Testimet e infermierëve, të ndiqet rruga dhe duhur dhe duke zbatuar ligjin

Sistemi shëndetësor në Shqipëri, përballet ende me problematika, të cilat edhe pse kanë njohur një përmirësim të tyre, sërish vazhdojnë të jenë prezente. Në këtë këndvështrim, testimet e profesionistëve të kujdesit nevojiten, porse ato duhet që të kryhen me argumentimin, programin e mbështetjen e duhur. Vetëm në këtë mënyrë, ato nuk do të prishin imazhin e sistemit dhe të profesionistëve. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste për “Koha Jonë”, presidenti i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, Sabri Skënderi. Duke shtuar më tej faktin se vetë ky ent publik i pavarur ka kryer dhe vazhdon të kryejë testime, përmes të cilave ka arritur në konstatime të ndryshme ndaj problematikave të kujdesit shëndetësor. “Nuk them se mes nesh nuk ka edhe “drurë të shtrembër”, ka edhe problematika, por ne do të punojmë ende dhe kemi vite që në të gjitha këto takime u bëjmë thirrje profesionistëve të kujdesit që të ecin me hapin e kohës, sepse nëse nuk do të ecësh me të, ajo të lë mbrapa, që do të thotë se nuk je i përshtatshëm për vendin që ke”, vlerëson ai mes të tjerash…

Z.Skënderi, cili është qëndrimi i Urdhrit të Infermierit, lidhur me idenë e hedhur së fundmi nga ministria e Shëndetësisë për testimin e kategorisë së profesionistëve të kujdesit shëndetësor?

Së pari, Urdhri i Infermierit si ent publik i pavarur dhe si institucion vetërregullues i gjashtë profesioneve që përfshihen brenda tij, si infermierët, mamitë, fizioterapistët, teknikët e laboratorit, teknikët e imazherisë dhe logopedistët, është fokusuar në misionin e tij të cilin e ka edhe si mision ligjor, i cili është pikërisht ruajtja dhe rritja e standardit. Por ai ka detyrim ligjor dhe ruajtjen e sjelljeve etiko-profesionale, si edhe zbatimin e Kodit të Etikës. Sikundër, ka detyrim edhe mbrojtjen e pacientëve nga kequshtrimi i profesionit. Dhe të gjitha këto detyra që i ka në misionin e tij Urdhri i Infermierit, ne jemi munduar që të punojmë për t’i realizuar në vazhdimësi.

Tani lidhur me testin, pse kjo kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë shkaktoi një reagim, një reagim negativ, shpeshherë mund të themi edhe denigrues për punonjësit të cilët reaguan keq ndaj saj. Sepse nuk u ndoq rruga e duhur, e bashkëpunimit dhe në zbatim të ligjit. Sepse realisht, ligji e detyron ministrinë dhe neve të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, të hartojmë plane dhe ide për të rritur nivelin profesional të profesionistëve të kujdesit shëndetësor. E ky është në radhë të parë një detytrim institucional. Eshtë i çdo institucioni shëndetësor, i çdo qendre shëndetësore, i çdo spitali. Që hera- herës duhet të testojë me mënyra të ndryshme, nivelin etik dhe profesional të profesionistëve të kujdesit. Vetë institucioni duhet, për të rritur reputacionin e tij ndaj pacientëve. Pra, kjo është një detyrë e përhershme, pavarësisht se vitet e fundit, vetë zbatimi i kësaj detyre nga ana e drejtuesve të institucioneve, shefave të shërbimeve apo drejtuesve të qendrave shëndetësore është zbehur dhe ata e kanë harruar se me këta punonjës që kemi duhet të punojmë në vazhdimësi për të rritur nivelin e tyre dhe për ta mbajtur në lartësinë e kohës atë, bazuar në sjelljet  etiko-profesionale që referon koha.

 

Ç’doni të thoni me kërkesat që referon koha? Çfarë ka ndryshuar realisht në ofrimin e kujdesjeve shëndetësore në tërësinë e tyre?

Sot pacienti shqiptar dhe shoqëria shqiptare janë të njohur me Evropën, domethënë që kujdesi evropian është i prekshëm sot për ta nga afër. Sepse pacientët shqiptarë dhe njerëzit e tyre shkojnë në Evropë, trajtohen, kurohen dhe e njohin tashmë atë nivel shërbimi që ofrohet në institucionet shëndetësore të saj. Ndaj kërkesat e tyre ndaj punonjësve shëndetësorë dhe institucioneve shëndetësore janë rritur. Ata kërkojnë që meqë i kanë pritur mirë në Itali, Greqi apo Gjermani dhe janë vlerësuar së tepërmi atje nga ana e punonjësve shëndetësorë, i njëjti nivel t’u ofrohet edhe në spitalet tona. Prandaj, kjo i detyron punonjësit shëndetësorë të Shqipërisë që ta ngrejnë shërbimin në nivelin e kërkesave të kohës, të atyre që pretendojnë tashmë pacientët dhe familjarët apo të afërmit e tyre.

 

Po ju vetë si Urdhri i Infermierit, a kryeni testime ndaj përfaqësuesve të kujdesit? Dhe në ç’përfundime keni arritur konkretisht prej tyre?

Po, ne si Urdhri i Infermierit kemi zhvilluar teste. Kemi kryer testime anonime në target-grupe të ndryshme, por edhe në spitale të ndryshme, si edhe në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, spitalet rajonale, poliklinika apo qendra shëndetësore në rang vendi, duke kërkuar mendimin e pacientëve se çfarë kërkojnë realisht më shumë që t’u ofrohet nga ana e punonjësve shëndetësorë, infermierët, mamitë apo edhe nga profesionistët e tjerë. Dhe kemi arritur në disa konkluzione. Që kujdesi shëndetësor në Shqipëri, lë për të dëshiruar, prandaj duhet punuar ende për ta ndryshuar atë. Ku ndër problematikat kryesore kanë qenë pikërisht sjelljet etiko-profesionale dhe komunikimi i këtyre profesionistëve me pacientët dhe familjarët e tyre. Për këtë, ne gjatë këtyre tre viteve kemi zhvilluar 87 seminare, takime dhe konferenca në të gjitha institucionet e Shqipërisë, pa përjashtuar asnjë qark apo rreth dhe problematika ka qenë gjithmonë etika, komunikimi, paraqitja e jashtme dhe besimi që ngjall personeli shëndetësor me komunikimin apo pritjen dhe trajtimin e pacientit. Ndërsa kemi nxjerrë në nivel të dytë nivelin profesional të këtyre profesionistëve, sidomos të atyre të rinj, të cilët sidmos në shprehitë e tyre praktike, lënë për të dëshiruar. E për këtë, Urdhri i Infermierit i ka mëshuar shqetësimit të punës në ekip. Sepse duhet që të rinjtë të përfitojnë dhe të marrin eksperiencën e të vjetërve dhe “të vjedhin” nga njohuritë e reja e shkencore që ata në fakt i kanë më lart se të vjetrit. Pikërisht, gërshetimi i këtyre dy grupeve dhe zhdukja e kësaj kontradikte do të çojë në përgjegjësimin e tyre dhe rritjen e cilësisë së kujdesit. Ne përsëri testojmë aktualisht. Teksa jemi sërish në vazhdën e këtyre informimeve, seminareve, konferencave, që Urdhri i Infermierit ka kryer deri më tani. Teksa ka përgatitur edhe 15 mijë libra xhepi për komunikimin dhe kodin etik-deontologjik. Pa harruar as faktin që Urdhri i Infermierit nxjerr sot një revistë çdo tre muaj me materialet më të mira të profesionistëve dhe e shpërndan atë në çdo qendër shëndetësore të Shqipërisë dhe për të thënë të vërtetën, sot kemi ndryshime.

 

Cilat janë realisht këto ndryshime që ju konstatoni në ofrimin e shërbimeve të kujdesit infermieror në rang vendi?

Ka ndryshuar sjellja e infermierëve me pacientët dhe familjarët e tyre e këta të fundit shprehen të kënaqur. Por ka ndryshuar edhe paraqitja e infermierëve nëpër institucionet shëndetësore, ka ndryshuar kultura e punës së tyre. Jo se ne kemi arritur aty ku duhet të shkojmë, por niveli i kujdesjes realisht është rritur. Nuk them se mes nesh nuk ka edhe “drurë të shtrembër”, ka edhe problematika, por ne do të punojmë ende dhe kemi vite që në të gjitha këto takime u bëjmë thirrje profesionistëve të kujdesit që të ecin me hapin e kohës, sepse nëse nuk do të ecësh me të, ajo të lë mbrapa, që do të thotë se nuk je i përshtatshëm për vendin që ke. Pra, të gjitha këto problematika ne i kemi shqyrtuar dhe i kemi në diskutim, e nuk jemi kundër këtyre lëvizjeve. Por ne jemi kundër amullisë që shkakton një thënie e tillë në të gjithë personelin shëndetësor. Jemi kundër asaj që nëse do të bëhet një test i cili nuk do të ketë argumentimin, programin e mbështetjen e duhur apo do ketë ndonjë qëllim nga mbrapa, atëherë ky mund të na krijojë probleme. Sepse prish imazhin e sistemit, imazhin e këtyre profesionistëve.

 

Por të jemi realistë, ka edhe njerëz që ankohen nga ofrimi i shërbimit prej bluzave të bardha…

Ne nuk jemi dakord me përfoljen e bluzave të bardha në masën që thuhet, edhe pse jemi të ndërgjegjshëm se midis nesh ka “drurë të shtrembër”. Por edhe nëse do të ndodhë një gjë e tillë, unë mendoj se ne do të përbaltemi më tepër, sepse nuveli i shoqërisë shqiptare lë për të dëshiruar, ashtu siç lë edhe në nivelet tona profesionale e ato të komunikimit, sepse në fund të fundit, ne jemi pjesë e kësaj shoqërie. Dhe shpesh, familjarë apo të afërm të pacientëve dhunojnë, kërcënojnë e ofendojnë bluzat e bardha. Por duke bërë një gjë të tillë dhe duke u shprehur, mua më duket sikur ne do ta çojmë ujin në mullirin e këtyre njerëzve që i paragjykojnë, kërcënojnë dhe dhunojnë bluzat e bardha pa të drejtë. Dhe kjo do të ulë reputacionin jo vetëm të tyre, por edhe të vetë institucioneve tona shëndetësore. Sepse këta njerëz në fund të fundit do ta bëjnë shëndetësinë në Shqipëri. Nuk do të ikim jashtë e t’i marrim borxh në vende të tjera.

Dhe ajo që dua të theksoj në fund dhe që është mjaft e rëndësishme, është një porosi që unë e kam marrë nga Brukseli, nga kolegët tanë evroipianë të cilët sot janë në krizë për punonjës shëndetësorë. Porosia e tyre është: “I keni, ndoshta i keni me shumicë, por mbajini mirë, trajtojini, motivojini dhe zhvillojini që t’i keni. Nëse ata nesër do të arrijnë të mësojnë gjuhë të huaja, ju do mbeteni pa ta”. Sepse siç po ndodh me Kinën, Rumaninë, Polononë, etj; mjekët dhe infermierët e mirë që mësojnë gjuhë të huaja i merr përshembull Gjermania, se ajo i paguan minimalisht 1200 euro, nga 200 që u japim ne sot. Dhe nesër, nëse nuk do të bëjmë politika të tilla bashkëpunimi vlerësimi dhe të dëgjimit të zërit të tyre apo t’i tratojmë thjesht si ushtarë me komandë, këta do t’u futen gjuhëve të huaja dhe nesër këtu do mbeten vetëm të paaftit. Sepse më të aftit do të shkojnë në Evropë. Pra, thirrja është: “Edhe t’i respektojmë, edhe t’i motivojmë, edhe t’i dëgjojmë, edhe t’u krijojmë kushte bluzave të bardha të cilat nuk i kanë, për të rregulluar në tërësi kujdesin shëndetësor në Shqipëri. Dhe Urdhri i Infermierit në këtë linjë po punon, pikërisht për t’i mbështetur infermierët, për të punuar me ta që të arrijnë nivelet e duhura, por edhe për t’i mbrojtur ata, për t’i motivuar e për t’u krijuar kushte më të mira pune dhe për të qenë avokati i tyre në përmirësimin e cilësisë së kujdesit të ofruar. 

Intervistoi: Eglantina Nasi

 

 

SHKARKO APP