Terrorizmi ka vetëm një emër që nuk duhet ngatërruar
Nga Sadedin Çeliku
Ngjarja në Francë ishte tronditëse dhe bilanci ishte tepër tragjik. Ajo nuk ka nevojë të etiketohet dhe as tu vësh ndonjë emër apo më keq nofkë. Kjo ndodhi e rrallë në llojin e vet do analizuar me qetësi dhe gjakftohtësi, sepse ndryshe ngjarja ka gjasa të ndodhë dhe në vende të tjera. Analiza duhet bërë e plotë, që do të thotë të zbulohet shkaku e më pas pasoja ndryshe nuk kemi bërë asgjë. Këtë lypset ta bëjnë në radhë të parë fuqitë e mëdha, të nxjerrin detyrat dhe detyrimet, që ngjarje të tilla të shëmtuara të mos përsëriten më. Solidariteti që përshkoi ajo ngjarje nga më se 1, 5 milionë tubues dhe manifestimi i delegacionit kuptimplotë shqiptar ishte i pashembullt. Sidoqoftë, do desha dhe unë të jap ndonjë mendim modest sepse analizën do duhet ta bëjnë qeveritë, politologë, sociologë, analistë, shkrimtarë e publicistë.
Bota sot është e mbarsur me mjaft rreziqe pasoja e të cilave janë problemet social-ekonomike, polarizimi midis shteteve, brenda shteteve dhe i shoqërive të tyre, krijimi i të pasurve nga pushteti politik, shtresa të mesme dhe të varfër deri në kufijtë e mbijetesës, korrupsioni i kthyer në sistem pothuajse në të gjitha vendet e botës, trafiqet e organeve, armëve, e drogës e prostitucionit, eurobastet sportive, kanë krijuar probleme të mëdha. Sikur të mos mjaftojnë këto, gara për hegjemonizim, globalizmi, dhe mjaft çështje të tjera kanë trullosur mjaft vende dhe i ka bërë ato gati të papërgjegjshme. Mungesa e lirisë dhe e demokracisë në mjaft vende, gjithashtu kanë krijuar vatra konfliktesh brenda shtetesh. Vlerat demokratike tashmë po kthehet në një slogan sepse konfliktet kudo janë krijuar mbi ato vlera.
Mjaft shtete nga Afrika veriore gati janë shndërruar në luftëra civile dhe po vrasin njëri-tjetrin si në Liban, Libi, Irak, Egjipt, Siri por dhe në shtetin arab Palestinë, Afganistan, Pakistan, Kore e Veriut etj. Po ballafaqohemi me krizën e Ukrainës nga ku vriten çdo ditë njerëz të pafajshëm, sepse krerët e shteteve nuk kanë vullnet për zgjidhjen e konfliktit. Çështjet e sigurisë globale janë bërë mjaft serioze. Dëshmi e tyre janë dhe përpjekjet e ISIS për të krijuar shtetin e tyre islamik. Në Paris ministrat e punëve të jashtme nga i gjithë globi po negociojnë për krijimin e aleancës globale kundër ISIS-it. Gati e kishim harruar luftën e ftohtë dhe vërejmë se është ringjallur përsëri. Vendet e zhvilluara kanë hequr dorë nga bisedimet dhe po aplikojnë embarko kundër Rusisë sepse mendojnë se do ishte një rrugëzgjidhje. Zgjerimi i NATO-s drejt Europës lindore thotë ish Presidenti Mihail Gorbaçov ka shkatërruar rendin dhe sigurinë në Europë. Ky veprim nënvizon Ai po nxit shpërthimin e luftës së tretë botërore. Të gjitha këtyre problemeve i janë shtuar dhe politikat shtrënguese të emigracionit, dhe krizat ekonomike e financiare të cilat kanë lëkundur fuqishëm themelet e ekonomive botërore. Vështirë se gjen vend që nuk ka krizë financiare, papunësi, borxh publik jo shumë të kontrolluar, mungesë investimesh, stanjacion dhe mungesë të solidaritetit social. Shkurt, plagët sociale po rriten dhe kjo duket qartë në shkurtimin e fondeve sociale, rritjen e moshës së pensioneve të pleqërisë, shkurtimin e vendeve të punës etj. Sipas të dhënave, një e katërta e popullsisë në botë janë të besimit mysliman. Është krijuar përshtypja se të gjithë arabët janë myslimanë që në fakt ato përbëjnë vetëm 18% të botës islame.
ISIS nuk përfaqëson islamin dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me islamin. Këtë e kanë theksuar dhe krerët e bashkësive myslimane të Ballkanit me rastin e sulmeve në Irak dhe Siri. Fjalët “fondamentalizmi islamik” janë të papërshtatshme dhe nuk duhen përdorur e ngatërruar me terroristët dhe terrorizmin ndërkombëtar. Pra nuk duhen vënë emra dhe as epitete, sepse realisht sot popujt po ballafaqohen me mjaft vështirësi, ku shkaku nuk është islamizmi por politikat e padrejta të politikanëve që pushtetin politik e shfrytëzojnë për tu pasuruar në kurriz dhe në emër të demokracisë, fjalës lirë, drejtësisë dhe popullit. Terrorizmi nuk ka ngjyra dhe as besim fetar. Ai është ndërkombëtarizuar, vepron me një organizim të studiuar dhe si e tillë duhet luftuar me aleanca globale mbi bazën e një strategjie afatgjatë. Çdo keqinterpretim që do të ndodhë në emër të kësaj çështje, do të jetë hap fals dhe e gabuar. Edhe Shqipëria nuk ka pak probleme disa prej të cilave shumë serioze. Problemet nuk na vijnë nga komunitetet e besimit fetar, por nga ligjvënësit, të cilët me kartonin e tyre kanë miratuar disa ligje që e cenojnë sigurinë publike e kombëtare. Kemi gati një çerek shekulli që me emrin e shoqërisë civile abuzohet. Për të krijuar një shoqatë, fondacion apo organizatë jofitimprurëse duhet një vendim gjykate, një akt themelimi dhe një statut. Vendi ynë ka mbi 1300 shoqata ose e thënë ndryshe dy here më shuma se ç’ka e gjithë kontinenti jonë. Rumania me popullsi 24 milionë ka vetëm 4 shoqata dhe nuk lejon krijimin e të tjerave, Bullgaria 12 shoqata, Kroacia kishte disa shoqata të huaja dhe i përzuri jashtë kufijve të saj me dekret të presidentit.
Terrorizmi ka një emër dhe s’ka pse e ngatërrojnë politikanët. Ajo nuk luftohet me parada, llafe e slogane por me ligje dhe politika. Asnjëherë nuk është vonë por ne duhet të bëhemi të përgjegjshëm, sepse kërcënimet na vijnë nga të gjitha krahët dhe kësisoj duhet të jemi vigjilent për atë ç’ka ndodh këtu por dhe në botë.