Terrorizmi ka natyrë politike
Nga Sadedin Çeliku
Terrorizëm do të thotë dhunë e paramenduar me qëllim ndikimin në opinionin publik me synim arritjen e objektivave politike. Ai realizohet si individ apo grup individësh por gjithnjë kundër shtetit dhe rendit publik. Ky lloj terrorizmi përdoret për të frikësuar e ngjallur panik tek qytetarët, prishjen e rendit dhe stabilitetin në vend. Pra terrorizmi shfaqet me disa forma si terrorizmi islamik, psikik, kriminal dhe ai politik.
Terrorizmi nuk ka ngjyra dhe as përkatësi politike kudo në botë, por tek ne është i llojit të veçantë. Ai është me natyrë të pastër politike. Kjo duket ne deklarimet politike ku në mënyrë të përsëritur janë bërë thirrje për protesta të dhunshme, marrjen e pushtetit me dhunë, rrëzimin e qeverisë etj. Shkak për këtë situatë politike nuk janë vetëm kundërshtitë ndaj reformave në shëndetësi, drejtësi, arsim, energjetikë, pushtet vendor, dogana e tatime, por ka dhe një arsye tjetër e cila është më e fortë.
Është plotësisht e qartë sepse rast pas rasti nga kanceleritë europiane është bërë apel për dënime dhe kalimin para drejtësisë të ish qeveritarëve të cilët janë përgjegjës për korrupsionin dhe krizën morale që kanë sot ish pushtetarët pse jo dhe shoqëria shqiptare e cila për mbi dy dekada nuk paguan energjinë elektrike, ujin, tatimet. Por nuk paguan as për ndërtimet pa leje, prishjen e planit rregullues dhe shkeljen e ligjit sepse ato janë investuar nga politika e vjetër. A nuk e shikoni si qan Bashkia e kryeqytetit për zgjatimin e bulevardit ? Pse e kanë me kaq zell atë punë dhe kujt i intereson ai investim luksi? A e kanë vërtetë të nevojshme qytetarët të cilët mendojnë vetëm për sigurimin e bukës? Kush i mësoi ata të shkelin ligjin dhe të mos pyesin për shtetin? A kanë lidhje të gjitha këto me politikën dhe kush është arkitekti që i nxit destabilitetin e vendit? po fakirët e eksplozivit kush i paguan dhe pse janë kaq të interesuar për të ngjallur panik në popull?
Ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë se shoqëria shqiptare ende është e papërgatitur për integrimin në familjen europiane. E gjithë kjo ngjarje që daton pas zgjedhjeve të 23 qershorit të vitit 2013 e ka zanafillën tek politika për pushtetin. Në këto kushte institucionet e drejtësisë dhe ajo e shërbimit informative duhet të punojnë në bllok për zbardhjen e ngjarjeve dhe zbulimin e autorëve dhe ato që fshihen pas atyre. Kjo e domosdoshme për të risjellë qetësinë e stabilitetin në vend si dhe për të konfirmuar vendosjen e shtetit ligjor.