
Akuzat për përdorim të tepruar të forcës nga policia gjatë protestave dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama shkaktuan debate mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës në Komisionin për Çështjet e Brendshme. Deputeti i PD-së, Isuf Çelaj, dhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu, kërkuan llogaridhënie nga qeveria për veprimet e policisë ndaj protestuesve, ndërsa kryetari i komisionit, socialisti Bledar Çuçi, e zhvendosi vëmendjen te sulmet ndaj efektivëve dhe dëmtimi i institucioneve publike.
Çelaj: Dhuna ndaj protestuesve kërkon përgjegjësi politike
Deputeti demokrat Isuf Çelaj kritikoi mungesën e ministrit të Brendshëm në mbledhje, duke kërkuar shpjegime për trajtimin e protestuesve, përfshirë të miturit dhe qytetarët e plagosur. “Ministri i Brendshëm duhej të ishte në komision, të jepte hesap për dhunën ndaj të miturve, qytetarëve, të cilët janë sulmuar tej mase me gaz lotsjellës, deri në thyerje gjymtyrësh, goditje me plumba plastikë në pjesën e sipërme të trupit”, deklaroi Çelaj. Ai akuzoi qeverinë për përgjegjësi në përshkallëzimin e situatës dhe kërkoi ndryshim politik, duke e bërë të qartë se protestat nuk mund të trajtohen sikur nuk ka ndodhur asgjë. “Ne mbështesim studentët, duhet dorëheqje e Ramës, krijimi i një qeverie tranzitore, vetëshpërndarje e parlamentit”, u shpreh deputeti i PD-së.
Mediu: Dorëheqja është përgjegjësi, jo mëkat
Në të njëjtën linjë, Fatmir Mediu kërkoi që qeveria të japë llogari para Kuvendit për mënyrën se si është menaxhuar situata. Sipas tij, dhuna nuk prek vetëm protestuesit, por dëmton marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarëve. “Qeveria duhet të japë hesap para Kuvendit të Shqipërisë. Të dalim me një qëndrim se çfarë duhet të ndodhë me vendin tonë”, tha Mediu.
Kreu i Partisë Republikane e cilësoi dorëheqjen e qeverisë si një përgjigje të nevojshme politike ndaj situatës. “Dorëheqja nuk është mëkat, është përgjegjësi, reflektim në raport me situatën”, theksoi ai.
Megjithatë, Mediu u distancua nga përdorimi i dhunës, duke nënvizuar se ligji duhet të zbatohet pavarësisht se nga cili krah vjen shkelja. “Dhuna nuk është çështje numrash, dhuna është shkelje ligji nga kushdo krah që vjen, por sidomos nga ato struktura që janë betuar mbi ligjin për të mbrojtur qytetarin, dhe jo pushtetin”, deklaroi Mediu.
Çuçi: Dënoni sulmet me molotovë ndaj policisë
Nga ana tjetër, kryetari socialist i komisionit, Bledar Çuçi, i cilësoi qëndrimet e opozitës si politike dhe kërkoi që deputetët të dënojnë edhe sulmet ndaj efektivëve të policisë. Sipas tij, përdorimi i molotovëve, gurëve dhe mjeteve të tjera kundër uniformave blu përbën dhunë ndaj institucioneve që kanë përgjegjësinë të garantojnë rendin publik. “Protesta është e ligjshme, por dhuna e vandalizmi janë të patolerueshme”, u shpreh Çuçi, duke kërkuar që përgjegjësit për shkeljet të përballen me ligjin.
