Terrorizmi si ideologjia dhe veprimtaria më primitive e kohëve moderne
Nga Marjana Doda/ Aktet terroriste të 22 marsit 2016 në zemër të Europës, në Belgjikë, bëri që sërish të mendojmë dhe ta vlerësojmë aq shumë këtë akt makabër, jo vetëm si koncept, por tashmë si pasojë dhe rrezik global. Dhe pse teorikisht dihet që është dhunë e paramenduar me qëllim ndikimin në opinionin publik dhe autoritete të caktuara për qëllime politike dhe ideologjike, ajo që ka ndodhur e deklarohet të bëhet sërish nga organizatat terroriste është ende e frikshme.
Në periudha te caktuara në botë janë krijuar organizata të tilla me motive nga më të ndryshmet, por ajo që është aq sa aktuale, e rrezikshme dhe njëkohësisht primitive, janë organizatat që vijnë nga vende të shkretëtirës me një mentalitet regresiv, ndërkohë që progresi dhe zhvillimi njerëzor është proces i pashmangshëm. Kjo veç të tjerave ndodh dhe për arsye se sistemi edukativ në këto vende është i kontrolluar nga qeveritë shekullore të cilat synojnë vetëm mbrojtjen e interesave të tyre.
Fatkeqësisht mesazhe dhe akte të tilla terroriste vijnë nga vende, individë dhe grupime që ende mendojnë e duan të veprojnë si në kohën e mesjetës dhe që në mendjen dhe shpirtin e tyre enden mendime dhe veprime të një kohe tejet të shkuar. Ajo çfarë e bën ta mendosh kështu, është fakti se çuditërisht vijnë nga vende me një qytetërim të hershëm. Vijnë nga pellgu i Mesdheut, andej nga ku erdhën legjendat e profecive dhe jetët e profetëve, andej nëpër shkretëtira ku njeriu endej duke besuar e udhëtuar drejt mirësisë dhe paqes. Që nga koha e Krishtit dhe Muhamedit a.s, dhe pse ata përcollën veç mesazhe paqeje dhe harmonie , dhe pse në shkretëtira e kudo u bënë luftëra e kryqëzata që historia i njohu si kohët më të errëta që kurrë nuk duhej të ndodhnin më, fatkeqësisht në kohët më moderne po mbillen dhe përhapen ende mendësi dhe praktika të një kohe tjetër. Është obligim hyjnor dhe ndjesi më njerëzore të studiosh literaturë biblike e kuranore për mesazet për paqen dhe zhvillimin që na përcollën profetët, por është fatkeqësi të mendosh se në kohët e sotme të ketë njerëz që keqinterpretojnë ato çfarë kanë thënë profetët të cilët tashmë kur na vështrojnë nga lart ndihen të zemëruar që nuk po i dëgjojmë. Besoj se profetet e shenjte nuk do ndihen kurrë mirë që me thëniet e librat e tyre të shenjtë të shtypen e të vriten qindra mijëra jetë njerëzish të pafajshëm. Të shohësh se si një terrorist duke thirrur në emër të Allahut, të mbajë Kuran në dorë dhe të vrasë me qindra njerëz, gra e fëmijë, është e tmerrshme.
Thjesht po të shohësh vende të zhvilluara dhe vende në zhvillim bën të mendosh se nuk duhet të mendojmë e të veprojmë si para qindra vjetësh, por ndryshe. Fakti që shumë vende kristiane europiane kanë një zhvillim e përparim shoqëror të arrirë, kanë paqe e siguri (si vende të zhvilluara europiane dhe ato nordike), por dhe vende islame ku mbi shkretëtirë njeriu krijon parajsën (si në Emirate e Bashkuara Arabe, Kuvajt etj.), tregon se nuk është më faji i besimeve por i udhëheqjeve dhe grupimeve regresive të popujve nga këto vende. Shtypja dhe regjimet e egra në vendet e Lindjes Mesme, të cilat ku më shumë e ku më pak sollën varfëri, skamje, shtypje dhe diskreminim racor/femëror dhe që për të përligjur gjithçka bëjnë, mundohen të argumentojnë e veprojnë në bazë të doktrinës fetare. Dhe pse Kurani që në kohën e mesjetës ka përcjell mesazhe paqeje dhe zhvillimi (nënkuptoj se që në atë periudhë në këtë libër të shenjtë janë parashikuar fenomene që shkenca po i vërteton në kohët moderne), fatkeqësisht individë dhe grupime me mendime dhe veprimet që po kryejnë, po e kopromentojnë rëndë në rrjedhën e procesit të dëshiruar. Kalifati dhe përhapja e kulturave si para qindra vitesh, tashmë në periudhën, ku mendimi, civilizimi dhe qytetërimi botëror po arrijnë kulmin, tregon se në ndërgjegjen dhe mentalitetin e tyre shfaqen ende hije të mesjetës dhe në pamundësi për t’iu përshtatur, përkushtuar zhvillimit dhe civilizimit, ushqejnë pjesën më të errët të shpirtit dhe të ndërgjegjes tyre për të bërë krime.
Si shkak i konflikteve të vazhdueshme në vendet e Lindjes Mesme, të kulturave dhe mentaliteteve që ato kanë, në kohë të ndryshme u krijuan shumë organizata terroriste, por pas të frikshmes Al-Qaida dhe grupeve të lidhura me të.
Më 29 qershor 2014 u krijua dhe një tjetër ekstremizëm më i dhunshëm ku udhëheqësit e ISIS-it shpallën krijimin e Shtetit Islamik me kufi nga qyteti Dayala në lindje të Irakut deri në qytetin Aleppo në veri të Sirisë dhe iu kërkuan të gjithë myslimanëve të betohen për besnikëri ndaj kalifit të tyre, shkrirjen e grupimeve dhe bashkimin nën shtetin islamik duke u shfaqur si shqetësimi më i madh në Europë e më gjerë.
Ky i ashtuquajturi shtet islamik u krijua mbi bazë terrorin dhe duke shfrytëzuar rënien e moralit dhe ligjit në Irak si dhe luftës së stërzgjatur në Siri, bëri që ky grupim të realizojë një shtrirje të madhe dhe të funksionojë si një entitet shtetëror i aftë për të kontrolluar territore dhe ushtruar pushtet mbi një popullsi disa milionëshe, por dhe duke u armatosur si një ushtri me shtimin e radhëve me luftëtarë nga e gjitha bota. Një numër i konsiderueshëm i rekrutëve nga vendet perëndimore janë të rinj të fesë islame, ku rreth 6% e vullnetarëve janë të konvertuar nga vendet e BE-së. Shumë vullnetarë nga vendet perëndimore janë brezi i dytë ose i tretë i emigrantëve të ardhur nga vende arabe. Tashmë ISIS po paraqet një kërcënim për të gjithë shtetet moderne dhe është një kërcënim real për botën e qytetëruar.
Shteti islamik përveç vendeve të rajonit të Lindjes Mesme ka objektiva afatgjatë shtrirjeje dhe në Ballkan, Spanjë, Portugali, etj. Harta e shpallur nga shteti islamik shtrihet në gadishullin e Ballkanit për të nxitur besimtarët e këtyre vendeve dhe shtuar radhët e rekrutëve militantë, nisur kjo dhe si rezultat i diversitetit të kulturave, etnive, kombësive dhe në komunitetet myslimane nga ku shohim rryma radikale si veahabizmi dhe salafizmi duke krijuar vatra të nxehta, ku predikohen këto rryma, si në Bosnjë, Sanxhak, Kosovë e gjetkë. Përveç përfshirjes në këtë hartë të Ballkanit, tashmë është fakt që vullnetarë nga Ballkani i janë bashkuar ISIS-it.
Është bërë shqetësues fakti që kësaj radhe “teatri” i konfliktit sirian përfshiu një numër më të madh se çdo herë tjetër vullnetarësh dhe luftëtarësh shqipfolës. Një pjesë e tyre janë nga zonat rurale, të varfra dhe me nivel arsimor të ulët, ku shumica kanë udhëtuar edhe me fëmijë por ka ndër ta të gënjyer që janë ndeshur me realitet krejt tjetër atje dhe që janë kthyer të vazhdojnë jetën normale. Është hera e parë që ne faqet e internetit nëpërmjet videove te shpërndara nga xhihadistët jepen mesazhe kërcënuese dhe nga shqiptarë. Është hera e parë në historinë e xhihadizmit që thirrjet e ISIS-it u përkthyen edhe në gjuhën shqipe. Terroristët i japin kësaj çështjeje një ndjenjë “heroizmi” për të qenë të obliguar për të ndihmuar myslimanët që janë të “sulmuar” si të një beteje të profetizuar si 1.400 vjet më parë, i cili është dhe motivi qendror i shpëlarjes së trurit nga ekstremizmi islamik, por vullnetarët shkojnë dhe nga nevoja ekonomike, papunësia, injoranca e kulturës së shëndoshë fetare etj. Motivi për të bërë Shqipërinë objekt të mundshëm goditjeje është fakti se ne jemi vendi që ka ratifikuar të gjitha konventat kundër terrorizmit të OKB dhe KE dhe protokollet e lidhura me to, si vend anëtar i NATO-s dhe kontribuues me kontingjente të forcave të armatosura në Afganistan, në koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS si dhe iniciativat rajonale kundër terrorizmit.
Vala me e fundit refugjatëve, përveç çështjes humanitare të trajtimit, të respektimit të të drejtave të njeriut nga vende europiane e më gjerë po përdoret nga ISIS si mundësi për të dërguar xhihadistë për të kryer akte terroriste. Qëllim i terrorizmit dhe terroristëve është për të shkaktuar vdekje dhe lëndime me qëllim të frikësimit të popullatës si dhe për t’iu imponuar qeverive apo organizmave të ndryshme ndërkombëtare, kundrejt akteve të tilla, por që në fakt po shkakton një efekt tejet të kundërt. Fatkeqësisht ata po komprometojnë islamin ndër njerëzit e thjeshtë, se nëse në rrugë tashmë sheh një mysliman të mirë me mjekër I cili ai mund të jetë paqësor duke ndjekur rrugën e profetit të tij, serish ai shihet me frikë, në mos i urryer se mos është terrorist, thjesht pse terrorizmi po shkakton plagë kaq të rënda dhe urrejtje kaq ekstreme dhe kjo nuk është e drejtë.
Aq shumë të largojnë nga besimi saqë shumëkush pas akteve terroriste në Belgjikë bëri të besojnë si supersticiozë, jo më tek profetët, por deri në profecitë urbane, si të Nostradamusit, i cili ka thënë se, “lufta e madhe do fillojë në Francë dhe me pas e gjithë Europa do goditet,ajo do të jetë e gjatë dhe e tmerrshme”.
Dhe vërtet Franca u godit me 13 Nëntor 2015, ku mbeten të vrarë 129 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën 352 të tjerë, ndërsa lufta vazhdoi përsëri më 22 Mars, ku u godit Belgjika, zemra e Europës dhe u vranë 31 njerëz dhe u plagosën rreth 250 të tjerë. Kryeministri belg Charles Michel pas ngjarjeve dukej sikur po citonte Nostradamusin tek do të deklaronte: “Ajo që i trembeshim, ndodhi…Po jetojmë kohë të tmerrshme”.
Po nesër kush e ka radhën? Në vende tjera europiane, si në Gjermani, Itali, Angli, Spanjë etj. niveli i sigurisë po shkon në rritje ku frika nga terrorizmi është bërë evident. Dhe makthi vazhdon teksa deklarohet se janë krijuar brigadat vetëvrasëse të xhihadistëve, ku me qindra kamikazë janë duke pritur në hije gati për të goditur përsëri, ndërsa vetë terroristët mburren se kanë shtuar radhët e sërish do vrasin.
Ende nuk dihet se si, por në sfond duket sikur do të merren masa radikale. Se si po vazhdon kjo luftë tregon se Europa ndoshta nuk do te jetë më aq bujare që për shkak të lirive dhe të drejtave të njeriut të rrënoje godinën e saj. Deklarata e kandidatit për President në SHBA Donald Trump, i cili si pasojë e akteve terroriste në Francë e gjetkë do të deklaronte në dhjetor 2015 se “bëj thirrje për një ndalim të plotë të hyrjes myslimanëve në Amerikë”, mund të thuhet dhe nga liderë europianë. Nëse kjo luftë vazhdon, atëherë grupet nacionaliste neper bote mund të ngrihen dhe ndoshta mund të ekstremizohet duke “legjitimuar” kështu një lufte fetare ndërmjet myslimaneve dhe te krishtereve.Duhet bere gjithçka për të parandaluar një përplasje të tillë, duhet të gjendet një alternative në funksion të jetës se qetë që meritojmë, një alternativë e dëshirueshme e islamit për kulturën dhe civilizimin euro-perëndimor duke i ndaluar grupimet myslimane terroriste të mos përpiqen që jurisprudencën botërore ta zëvendësojnë me jurisprudencën islame.
Tashmë nuk është më faji i europianeve që terroriste largohen nga shkretëtirat e Afrikës Veriut e që bashkë me miliona emigrantë depërtojnë në arteriet e Europës. Nuk është më faji i europianëve pse ata janë produkt i regjimeve të egra në vendet e tyre, të skamjes, të obskurantizmit dhe të gjithçkaje tjetër dhe që për fat të keq godasin nën petkun fetar të përhapjes së Islamit dhe luftës kundër Kristianeve. Nuk është më faji i europianeve që dhe pse i futen në shtëpi, ata e kanë të vështirë të përshtaten me mënyrën e jetesës dhe kulturën e tyre, thjesht pse ndihen të diskriminuar, të nervozuar dhe që duan të imponohen duke vrarë jetë njerëzore.
Terroristët në radhë të parë janë fatkeqësi për vete popujt që përfaqësojnë, por që dhe këta të fundit asnjëherë nuk i kanë denoncuar dhe nuk janë ngritur për t’i kundërshtuar. Nuk ka asnjë rast që në vende ku terrorizmi ka goditur, liderë, qeveri, liga arabe, dijetarë myslimanë, apo vetë emigrantët të kërkojnë ndjesë. Parë në rastet e akteve terroriste në Paris dhe në Belgjikë, ende nuk kuptohen se me kë po solidarizohen. Asnjë homazh në kraterin e zi të terrorizmit që bashkëkombës të tyre mbjellin për mijëra jetë njerëzore të pafajshme.
Tashmë nuk është më faji i Europës për ta, por është faji i europianeve nëse nuk do dinë se si do ta luftojnë këtë epidemi. A do ta dezinfektojnë me propagandë, me integrim, me spastrim, me luftë, apo se si, nuk dihet. Është koha që duhet të flasin të gjithë dhe të perceptojmë dimensionin e ri dhe real të kërcënimit, gjë, e cila nuk mund të jetë vetëm ekskluzivitet i strukturave të shteteve dhe qeverive, por më gjithëpërfshirëse. Nuk mund të neutralizohen e parandalohen akte terroriste pa parandaluar radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm paranojak me bazë fetare. Vetëm një vullnet gjithëpërfshirës, përfshi dhe vetë vendet arabe e dijetarë të tyre ndaj këtij fenomeni do të mund të ndihmonte në parandalimin e radikalizmit, qe e gjitha kjo të mos përsëritet më.
Të mos ketë më krater terrorist, ku të vendosim lule mbi jetë njerëzore, me lot e përbetime pafund se do të mposhtim terroristë e xhihadistë, ndërsa ata përsëri egërsisht nesër mund të terrorizojnë e marrin jetë të pafajshme të qindra njerëzve të tjerë me motive dhe veprime të kohëve më primitive të historisë së njerëzimit.