesie i PS në raport me SHBA-në
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi flet për marrëveshjen e huasë së qeverisë ”Rama 4” me SHBA-në, duke theksuar se opozita është pro paktit, por kundër procedurës dhe veprimeve të mazhorancës. Sipas tij, nga ana e PS kemi të bëjmë me një akt pabesie në raport me marrëdhëniet me aleatin strategjik, SHBA-të, si dhe një shkelje të Kushtetutës.
”Qeveria e ka miratuar këtë marrëveshje më 19 qershor të këtij viti, ka pasur 5 javë kohë për të respektuar procedurën parlamentare, sepse rregullorja e Parlamentit buron nga Kushtetuta, dhe s’ka asnjë arsye nëse një marrëveshje kaq e veçantë, marrëveshje sekrete, me partnerin më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë, nuk mund të trajtohet si e pavlerë.
Mazhoranca me vetëdije ka trajtuar një marrëveshje të një rëndësie kaq të veçantë, si një letër të pavlerë, nuk besoj se është në interesin marrëdhënieve strategjike me SHBA-të që një marrëveshje kaq të veçantë ta miratojmë në shkelje të Kushtetutës, në një vend që është simbol i respektimit rigoroz të Kushtetutës.
Ky është një akt pabesie në raport me marrëdhëniet e veçanta, aleancën strategjike me SHBA-të, dhe këtu fillon dhe mbaron ky diskutim. Opozita e ka shprehur se është pro marrëveshjes, por s’mund të pranojë që një marrëveshje e kësaj rëndësie me aleatin strategjik të kalojë në Parlament përmes një procedure të qëllimshme anti-kushtetuese. Është një tjetër kompromentim i rëndë që kjo mazhorancë u bën raporteve me SHBA-të”,-tha në ”A2cnn”.
KOHA JONË SONDAZH

