“Terrori mediatik”
Nga Anila Rezhda/Informimi masiv që hershëm ka ekzistuar. Tek Rrapet e shesheve nguleshin letra të bardha me ngjarje nga më të rëndësishme të miletit. Gjatë luftërave ngjitja e trakteve do ishte një nga aktet më heroike. Radio do ofshëtinte qilarëve të shtëpive, kur u njoftua ardhja e Lirisë. Gazetat e shtypura jashtë vendit do ktheheshin në sofrën e tyre. Më pas një qelq katror me ngjyra do vendosej dukshëm shtëpive si objekt luks informimi. Kështu respektuan njerëzit historikisht fjalën publike, me vëmendje mendore dhe mbledhje arkivuese të letrave të vyera që shkruajnë historinë njerëzore. Përse i poshtëruat njerëzit?! Përse e tradhtuat këtë vlerë klasike kaq sodisfaksionale?!
Tre hapat e zinj sundues që bëni ç’do ditë karshi njeriut të mirë i cili mrekullisht veçohet nga ç’do qenie natyrore vetëm se ka aftësinë superlative folëse të komunikimit, por pasi ngeli i varfër pa para, u detyruan të ngujohet para një xhami dhe ju nuk humbët rastin. Hapat quhen “zonat televizive”, mëgjezore, paraperëndimore të diellit dhe ato të natës. Gazetat shiten shumë pak dhe vetëm nëse denjon ndonjë revistë luks cilësie, e cila në përmbajtjen e saj është vetëm përshkrimi fallxhor i jetës së njerëzve. Të varur nëpër tela me kapëse, të dergjura nëpër mure, gazetat sot, fjala publike e shkruar zvarritet para këmbëve tona. E anashkalojmë sepse kutia e xhamit do na i thotë lajmet taze, pse të vëmë syzet e të lexojmë emrin e gazetarit që nënshkruan artikullin, të mbushim sirtarë e makina me letra? Nuk na duhen dhe më si dikur gazetat për bukë dhe për banjo, pra për të shoqëruar futjen dhe nxjerrjen e ushqimit!
Emisionet e mëngjesit. Fillojnë me seriozitet dhe përfundojnë o në tenxhere gjelle para ndonjë ndërtese paraburgimi. Lexohen vetëm titujt e artikujve të gazetave, me vrap si shiu i beharit se papagallët publikë nga të gjitha fushat e shoqërisë janë në dhomë makijazhi gati për ti mësuar popullin si duhet të sillet sot!!! Si kalamajna marrin për dore. Fillon njoftimi metereologjik, gjimnastika dhe vrasjet. Mileti nuk do gjë tjetër veçse të dëgjojë dy orë parashikimin e motit do se dita iku, por të gjithë vaporë e aeroplanë kanë, ose më të “varfrit” gati për udhëtime janë. U tha shi, diell, erë, furtunë. Breshër në kokat tona them unë! Fillon gjimnastika qe do na mbajë në formë. Na u thyen brinjët bashkë me gjimnastet dhe kjo shtyllë kokëshkretë kurrizore që mban kaq barrë jete nuk e gjen dot elasticitetin! Ora e gatimit, lojërave të fatit dhe argëtimit tip cirku erdhi. Lumturia tani do shpërthejë nga veshët nga prezantueset që kanë lindur të gjitha në “stinën e Pranverës së trurit”, ekrani do kthehet në kasë supermarketi, do falin lavatriçe e televizorë bile pa autorizim fare, këtij i them evoluim unë!Ne budallenjtë do dërgojmë sms-e ose do bëjmë telefonata shumë të shtrenjta dhe të shpeshta, pastaj do dali burri i gruas së huaj aty dhe do thotë që: “Këto që po ju falim ne juve mes emisionit tonë, ja u fali ky burri i mirë se firma e vet ecën bukuri!”. Ndaj i shoh Lopët e shtrenjta të dobësuar unë?! Bar, shumë bar po ha mileti, na i lanë Lopët thatë!Kujdes se vunë tiganët dhe tenxheret për gatim. Ç’do ditë një recetë të re nga Mongolia,Tanzania, Suedia e Antarktida na japin. Si të fundit vijnë këto Ballkaniket, “fakire të shkretat”, mes duarve të diellit rritet, çfarë vlere të kenë?! para peshkut Solomo, vezëve të tij apo ndonjë dhjami gjëje të gjallë diku tjetër! Ata që kanë ftohtë i hanë që t’i rezistojnë atij, ne i hamë që të trashemi dhe të mbushim palestrat. Ora e shumëpritur e shkatërrimit të miletit arriti, vrasjet, vdekjet, aksidentet. Njerëz që heshturazi dhe kaq papritmas ikën jo duke ulëritur ata, por epoka që i lindi se i morri në qafë nga plumba, rrota dhe infarkte miokardike. Këtu do ndalojmë gjatë sepse duhen ndjekur gjurmët e hajdutit, vrasësit, pikat e gjakut, rrokullisja e thikës, duhen parë kufoma të mbuluara, të zbuluara,të masakruara. Hetimet sapo kanë filluar. Grupet hetimore të krijuara sipas llojit të krimit. Me logjikë të ftohtë dhe vështirësi mistere të reja të dhimbshme të njerëzve duhen zbuluar se mos ndoshta ja vëmë së fundmi emrin kësaj mërie llahtarë të njeriut karshi njeriut! “Pra kot-them unë-jep shteti lekë për punë prokurorie!!!”Ja tani për pak, folës me mikrofona e makina nga kanale do ikin si të marrë rrugëve, do nxjerrin në kamera nënat, gratë e fëmijët e të porsakuzuarve!!! Ca komshinj pyetën, u gjet dhe shkaku i vrasjes, u tha dhe mënyra si e vranë, e ç’na mbeti? Hajt na pastë lënë jetë neve!Kudo që të ecësh damarëve të qytetit, në ç’do cep ka ekrane me ngjyra që japin vetëm njerëz të shtrirë!!! O dergjen spitaleve, o varr, o terren lufte,o kanale ku sheh njeri të hedhur keqazi! Fëmijët yje me ca karamele në duar duke u kthye nga kopshte e shkolla besojnë se jetojmë në luftë. Ku e gjetët të drejtët që të me verboni shikimin mua me ngjyra gjaku në liri dhe paqe?! Kush ju mësoi që të keni etje Krokodilësh për gjak duke qenë fatmirësisht atdheu jot kësaj epoke jo i piketuari për luftë?! Kush ja u dha këtë prokurë në emër të Popullit që ti shkruani historinë e tij të përditshme me kronika të zeza?! Kush ju tha se fjala publike është ligjëratë rrugësh e kanalesh?! Kush të mësoi moj vashëz a djalosh i riilindur në krahët e lirisë!!! Se duhet t’i shtrosh asfaltin luftës me këtë punë famëkeqe intervistuese që bën?! Ke kaluar ndonjëherë nga varrezat Kombëtare?! Për këtë ditë të zezë siç e ngjyros t’i u vranë ata yje?! Kur të ketë furgon shko në Spaç se atje janë heronjtë e fjalës, heronjtë e tu si përdorues i fjalës publike. Pra një llogarie vogël, nga lufta në diktatori në liri që përjetësohet në mediat televizive si luftë!!! Iku mëngjesi po afron ora e kulturës. Këta paguhen më shtrenjtë, ja ti dëgjojmë mos kushedi mençurohemi edhe ne ca.
Emisionet e mbasdites. Më fine ca më të qeta, reklama më pompoze. Do ulemi rreth këmbëve mbi këmbë! Që të flasim për etikë-elite. Të gjithë njëlloj nuk jemi?! Një hall kemi, dobësimin, depilimin, modën, qethjen, psikologun, parandalime shtatzënie, zbardhje dhëmbësh…aman mos i hap oreksin Ujkut se me të drejtë i miri im shquhet nga bardhësia e tyre!!! Të ftuarit në këto emisione janë në përgjithësi universitarë që mbaruan detyrat private ose shtetërore, thanë të japin dhe ca leksione publike se si do jenë në qendër të vëmendjes?! Po revistat pastaj kë do fotografojnë Lem Bylyrin?! Në këtë zonë masive teleshikimi, e kuqe siç quhet ka debut nga të gjithë grupmoshat. “Figura publike” me arritje private në mbarë botën si udhëtime, shoping terapi, biznese, sallone mode, estetikë, të arrirët e paarritshëm tashmë nga ne, do na tregojnë thjesht si jetojnë dhe jo me cilën mënyrë shkohet deri atje lart tek piramidat e Firaunit dhe jo Faraonit?! Diferencimi jonë me ta sa toka me hënën. Jeta e tyre është e qetë, cilësore, ndjesore, burrati duan dhe nuk i tradhtojnë, shtëpitë i kanë të pastra e plot dritë, makinat i kanë të shtrenjta si tip virtyt karakteri, kështu i përmendin, rrethi familjar njëri më i mirë se tjetri, njohën vetëm ecuri jete, kurrë ndalesa e vështirësi. Ngjajnë si rob të rritur në sera! Plot kujdes drite, lagështie dhe plehu për rritje më të mirë! Ngado që ta çosh telekomandën kollajshëm beson se sa fatkeq jam unë që zihem me burrin e fëmijët, që më del mesi që të arri detyrimet e ditës se bëj dy punë e paguhem për një, sa e shëmtuar jam që nuk kam pare për thonj kthetra,sa kot jam që familja ime ka vetëm një makinë për të lëvizur të gjithë bashkë,sa e varfër jam që gjyshes time hyjni fshehurazi i marr ca të holla nga pensioni që t’ju blej dhurata të lira fëmijëve të mijë! Në këtë zonë emisionesh do kuptosh se metoda e Evropës barbare dikur që rriste si Guinpleni i mjerë fëmijë në vazo qerpiçi që të qeshte mbretëresha ishte “e frytshme” me një ndryshim “të vogël” se ai mrekullisht u vërtetua që e qeshura që i gërvishtën fytyrën ishte një fytyrë gabim fëmije!!!Ai kishte lindur Lord. Mua ç’farë fati të më dali thoni nga ai Panarit i bukur fshat Korçe?!Në pritje. Më snobët shikojnë filma me seri. Në përgjithësi skenarët janë me vajza shumë të bukura yje të varfra të rritura me trahana dhe vajza shumë të pasura por kaq të shëmtuara! Sapuni, uji, kushtet, ushqimi si i paskan “katandisur” të shkretat! Shyqyr që më mungojnë të gjitha,që jam e varfër se ja tani do bjerë në dashuri me mua një mashkull shumë i pasur potencial por derisa të arrimë në martesë se mileti nuk na do bashkë “të mos hamë” ca mijëra koka nga të dy krushqitë?! Po ca shtëpi mos ti djegim?! Po me Mafian ose organizatat kriminale nuk do bashkëpunojmë që të vrasim me kontrata, të helmojmë, të presim frena makinash, të rrëmbejmë fëmijë të pafajshëm për lekë?! Të gjithë këta skenarë “hallall” se për t’u puqur në krevat dashuror dy te rinj bëhen!!! Le pastaj kur të lindi fëmija e tyre që do mbetet pak më pas jetim, mjerim…qetësi se filloi qarje publike!!! Eh mori i pari i fshatit- tha- unë ta dhashë vendin që ta pjelloje e lulëzoje, ti e fënde! Pini ndonjë kafe 500 lekëshe tani shpejt e shpejt se po vjen ora e shumëreklamuar e emisioneve shou, për të qeshur, për të qarë, për të share, nga të gjitha ka bahçja. Po pjek ca misra unë që të llakaçitem si pulë që jam. Kanë njoftuar debate të fuqishme. Lexova ndonjë gazetë a libër të ri sot?! Je mirë ti o njeri që më pyet?! Unë jam njeriu i ri me tru televiziv, unë dëgjoj dhe besoj, nuk lexoj, studioj dhe besoj. Sa më shumë dëgjoj aq më shumë mençurohem, gati formulat e jetës. Librat, ato kanë faqe apo jo? Ika se më ra dera, më sollën faturat e ujit, korrentit dhe ca lekë borxh që i kërkova mamit. Borxh ja u paça këtë shkrirje të jetës time si gjalpi në tigan! Më latë pa miq e shokë, ja u tymoset kokën, ja u thartuat trutë,ja u thyet besimin tek vetja në mes, nuk kam me kë të pi një kafe e të them një histori loti, nuk kam kujt t’i them se finalja e jetës së brezit tonë do jetë plakje e dhimbshme sepse askush nga ne si prindër nuk di si u rritën dhe u zhvilluan këta fëmijë. Fati dhe pensioni im në dorë të tyre! Kur këta rriteshin me kuriozitete serioze jete unë mami digjja gjellën, se dëgjoja kur më ikte fëmija jashtë sepse kisha frikë mos humbja serinë e filmit!!!
Emisionet e natës. Këtu fjalët janë pak dhe saktë sepse kemi tre kategori të thjeshta: emisione politike, life&style dhe shou. Për të parat no coment se unë nuk votoj kurrë dhe nuk e di pse më është fiksuar se jam qeveri më vete si më poshtë vijon:
Koka ime është Kryeministria ime, duart e mija janë Ministria e Bujqësisë se nxjerr bukën vetë,e qeshura ime ministria e kulturës,krehja ime është ministria e integrimit se flokët e mijë ndjekin Erën, këmbët e mija janë Ministria e Komunikacionit, eci shumë as biçikletë nuk kam, sytë e mijë janë Ministria e Punëve të Jashtme se nga të huaj të kthej në mik zemre po të njoha, loti im është Ministria e Shëndetit se kur më rrjedh ai bukuri, o kam temperaturë, o linda beb, o më vdiq mami, o më vdiq shoku, o humba punën dhe po më dhemb zemra, o humba shtëpinë dhe po kaloj në depresion. Presidenca ime që ta plotësojmë formën e qeverisjes është një derë e thjeshtë metalike që mbron një shtëpi të varfër. 70 vjet!!! Vetëm punuan Prindërit e mijë, avash se mos arrinin të blinin dhe vilë!”. Me kaq pak vite pune varr nuk blen dot jo më shtëpi! Kush më voton mua?! Komshinjtë e mijë yje që kur më dëgjojnë hapat dhe thonë: “Po ngjitet lart si shpirti që përsosi me dashuri, muzikë dhe jetë. Fli e qetë Nilush, gjithmonë do kesh votën tonë si hapat e tua që të çojnë nga lart në katin më lart”. Ministria e ime e Mbrojtjes? Djemtë yje të shkallës time që marrin masat. Një jastëk më shumë, më lart kokën jo gjumë të thellë se Nila jonë lart, vajza jonë emigrante është vetëm!
Pritët që të komentoja zonën e natës?! Jo dhe pse ta komentoj? As ata nuk na komentojnë neve, as na bëjnë pjesë të dialogut të tyre. Nuk të pëlqejnë politikanët, ndërro kanal, shko tek shalëgjatat balerina që kërcejnë majë tavolinave në emisione ku gjykohet ekonomia,politika e vendit!!! Tallava mes Ballkanit. Do filma seksi aty i ke. Do me vrasje aty i ke. Do telefona rozë që të hedhin letra fati, bjeri mos rri. Do të dëgjosh çfarë je ti për qeveritarët…ja sa të mbarojnë reklamat me lines se nga ato sigurojnë para për emision me të ftuar krerë shtetesh!!! Bën vaki të shikosh një emision pa reklama ku kreu i shtetit të këtë të drejtën e orështrirjes publike potenciale pa ndërprerje fare?! Jo, se komisionit kombëtar të Radio-Televizionit kjo hollësi-trashësi i“ka shpëtuar!!!”Për ju që nuk ja u gjeta dot midenë me politikanë e modele, ja shikoni si turmë tani zvarritje ëndrra rinie mes emisioneve talent shou. Fillojnë bashkë 100 yje dhe fiton vetëm njëri. Muaj e muaj të tërë aty ju kam, duartrokit e voto nga shtëpia. Pra siç e shikoni dhe vetë secili gjeti rehatin që meriton.
Po unë ku endem netëve?! Kinema, teatër ndonëse më bëhet fustani i bukur qull te kolltukët e Operës dhe Baletit. 80 vjet s’u gjet një bos të fali pak sfungjer dhe copë për to?Ndoshta ka, por i leverdis ti shesë më shtrenjtë duke qepur sutjena! Marr gazeta e libra dhe lexoj. E dinë të gjithë që jam démodé, as internet në celular nuk aktivizoj kurrë dhe ndaj jam më vetëm se kurrë në këtë epokë që nuk e zgjodha, por duhet ta jetoj se linda. Vetëm se mi kërrusët njerëzit mbi ekrane të vogla e të mëdha, ju shkëlqejnë sytë ngjyrë violetë, më trembin!
Pyeta fjalën publike: “Si do më përshkruash mua kur të vdes?! Hapat e mija, mundin tim, sakrificat e mija?! Bashkëmoshatarët e mijë politikanë që “jetojmë të dy në një qytet dhe rrallë shihemi sa rrallë” që filluan jetën bashkë me mua me këpucë qull nga shiu dhe gazetë të zhubrosura në to,pse më braktisën mua bashkudhëtaren e moshës së tyre?!Ishim shokë e shoqe yje dikur, më premtuan një vend në Diell dhe më falën qiell të arnuar me re! Sytë e mijë janë pasqyra, ku ata shihen sa më të pasur se unë janë, pse i shmangen shikimit tim? Pse ja kujtova fjalës poezinë e Kadaresë?!…
…u mallëngjye dhe pikoi gjak fjala ime e mirë dhe e shenjtë publike!