Tedi Blushi në Parlamentin Europian: Integrimi i pamundur pa shtet ligjor, Rama ka shpopulluar vendin nga të rinjtë
Kryetari i grupit parlamentar i PL-së, Tedi Blushi, zhvilloi takime në Parlamentin Europian me Kryetarin e Delegacionit, Marco Tarquinio, si dhe raporterin për Shtetin Ligjor, Konstantinos Arvanitis. Blushi paraqiti një panoramë kritike të situatës në Shqipëri, duke deklaruar se, sipas tij, vendi po përballet me pasoja “dramatike” të keqqeverisjes dhe një proces të thellë shpopullimi, veçanërisht nga të rinjtë. Ai akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe kriminalizim të shtetit, duke pretenduar se këto fenomene kanë dëmtuar rëndë institucionet dhe integrimin europian të vendit.
Ai ngriti shqetësime për përdorimin politik të drejtësisë dhe për gjendjen e lirisë së medias dhe shprehjes në vend. Blushi akuzoi gjithashtu qeverinë për keqpërdorim të fondeve publike dhe ndihmave europiane, përfshirë programin IPARD, duke theksuar se kjo ka ndikuar negativisht në sektorin bujqësor. Po ashtu përmendi çështjen e ish-Presidentit Ilir Meta, duke pretenduar se ndalimi i tij nuk është i bazuar në prova, një deklaratë që e krahasoi me raste historike të njohura në Europë.
”Pasojat dramatike të keqqeverisjes së Edi Ramës kanë shpopulluar vendin nga të rinjtë. Korrupsioni dhe kriminalizimi i shtetit kanë shpopulluar Shqipërinë si asnjë vend tjetër në rajon. Kjo është arsyeja pse të rinjtë sot janë ngritur në protesta masive për largimin e panegociueshëm të Edi Ramës.
Korrupsioni ka shkatërruar shtetin ligjor. Reforma në drejtësi dështoi të luftojë korrupsionin. Tregues është raporti i Transparency International që e rendit Shqipërinë 11 vende më poshtë se një vit më parë. Progresivisht, me rritjen e numrit të arrestimeve është rritur edhe korrupsioni. Pandëshkueshmëria është kthyer në sistem.
Drejtësia e re po përdoret politikisht. Presidenti Meta është mbajtur prej 2 vitesh në paraburgim, një skenë që të kujtonte rrëmbimin e Aldo Moros. Meta ndodhet në paraburgim pa asnjë provë dhe pa asnjë fakt penal kundër tij. Nuk mund të ketë integrim në Bashkimin Evropian pa një shtet të së drejtës dhe pa respektimin e Konventës Evropiane”, tha Blushi.
KOHA JONË SONDAZH

