Testimet vetëm sa për të mbuluar korrupsionin
Nga dita në ditë sa vjen e rëndohet situata në sistemin arsimor në qarkun verilindor të vendit. Aq sa tashmë çdokush e di se punësimi në këtë sektor nuk bëhet përmes përgatitjes pedagogjike, por përmes shumës së parëve. Problemi rëndohet edhe më, kur edhe vetë drejtorët rajonale të arsimit qëndrojnë në këtë post jo më shumë se 2-3 muaj.
Tashmë, kur emërimi përmes investimit financiar është bërë I njohur nga të gjithë, po bëhen përpjekje për të treguar se fenomeni po luftohet. Ndonëse askush nuk e beson këtë. Vendet e punës janë shitur tashmë. Ndërsa në testim janë thirrur mësues mestarish të vjetër, por që disa vjet kanë punuar në administratë, apo në sektorë të tjerë, apo ish drejtorë shkollash që disa vite kanë punuar në sektorë të tjerë.
Aq paradoksal është ky lloj testimi sa e pranojnë edhe çetë punonjësit e drejtorisë rajonale të arsimit. “Nuk ka më vende pune, por testimi po kryhet, pasi na e kërkon Ministria, për të treguarse emërimet bëhen në bazë të meritës, kur të gjitha emërimet janë kryer në muajin shtator”,- thotë një prej punonjësve të zyrës së personelit. “E dimë se ky lloj testimi është një tallje për ne, pos’kemi çfarë të bëjmë. Kemi drejtuar edhe shkolla,vite më parë, edhe ndërmarrje ekonomike, por paradokse të tilla vështirë është të përtypen. Por këta lloj drejtuesish që fatkeqësisht janë vënë në krye nuk munden të na heqin pas 20 e më shumë vjetësh diplomën, edhe pse testimi përfshin edhe përmbajtjen shkencore të lëndës dhe metodologjinë e saj. Ndërsa dihet se testimi do të na kryhet nga militant partiakë që kanë mbaruararsimin vetëm pak vite më parë ”,- thotë I mllefosur një prej kandidatëve që presin të kryejnë testimin Eshtref Dema.
Si Eshtrefi janë edhe shumë të tjerë që janë mashtruar prej muajsh pranë dyerve të drejtorisë rajonale të arsimit. Ndërsa nën rogos emërimet nga drejtuesit janë kryer kundrejt parasë.
Paradokset në sektorin e arsimit në rajonin verilindor vazhdojnë edhe më tej. Në rrëmujë vazhdon të mbetët gjimnazi “Havzzi Nela”, ku nxënësit janë herë në mësim e herë rrugëve të qytetit. Kjo për shkak të rrëmujës që vazhdon prej kohës për postin e drejtorit të shkollës. Vetëm një muaj më parë u largua nga detyra e drejtorit të këtij gjimnazi Halit Mucmata duke u zëvendësuar nga mësuesi i shkollës Besim Shehu, përfaqësues I PS-së. Por pa kaluar një muaj nga Ministria e arsimit kryhet rokada duke rikthyer ish drejtorin. Por pas pak ditësh sërish rikthehet drejtori vetëm një mujor Besim Shehu.
Prej ditësh gjimnazi ka dy drejtorë, por asnjëri prej tyre në krye të detyrës. “Në të vërtetë nuk kemi asnjë drejtor për të kryer punën. Ndaj te ne mbizotëron rrëmuja,aq sa ka prindër që po kërkojnë largimin e fëmijëve të tyre nga gjimnazi”,-na tregon një mësues i shkollës. Jo vetëm për mësuesit, por edhe për gjithë komunitetin, emërimet në sektorin e arsimit janë kryer me para, ndërsa testet tanë që po afrohet mesi i vitit shkollor po kryhen për të mbuluar vargun e madh të korrupsionit. Mjafton për këtë të shihen edhe emërimi i drejtorëve e nën drejtorëve të shkollave që janë në një masë të madh jashtë të gjitha kritereve.